“Gjuhët çkëmbehen dhe çpërblehen në rjedhje të kohëvet, ashtu si çkëmbehet çdo gjë. Disa fjalë humbasin, të tjera e këmbejnë kuptimin. Është një nim i natyrës, në virtut të të cilit gjuhët çpërbëhen në qenjet e në të endurit e tyre. Po vështro, nuk duhet të besojmë, se ky çkëmbim i natyrëshëmë dhe i pandaluar i një gjuhe është një me vdirrjen e saj e me prishjen e saj...”. Megjithatë gjuhët edhe vdirren , herë për shkaqe natyrore, e herë për faj të letargjisë që pllakos ndërgjegjen njerëzore.
Ideja se gjuhët mund “të vdesin” zor se çudit kënd, pasi në fjalorë a enciklopedi, përbrě termit gjuhë e vdekur, gjejmë edhe përkufizimin si “gjuhë që nuk flitet më, por që kur e kur përmbush edhe funksione në mësimdhënie, në ceremoni e rite etj., sikurse latinishtja”. Në “Robert”-in frëng thuhet: “gjuhë të vdekura - ato që nuk fliten më”; nuk jepet ndonjë shembull ilustrues për to, por kur është fjala për latinishten e greqishten e lashtë, ky fjalor i përmbledh në zërin gjuhë klasike .
Atëherë ne mund të mëdyshemi ca dhe të na dalë vetiu pyetja: Pse latinishten herë e quajnë gjuhë të vdekur e herë gjuhë klasike? Ndofta më afër së vërtetës qëndron përkufizimi i një tjetër enciklopedie frënge, sipas të cilit “quhen të vdekura ato gjuhë që tashmë gjallojnë veç ndër tekste e libra”. E mira e këtij përkufizimi është se ai na përçon dy fakte njëherësh: një gjuhë e vdekur është gjuhë e shkruar , d.m.th. se ka qenë shkruar “sa ish gjallë” (mbase vazhdon edhe sot e do kohë) dhe se nuk flitet më .
Me fjalë të tjera, në morinë e gjuhëve që janë folur përgjatë historisë e që sot nuk janë më, kemi gjuhë të vdekura e gjuhë të zhdukura, të vendosura sipas një shkalle hierarkike: latinishtja, greqishtja e lashtë, arabishtja klasike apo sanskritishtja janë gjuhë më prestigjioze se ato që flisnin, ta zëmë, popujt që u kolonizuan nga romakët, të cilat as nuk lanë pas letërsi, as nuk janë gjuhë të ndonjë feje, etj. Ç'mund të themi për këto të fundit? Për gjuhët që fliteshin në Gadishullin Iberik, në Galě, apo në Rumaninë e sotme, para se pushtimi romak e tok me të latinishtja t'i zbrisnin nga froni? Afërmendsh janë gjuhë të vdekura , nëse është fjala që nuk fliten më, por vdekja e tyre nuk është e njëjtë me atë të latinishtes: gjuhët në fjalë humbën e s'lanë kurrfarë gjurme, veç një substrakti që përcaktoi tiparet e ndryshme të gjuhëve romanike, ndërsa latinishtja vdiq duke u shndërruar.
Paska, pra, tri mënyra “zhdukjeje” për një gjuhë:
- Zhdukja për t'u shndërruar ; kjo ndodhte kur një gjuhë e zhvilluar ndahej gjeografikisht gjatë ekspansionit të popullit që e fliste, duke dhënë shkas lindjes së familjeve gjuhësore. Kështu ngjau me indoevropianishten latinishten, dhe arabishten klasike.
- Zhdukja prej bdarjes; kjo ndodh kur folësit e fundëm të një gjuhe vdesin pa lënë pasardhës që flasin po atë gjuhë. Këtu përmendet rasti i dalmatishtes, folësi i fundëm i së cilës, Udina Burbur, vdiq më 1898.
- Zhdukja prej zëvendësimit, kur gjuhët inferiore humbasin nën trysninë e gjuhëve superiore; me këtë rrugë u shfaq latinishtja ballkanike apo latinishtja që zuri të fliste popullsia e Ballkanit pasi u romanizua. Këtu bëjnë përjashtim greqishtja me skudin e saj prej gjuhë kulture si dhe protoshqipja me rezistencën e folësve të saj. Le të qëndrojmë ca më gjatë tek kjo lloj zhdukjeje.
Ky zëvendësim i një gjuhe prej një tjetre mund të jetë alternativ (dhe këtu po sjell një shembull: fëmija i lindur nga martesa ndërmjet një shqiptari dhe një rumuneje, që të dy emigrantë në Itali, ka si gjuhë të tijën italishten); por mund të jetë edhe zëvendësim i vazhduar, atëherë kur përmes një procesi të gjatë, gjuha e mbizotëruar shkrihet ngadalë e përditë në trup të gjuhës mbizotëruese dhe në këtë rast më tepër se për zëvendësim është fjala për absorbim. Të vetmet shenja që mbeten nga gjuha e përpirë në fund të kësaj “darke shekullore”, janë njësitë morfologjike si: mbaresa e fundore lakim-zgjedhimesh, disi të rënda këto për t'u tretur.
