Përkufizimi i përkthimit
Date: Saturday, January 12 @ 02:31:35 EST
Topic: Albanian articles





Ti më kërkon të të jap një përkufizim të përkthimit.
Ç’është e vërteta, ekzistojnë shumë të tilla, sepse në botën e sotme ka lloj-lloj teorish përkthimi. Përkufizimi që do të lexosh pas pak është fare i thjeshtë; atë e kam nxjerrë nga praktika ime si përkthyes, por në dritën e leximeve të mia teorike; sidoqoftë, ai nuk është e nuk mëton të jetë i përsosur.


Sipas meje, nga një këndvështrim teorik, “përkthimi është një veprimtari psiko-gjuhësore ushtruar nga dikush me gojë a me shkrim me qëllim komunikimi midis bashkësish a individësh që nuk flasin të njëjtën gjuhë. Në rastin e përkthimit letrar, kjo veprimtari ka një rezonancë estetike”. Kur them “nga një këndvështrim teorik”, ka parasysh faktin që sot ekziston në botën e qytetëruar një shkencë e përkthimit që quhet traduktologji (në frëngjisht traductologie) themeluar nga Danica Seleskovitch dhe Marianne Lederer të cilat kam patur nderin t’i kem profesoreshat e mia në Shkollën e Lartë të Përkthyesve e të Interpretëve (E.S.I.T) në Paris. Falë përpjekjeve shkencore të këtyre dy figurave të teorisë e praktikës së përkthimit, sot përkthimi nuk është më si dikur një nëndegë e gjuhësisë, por shkencë më vete. Pra, përkthimi është shkencë; si i tillë, ai mban lidhje të ngushta me gjuhësinë, psikologjinë, leksikologjinë dhe leksikografinë. Gjithsesi, të mos harrojmë se, para se të ngrihej në këtë nivel, ai ka qenë gjithashtu dhe vazhdon të jetë një teknikë; si i tillë, ai mban lidhje me gramatikën, stilistikën dhe artin e të shkruarit. Le të kujtojmë se pak më lart të thashë që përkthimi është një zanat; por kur themi “zanat”, na shkon në mendje fjala “artizanat” e cila fillon me fjalën “art”. Me këtë dua të them se përkthimi është edhe art. Është i tillë sepse përkthyesi letrar (dhe çdo përkthyes tjetër që përkthen me shkrim qoftë edhe një tekst teknik), gjatë procesit përkthimor kryen ndër të tjera një përvetësim estetik të një realiteti gjuhësor (artistik a të një lloji tjetër) që vetë rrjedh nga një përvetësim tashmë estetik i një realiteti jashtëgjuhësor. Po ta them më thjeshtë:Fan Noli nuk ka hedhur në letër një ngjarje që e ka jetuar vetë drejtpërsëdrejti, por çka ka lexuar të shkruar tashmë nga Shakespeare-i. Pra, përderisa kemi një përvetësim estetik, qoftë të një realiteti tashmë estetik, kemi art. Dhe kemi art, sepse kemi një krijim të mirëfilltë, ndonëse kemi, njëkohësisht, edhe rikrijim. Kemi krijim në rrafshin gjuhësor, meqenëse Shakespeare-i nuk e ka shkruar Hamletin, për shembull, në gjuhën shqipe, por në atë angleze; në gjuhën shqipe atë e ka shkruar Fan Noli; domethënë se në shqipe atë e ka krijuar ky i fundit. Kemi rikrijim në rrafshin e fabulës, meqenëse historinë e Hamletit e ka treguar i pari Shakespeare-i; Fan Noli vetëm, sa e ritregon si përmbajtje, por me fjalë krejt të ndryshme nga ato të Shakespeare-it, domethënë me fjalë shqipe. Për ta ilustruar këtë, mund ta krahasojmë përkthyesin me skulptorin; ky, kur gdhend, ka zakonisht një model para syve (flas këtu të paktën për skulpturën figurative); këtë model nuk e ka krijuar ai, atë ai vetëm do ta rikrijojë, sigurisht sipas mënyrës së vet, duke e përvetësuar artistikisht, në një lëndë tjetër, e cila do t’i bindet frymëzimit të tij. A nuk bën edhe përkthyesi të njëjtën gjë? Skulptura është art, natyrisht, prandaj edhe përkthimi s’ka përse të mos konsiderohet si i tillë. Edhe krahasimi i përkthyesit me piktorin apo muzikantin do të qëndronte; përkthyesi mund të krahasohet shumë më tepër me piktorin sesa me fotografin, shumë më tepër me muzikantin sesa me manjetofonin. Siç e sheh, pra, përkthimi s’mund të mos jetë edhe art, dhe kjo s’më duket aq e zorshme për ta kuptuar. Ky përkufizim tjetër, i katërfishtë, duhet mbajtur kurdoherë parasysh, sidomos tani që, tek ne, nga disa autoritete të larta shkencore përkthimit i hiqet arbitrarisht karakteri shkencor (Lexo, lidhur me këtë, letrën e hapur që i kam drejtuar ministrit të Arsimit dhe që është botuar në gazetën Koha Jonë të datës 5 shkurt 1999).


Edmond Tupja

(marrë nga libri "Këshilla një përkthyesi të ri")









This article comes from Albaglobal
http://www.albaglobal.com

The URL for this story is:
http://www.albaglobal.com/modules.php?name=News&file=article&sid=1821