Mbi disa shmangie gramatikore
Date: Monday, January 07 @ 07:54:01 EST
Topic: Albanian articles





Në këtë shkrim autori ka vënë në dukje disa shmangie gramatikore, siç është copëzimi i tepruar e i panevojshëm dhe mospërfundimi i njësive kumtuese-sintaksore në shkrimet e ndryshme të mediave tona këtu ndër ne në Kosovë.


Ne në këtë shkrim do të ndalemi kryesisht në dy shmangie gramatikore: në çështjen e copëzimit të tepruar e të panevojshëm të njësive kumtuese - sintaksore në kuadër të tekstit dhe në çështjen e mospërfundimit të tyre.
Copëzimi i njësive sintaksore kumtuese është i mundshëm dhe i lejueshëm në disa raste, sidomos në letërsinë artistike (thjesht, për qëllime stilistike e semantike), por jo gjithherë e pa kufizime, sepse edhe këtu ka rregulla leksiko - gramatikore që nuk e mundësojnë një gjë të tillë. Si rregull i përgjithshëm: Nuk duhen ndarë a copëzuar nga konteksti nënfjalitë e varura ftilluese e rrethanore nga ato drejtuese dhe anasjelltas, sepse kjo gjë mund të ketë për pasojë shpërbërjen e tyre nga aspekti kuptimor dhe krijimin kështu të një mishmashi gramatikor. Prandaj, edhe me rregulla gramatikore të gjuhës sonë një gjë e tillë është e palejueshme. Për ta sqaruar më mirë këtë problematikë, se pari po ndalemi te shembujt, si:
1.          Ishte e qartë që atyre s'u kish rënë në sy një gjë e tillë
2.          Ai nuk po kuptonte dot përse duhej të ngarkohej me dy lloj veglash.
3.          Se ç'ndodhi pastaj me mua, nuk më kujtohet.
4.          Më e madhja ndër fotografitë ishte ajo e vendlindjes, me ngjyra, të cilat nuk di se nga e kishte sjellë Gëzimi.

Këta shembuj, po qe se i ndajmë a i copëzojmë me anë të pikës në dy e më shumë fjali të veçanta kallëzuesore, (po e zëmë në:
I. 1. Ishte e qartë. I. 2. Që atyre s 'u kishte rënë në sy një gjë e tillë;
II. 1. Ai nuk po kupton dot. II. 2. Përse duhej të ngarkohej me dy lloj veglash;
III. 1. Se ç 'ndodhi pastaj me mua. III. 2. Nuk më kujtohet;
IV. 1. Më e madhja ndër fotografitë ishte ajo e vendlindjes, me ngjyra. IV. 2. Të cilat nuk di. IV. 3. Se nga e kishte sjellë Gëzimi),

ato do të humbnin mjaft shumë nga aspekti kuptimor, po të krahasohen me ndërtimet bazë, për arsye se gramatikisht janë shkelur normat më themelore të kësaj përbërjeje dhe të natyrës së gjuhës sonë, në përgjithësi.

Në këtë mënyrë, të gjitha këto fjali të përbëra do të tjetërsoheshin kuptimisht e gramatikisht, por më së shumti do të pësonin ndërtimet përcaktore që nisin me përemra lidhorë: që, i cili (e cila), të cilët (të cilat), çka, gjë që etj., si në shembullin IV dhe të tjerët që do t'i sjellim këtu më poshtë nga shtypi ynë i përditshëm, si:  

1) dhe për këtë nuk rrëfen autori, por rrëfen një person i tretë. GJË KJO e cila autorit Günter Grass, si edhe gjithmonë, i jep të drejtën e narratorit;
2) Pra, për këtë Kolos të Madh të arsimit, shkencës, kulturës, letërsisë dhe historisë sonë kombëtare. I CILI ndonëse me një dell të shquar shkencor dhe intelektuale. Respektivisht me një horizont dhe univers të pasur prej intelektuali, patrioti e iluministi.
3) E vetmja gjë që njeriu ndoshta duhet thënë me këtë rast, është që kjo bërje e gënjeshtrave në fakt paska pasë një qëllim... I CILI u pa këtë javë në Hagë, ...;
e shembuj të tjerë të këtillë që përmbajnë edhe gabime të tjera gjuhësore, me disa kalke nga gjuhët e huaja.

