Nuk bëhesh i famshëm vetëm kur përkthehesh jashtë
Date: Tuesday, January 08 @ 09:56:40 EST
Topic: Albanian articles





E përsëris edhe një herë rregullin bazë të përkthimit letrar: gjuha e përkthimit duhet të jetë gjuha amtare, pra gjuha e nënës së përkthyesit. Ndryshe nuk bën.



Letërsia artistike shqiptare po përhapet në arenën ndërkombëtare, por në mënyrë jashtëzakonisht të ngadalshme. Le të ndalim pak tek elemente kryesore të këtij fenomeni, pra te faktorët që e pengojnë përhapjen e letërsisë shqiptare. I kam përmbledhur në katër pika kryesore:

Faktori i parë është mungesa tepër e dukshme e përkthyesve letrarë. Ekziston, dhe gjithmonë ka ekzistuar një mungesë e theksuar përkthyesish letrarë nga shqipja, bile një mungesë e skajshme. Për letërsinë shqiptare anglisht, për shembull, ka maksimum dy deri tre përkthyes letrarë në tërë botën, dhe vetëm njëri prej tyre është pak a shumë aktiv në këtë fushë tani për tani. Pra, nëse nuk gabohem, përbëj unë personalisht më shumë se 80 për qind të tërë potencialit botëror në fushën e përkthimit shqip-anglisht, dhe ky realitet më trondit! Për gjuhën frënge situata është disi më mirë. Kemi deri pesë përkthyes, nga të cilët mund të themi se tre janë aktivë tani. Edhe për gjuhën italiane ka tre deri pesë përkthyes, shumica prej tyre italo-shqiptarë. Për gjuhën gjermane ka dy përkthyes aktivë, për gjuhën polake dy përkthyes që kanë botuar kohën e fundit, për gjuhën bullgare tre përkthyes, nga të cilët dy janë pak a shumë aktivë, dhe për gjuhën spanjolle një përkthyes aktiv. Edhe për hollandishten dhe greqishten ka përkthyes të mirë që vazhdojnë të veprojnë. Për gjuhë të tjera nuk i kam të dhëna të sakta. Duhet theksuar gjithashtu se nuk flasim fare për përkthyes me orë të plotë, që punojnë me rrogë. Përkundrazi, këta njerëz përkthejnë letërsinë shqiptare vetëm herë pas here, kur disponojnë kohë të lirë, kur e kanë qejf, dhe kur arrijnë të sigurojnë një botues. Shumë pak prej tyre nxjerrin bukën e gojës nga përkthimi i letërsisë shqiptare.

Si shpjegohet kjo gjendje e mjerueshme? Vendet e tjera të bllokut komunist ishin të interesuara për përhapjen e kulturave të tyre dhe, me gjithë problemet dhe pengesat politike, i kanë krijuar lidhjet elementare të nevojshme. Kanë ftuar shkrimtarë të huaj për vizitë, kanë ftuar përkthyes për kurse të kualifikimit, kanë ftuar studentë për të mësuar gjuhën e vendit, gjithë kjo me shpresë se këta njerëz, më vonë, të futen në lëmin e përkthimit letrar dhe të përhapin kulturën e vendeve të tyre. Shqipëria komuniste, kokëfortë dhe kokëtrashë siç ishte në atë kohë, vendosi, siç duket, se nuk kishte shumë nevojë për përkthyes të huaj dhe që shqiptarët e bëjnë këtë punë më mirë vetë. Pra sistemi komunist i kishte ngarkuar shqiptarë vendas me punën e përkthimit letrar nga shqipja në gjuhë të huaja. Një absurditet. Me mjaft interes është fakti se reparti i parë i përkthimit zyrtar i shtetit shqiptar pas Luftës së Dytë Botërore, Mesagjeria, e kishte selinë në burgun e Tiranës. Pra ishin të burgosurit politikë që kryenin përkthimet e para zyrtare dhe letrare pas luftës. Rezultati për letërsinë shqiptare, kuptohet, ishte një katastrofë. Me shumë pak përjashtime, përkthimet ishin të llahtarshme, të paktën për anglishten. Kështu u shfaq letërsia shqiptare në botën e jashtme: një letërsi e dobët staliniste në përkthime të pakuptueshme, sa për të qeshur apo për t'u mërzitur, sipas rastit.

Faktori i parë, pra, është mungesa e përkthyesve. Kush janë këta pak përkthyes në botë?

1.       Së pari, janë disa njerëz të rrallë, tani të brezit të vjetër, të cilët kishin jetuar në Shqipërinë staliniste, qoftë për bindjet e tyre marksiste-leniniste, qoftë për arsye të tjera;
2.      Së dyti, disa individë, po ashtu të rrallë, dhe të çmendur si puna ime, të cilët kishin mësuar shqip në mënyrë autodidakte dhe ngadalë u futën me kohë në punën e përkthimit;
3.      Së treti, disa emigrantë shqiptarë të rritur jashtë Shqipërisë, të cilët dinin shumë mirë gjuhën e vendit të emigracionit dhe gjuhën shqipe;
4.      Dhe së katërti, armiq kryesorë të letërsisë shqiptare: përkthyes shqiptarë vendas të cilët mësuan gjuhë të huaja në Shqipëri dhe që u futën në punën e përkthimit letrar nga qejfi mendjemadh apo që u ngarkuan më këtë punë nga autoritetet shqiptare.