Edhe pa vazhduar më tej, duket se del vetiu droja në lidhje me shqipen; ajo tashmë është përballë qoftë me zëvendësimin alternativ (një pjesë jo e vogël familjesh shqipfolëse gjenden jashtë vendit), qoftë me zëvendësimin e vazhduar, shkak për të cilin bëhet hapja e menjëhershme e kësaj gjuhe të vogël e të pasistemuar ndaj prirjes botërore për globalizim kulturash; së gjithës duket se po i jep dorë edhe letargjia jonë e pavend.
Tash së fundmi, Ministria Italiane e Arsimit shpalli dekret-ligjin, sipas të cilit fëmijët shqiptarë në Itali kanë të drejtën e mësimit shqip në shkollat e atjeshme. Ky veprim i qeverisë italiane, për t'i dhënë udhë këtij ligji, mori shkas nga fakti se numri i shqipfolësve në Itali ka mbërritur cakun e një pakice gjuhësore që do marrë parasysh. Kësisoj shqipja e tyre do të ketë mundësinë të ushtohet në të katër funksionet e saj themelore: dëgjim, lexim, gjuhë e folur, gjuhë e shkruar .
Një vendim i tillë të zgjon, përveç një ndjesie të mirë falënderuese, edhe instinktin t'i kthejmë sytë kah ne. Afërmendsh ka ardhur koha që platforma e studimeve për gjuhën të ngrihet mbi çështje që marrin në shqyrtim të gjitha ato ngjarje gjuhësore, të cilat përndoqën ndryshimet ideopolitike e për rrjedhojë ndryshimin e krejt stilit të jetës sociale. Në fillim të viteve ‘90 shqipja pa si shprishej entropia e sistemit të saj gjuhësor e kulturor. Për pasojë, qerthuj me dyshime e probleme për t'u zgjidhur ankthojnë aty pas dyerve të institucioneve kërkimore e ato kanë shumë më tepër ngut se problemi i zanafillës së shqipes.
- Në ç'kushte e befasoi shqipen kjo hapje e menjëhershme?
- Si përvijoi raporti mes gjuhës së shkruar e asaj të folur pasi ranë skemat semasiologjike “të parafabrikuara”?
- Ç'i sjell shqipes ky network i tanishëm njerëzish e konceptesh nga e gjithë bota?
- Ç'do të thotë të jesh gjuhë e kulturë e një vendi të vogël e ç'qëndrim do mbajtur (kuptohet, në aspektin gjuhësor)?
- Anët pozitive e negative të huazimeve gjuhësore gjithfarë (leksikore, gramatikore, semantike, etj) - dhe këtu të shqyrtohen qoftë huazimet e pashmangshme, qoftë ato që i ngucen gjuhës me pahir.
- Në një ligjërim tashmë të ngurtë e skematik, aq më tepër të turbulluar nga problemet e veta pararendëse, a do të qe më mirë që huazimeve të tilla t'u lihej shtegu hapur deri në një referendum kulturoro-gjuhësor, apo të ndaleshim qysh tash e të diagnostikonim?
- Më mirë një reformë gjuhësore en bloque, apo do të mjaftonte një rishikim i hollësishëm i normës sonë standarde, të ngushtë e të pamjaftueshme?
- Rishqyrtim i metodologjive, në bazë të të cilave zhvillohet sot kërkimtaria jonë gjuhësore.
Hulumtimi gjuhësor në Shqipëri ngjan se ende kryhet duke u nisur nga gjuha në veshjen e saj abstrakte, pa dalluar dy konceptet sosyriane, ligjërimin dhe të folurit. Për pasojë, pakgjë punohet për mënyrat e ndryshme të mendimit e të shprehjes, për ligjërimin aktiv - atë që përdorim përditë, apo për zhargonet. E gjithë kjo lavjerrje shqiptare socialkulturore, ideopolitike, demografike, gjeografike etj., bën që të lavjerret edhe shqipja, veçse filli i këtij pezulli sa vjen e po tëhollet. Është koha t'i kthehet shqipes limfa e saj e dikurshme. S'ka dyshim se forcat intelektuale janë gati t'i përvishen një aksioni të tillë të lëvdueshëm; ajo ç'ka presin është vetëm (e domosdoshmja) përfshirje në të e forcës shtetërore.
Deri më tash shqipja është gjuhë në kërkim të një atdheu. Mos u dashka të presim deri kur Shqipëria të jetë atdhe në kërkim të një gjuhe? Të gjithë e dimë se gjuha s'është stolě, por mbuloja që u veshim mendimeve tona. E le t'i kthehemi edhe një herë De Amicis-it: “Thonë se njeriu vlen aqë sa di. Po me një masë të madhe vlen edhe sipas mënyrës pas së cilës ay e thotë atë që e di ”.
Ledi Shamku - Shkreli