Alfabeti i shqipes ka 36 shkronja, nga të
cilat 25 janë të thjeshta (a, b, c, d, e, f, g, h, i, j, k, l, m, n, o,
p, q, r, s, t, u, v, x, y, , 9 janë bigrame (dh, gj, ll, nj, rr, sh,
th, xh, zh) dhe 2 me shkronja diakritike (ë, ç). Shqipja ka theks
intensiteti dhe përgjithësisht të palëvizshëm gjate fleksionit. Në
shumicën e rasteve, sidomos në sistemin emëror, theksi bie në rrokjen e
parafundit.
Shqipja ka një sistem të zhvilluar (të pasur)
formash gramatikore, ka një sistem lakimi binar: lakimin e shquar dhe
të pashquar, ruan ende mirë format rasore (ka pesë rasa), sistemin prej
tri gjinish (mashkullore, femërore dhe asnjanëse), kjo e fundit po
shkon drejt zhdukjes, mbahet vetëm në një kategori të veçantë emrash
foljorë, të tipit: të shkruarit, të menduarit, etj.
Sistemi
emëror ka trajtë të shquar dhe të pashquar dhe për pasojë, edhe lakim
të shquar e të pashquar; nyja shquese është e prapavendosur si në
rumanisht dhe në bullgarisht; ka nyje të përparme te emrat në rasën
gjinore (i, e malit) dhe te mbiemrat e nyjshëm (i mirë, i vogël, etj).,
te emrat asnjanës të tipit të folurit, etj. Përvec fleksionit me
mbaresa të veçanta, shqipja njeh edhe fleksionin e brendshëm (dash ~
desh, marr ~ merr); ka dy tipe strukturorë mbiemrash të ngjashëm (i
madh, i ndershëm) dhe të panyjshëm (trim, besnik). Te numërorët përdor
kryesisht sistemin decimal (dhjetë, tridhjetë, pesëdhjetë), por ruan
edhe sistemin vigezimal (njëzet, dyzet); numërorët e përberë nga 11-19,
formohen duke vënë numrin e njësheve përpara, parafjalën mbë dhe pastaj
dhjetëshet (njëmbëdhjetë, dymbëdhjetë, etj) si në rumanisht dhe në
gjuhët sllave.
Sistemi foljor paraqitet mjaft i
larmishëm. Shqipja ka një sistem të pasur formash mënyrore dhe kohore,
një pjesë të e cilave janë të trashëguara nga një periudhë e hershme,
një pjesë janë kryer gjatë evolucionit të saj historik. Folja ka
gjashtë mënyra; (dëftore, lidhore, kushtore, habitore, dëshirore,
urdhërore) dhe tri forma të pashtjelluara (pjesore, paskajore dhe
përcjellore). Koha e ardhshme ndërtohet në mënyre analitike, me dy
forma: me do (forma e foljes dua) + lidhore (do të punoj) dhe me foljen
ndihmëse kam + paskajore (kam për të punuar).
Rendi i
fjalëve në fjali është përgjithësisht i lirë, por më i zakonshëm është
rendi subjekt+verb+objekt. Leksiku i gjuhës shqipe përbëhet prej disa
shtresash. Një shtresë të veçantë përbëjnë fjalët me burim vendas, të
trashëguar nga një periudhë e lashtë indoevropiane (ditë, natë, dimër,
motër, jani, etj.), ose të formuara më vonë, me mjete të shqipes
(ditor, dimëror, i përnatshëm).
Një shtresë tjetër,
përbëjnë fjalët e huazuara nga gjuhë të tjera, si pasojë e kontakteve
të popullit shqiptar me popuj të tjerë gjatë shekujve. Fjalët e
huazuara kanë hyrë nga greqishtja, greqishtja e vjetër dh e re, nga
latinishtja dhe gjuhët romane, nga sllavishtja dhe nga turqishtja.
Shqipja, me gjithë huazimet e shumta, ka ruajtur origjinalitetin e saj,
si gjuhë e veçantë indoevropiane.
Wikipedia