Nga gjithë problemet që ka letërsia shqiptare në arenën ndërkombëtare, mungesa e përkthyesve është problemi numër një.

Faktori i dytë është mungesa e interesimit nga ana e botuesve jashtë Shqipërisë. Në tregun anglishtfolës, më pak se 2 për qind të botimeve letrare janë përkthime. Më pak se 2 për qind! Dhe këta dy për qind përfshijnë letërsinë franceze, spanjolle, gjermane, ruse, kineze, italiane, japoneze e gjithë të tjera, pa folur për vendin mikroskopik që e ka letërsia shqiptare në mes. Pra, tregu letrar më i madh dhe më me ndikim në botë, ai i gjuhës angleze, ofron shumë pak mundësi. Situata është disi më mirë në tregjet e gjuhëve të tjera evropiane: frëngjisht, italisht, gjermanisht, greqisht, hollandisht, por besoj se në tërë vendet e Evropës përgjithësisht mungon interesimi nga ana e botuesve. Nga përvoja ime, them se është gati e pamundur që gjesh një shtëpi botuese të madhe për letërsinë shqiptare. Të gatshëm të botojnë letërsinë shqiptare janë vetëm botues të vegjël të specializuar dhe gati të panjohur, apo botues shqiptarë. Dhe për shumicën e këtyre të fundit, librat e përkthyera nuk qarkullojnë në mënyrë të duhur. Botuesve shqiptarë u mjafton që librat e botuara të blihen nga shqiptarët jashtë, dhe që këto botime të arrijnë - të admiruara, por të palexuara - në sofrat dhe në dollapët e familjeve kosovare në Nju Jork apo në Boston, ta zëmë. Besoj se tërë përkthyesit letrarë ballafaqohen më këtë problem. Situata është e vështirë herë pas here, bile edhe për Ismail Kadarenë, i cili është një autor mjaft i suksesshëm në shumë vende të botës. Është gjithmonë një luftë e madhe për të tërhequr interesin e botuesve të huaj. Ka shumë konkurrencë midis letërsive.

Është e qartë se shumë pak përkthyes letrarë janë gati të fillojnë procesin e mundimshëm të përkthimit pa kontratë apo pa u siguruar të paktën që përkthimet e tyre do të botohen diku, pa folur për problemin e pagesës dhe të financimit. Mua më vijnë herë pas here autorë shqiptarë që duan që veprat e tyre të përkthehen. Kur i pyes për botuesin, zakonisht më thonë: "S'është problem ky. Përkthej një herë, pastaj shohim për botuesin." Nga përvoja ime do të sugjeroja përkthyesve: "mos filloni asnjë përkthim letrar pa ditur me siguri se ku vepra do të botohet."

Faktori i tretë është mungesa e interesimit nga ana e lexuesit. Një shkrimtar mund të jetë shumë i talentuar, por duhet të ballafaqohet me realitetin e tregut. Librat e tij mund të jenë tepër interesante për lexuesit shqiptarë, por kjo nuk do të thotë se mund të tërheqin vëmendjen e lexuesit botëror. Një libër që shitet mirë në Shqipëri apo në Kosovë, mund të mos shitet fare në Kanada apo në Gjermani. Një shembull konkret është romani i "Vdekja më vjen prej syve të tilla" i Rexhep Qosjes, përkthyer frëngjisht, gjermanisht, hollandisht, serbisht dhe sllovenisht, por kryesisht pa jehonë.

Faktori i katërt, po qe se flasim hapur, është mungesa e cilësisë letrare në letërsinë shqiptare. Çdo shkrimtar është i bindur për vlerat e veta, por a janë të bindur të tjerët? Për një kohë të gjatë, bota shqiptare ka qenë një dhomë e mbyllur dhe e errët, pa ajër të freskët, pra, pa ide të freskëta, dhe pa origjinalitet. Kishte një mungesë idesh dhe një mungesë kurajoje. Gazetarët shqiptarë, me dyshim nën zë, më pyesin shpeshherë: "A ka ndonjë vlerë letërsia shqiptare?" Natyrisht është e vështirë t’i jepet një përgjigje e përgjithshme kësaj pyetjeje. Unë sinqerisht nuk di çfarë të them. Parimisht nuk ka asnjë arsye të mendohet se cilësia e letërsisë shqiptare është ndryshe nga cilësia e çdo gjëje tjetër që bëhet apo që prodhohet në Shqipëri. Si është puna e infrastrukturës shqiptare, e sistemit rrugor, e sistemit hekurudhor, e furnizimit me energjinë elektrike, me ujë? Si është gjendja e arsimit dhe e sistemit shëndetësor në Shqipëri? Si është cilësia e jetesës në përgjithësi? Pse të jetë ndryshe letërsia shqiptare? Të jemi realistë. Shqipëria është vendi më i prapambetur në Evropë, gjithmonë në fund të radhës.