Në të gjithë këta shembuj, siç shihet, përemrat lidhorë të caktuar i referohen paraprijësve të vet (antecedentëve) në fjalinë drejtuese. Prandaj, meqenëse këta përemra janë gjymtyrë të varura të paraprijësve, në asnjë gjuhë, pra edhe në gjuhën tonë, nuk bën të jenë të shkëputur a të ndarë prej tyre, për arsye se që të gjitha së bashku përbëjnë një tërësi të pandashme të në kuadër të periudhës me fjali të varur përcaktore lidhore.
 
Në anën tjetër, kjo fjali e varur përcaktore lidhore që fillon me ndonjërin nga këta përemra, e veçuar në këtë mënyrë, nuk e ka intonacionin e vet të mbarimit, si një prej përbërësve më të rëndësishme të fjalisë së mëvetësishme. Prandaj edhe si e tillë s 'mund të qëndrojë vetëm. Pra, nuk duhet të përdoret në këtë mënyrë, as në gjuhën e shkruar as në të folurën. (Në të folur është e pamundur të bëhet një pauzë kaq e gjatë në mes fjalisë drejtuese e asaj përcaktore që fillon me këtë përemër lidhorë, sepse do të dilte pa ndonjë kuptim për bashkëbiseduesin, ndërsa në gjuhën e shkruar, ndonëse të ndara krejtësisht me anë të pikës, mund të vihen re disi raportet logjike në mes paraprijësit dhe përemrit lidhor).
Nga e gjithë kjo që u tha vijmë te përfundimi se fjalitë e përbëra me pjesë të nënrenditura përcaktore lidhore nuk duhet dhe nuk bën assesi të ndahen nga fjalitë e tyre drejtuese a nga ajo pjesë e fjalisë prej së cilës varet.

Në anën tjetër, në gazetat e përditshme dhe në shkrimet e tjera po ndeshim mjaft ndërtime sintaksore të autorëve të ndryshëm të cilët fillojnë të shpjegojnë diçka në kuadër të tekstit të tyre (varësisht nga tema e trajtimit të tyre), por ndërkohë, aty për aty, mendimet e tyre mbesin pezull, për shkak se fjalitë apo njësitë sintaksore kumtuese nuk i përfundojnë ashtu si duhet, me mjete të nevojshme gjuhësore, si në këta shembuj:
 
Në këtë emision merrnin pjesë  të gjithë kritikues të rreptë të filmit ose thënë më mirë gënjeshtrës në fjalë, si dhe Mathias Werth, njëri nga autorët e filmit, dhe Willi Wimmer parlamentar i CDU - së dhe serbofil i njohur I CILI QË NGA FILLIMI I LUFTËS SË KOSOVËS. (Shtrohet pyetja: Çka? Pra, fjalia e fundit mbetet pezull, -nënvizim imi); Pos në dy vendet më të mëdha të banimit të tyre, Sicili e Kalabri, duhet cekur edhe pikëtimet e tjera gjeografike, si Basilikata, Moliza, Pulja, Kapitanata, që ishin vise KU NË SHEK. XII. (Çka? Se çfarë ka ndodhur me pikëtimet e përmendura ??, nuk dihet - nënviz. imi.).

Të dy shembuj e fundit ka mundësi të shndërrohen në njësi sintaksore me intonacion të vet të përmbarimit dhe kuptimisht e gramatikisht të jenë në rregull, po që se nga to mënjanohen krejtësisht: përemri lidhor (i cili), në shembullin e parë, dhe ndajfolja lidhore (ku), në shembullin e dytë.
Edhe njësia e dytë sintaksore (2) nga grupi i parë i shembujve të lartshënuar, siç mund ta vërej këtë çdo lexues i vëmendshëm, është e papërfunduar si nga ana semantike, po ashtu edhe nga ana gramatikore.


Agim Spahiu














This article comes from Albaglobal
http://www.albaglobal.com

The URL for this story is:
http://www.albaglobal.com/modules.php?name=News&file=article&sid=1811