Është një pamje e errët që po pikturoj unë, por për fat të mirë - dhe kjo e përligj ekzistencën e përkthyesve të letërsisë shqiptare - gjendet herë pas here një xhevahir i cili shkëlqen në terr. Ka vepra në prozën artistike të lexueshme, bile mjaft interesante, dhe gjithmonë ka pasur ka poezi të bukura - vepra që meritojnë të përkthehen. Nuk kam asnjë dyshim.

Këto sipas meje janë katër faktorët kryesorë që e pengojnë përhapjen e letërsisë shqiptare në botë. Kundrejt këtij realiteti të zymtë, janë shpresat dhe ëndrrat e shkrimtarëve shqiptarë të cilët duan që veprat e tyre të njihen në botën e jashtme. Shumë shkrimtarë mendojnë gabimisht bile se janë të suksesshëm vetëm kur veprat e tyre botohen jashtë, dhe harrojnë fare se lidhjet e tyre të natyrshme janë dhe duhet të jenë me lexuesin shqiptar.

Dëshira, bile etja e shkrimtarëve shqiptarë për t'u përkthyer ka sjellë, veçanërisht gjatë viteve të fundit, një fenomen mjaft negativ, i cili po dëmton rëndë imazhin e letërsisë shqiptare në botë. Është fjala për përkthime në gjuhë të huaja të kryera nga shqiptarët vendas, shpesh nga autorët vetë apo bile nga fëmijët e tyre në shkollë. Shkoni në një librari të mirë në Tiranë apo në Prishtinë dhe hidhni një sy mbi veprat e letërsisë shqiptare të përkthyera nga shqiptarët vendas. Janë për t'u flakur në koshin e plehrave, punë kalamajsh. Këta shkrimtarë mund të jenë zoti kur përkthejnë nga gjuhët e huaja në shqip, por në drejtimin e kundërt janë të llahtarshëm, gati pa përjashtim, sa e di unë. E përsëris edhe një herë rregullin bazë e përkthimit letrar: gjuha e përkthimit duhet të jetë gjuha amtare, pra gjuha e nënës së përkthyesit. Ndryshe nuk bën.

Duhet të jemi realistë. Duhet të flasim hapur për këto probleme edhe për zgjidhje praktike të përkohshme në lëmin e përkthimit të letërsisë shqiptare. Ka një mungesë të madhe përkthyesish. Do të duhet të pranojmë atëherë, të paktën për një kohë të caktuar, përkthime të dyfishta, ta zëmë nga shqipja në frëngjisht dhe nga frëngjishtja në anglisht, pastaj ndoshta edhe nga anglishtja në hebraisht apo suedisht. Do të duhet të pranojmë gjithashtu rolin e përkthyesve shqiptarë vendas nëse, për një përkthim në gjuhë të huaj, ata punojnë ngushtë, shumë ngushtë, me një shkrimtar apo një letrar të huaj i cili mund të mos dijë shqip. Nuk është kjo ajo që kërkojmë për letërsinë shqiptare, por janë zgjidhje të përkohshme të mundshme që mund të ndihmojnë në përhapjen e letërsisë shqiptare në botë.

Si përfundim, situata e letrave shqipe në tregun ndërkombëtar është e zymtë. Letërsia shqiptare, me përjashtim - në disa vende - të veprave të Ismail Kadaresë, nuk njihet fare. Në përgjithësi, mund të konstatojmë se shumë pak letërsi shqiptare është e përkthyer, dhe akoma më pak letërsi shqiptare është e botuar nga shtëpitë botuese, të cilat arrijnë të shpërndajnë librat e tyre në treg.

Atëherë, si të dalim nga errësira? Së pari, duhet nxitur interesim për kulturën dhe për letërsinë shqiptare në mënyra sa më të ndryshme në arenën ndërkombëtare. Duhet krijuar një imazh më pozitiv për shqiptarët. Duhet gjithashtu që më shumë njerëz në botë të kenë mundësi të mësojnë shqip. Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Prishtinë është një nismë me rëndësi dhe me një ndikim pozitiv afatgjatë. Nxitja e interesimit dhe përmirësimi i imazhit të dëmtuar të shqiptarëve është një proces tepër i gjatë, një proces që kërkon vite. Qeveria e Shqipërisë dhe Qeveria e Kosovës, si dhe organizata kulturore gjysmë-qeveritare dhe jo-qeveritare kanë të gjitha një rol kyç për të luajtur këtu.


nga Robert Elsie

[published in / botuar në: Ars, e përkohshme letrare, Tiranë, 26.10.2003, f. 22, në bazë të një kumtese të mbajtur në Shkodër më 10 tetor 2003 me titullin: "Letërsia shqiptare në tregun ndërkombëtar: ëndrra dhe realiteti."]












This article comes from Albaglobal
http://www.albaglobal.com

The URL for this story is:
http://www.albaglobal.com/modules.php?name=News&file=article&sid=1818