Për disa nga këta terma është bërë përpjekja për të gjetur në gjuhën shqipe, a për të krijuar me mjetet e saj fjalëformuese terma që t'u përgjigjen në mënyrë të njëkuptimshme koncepteve që shprehen nga termat e huaj. Kështu për termin e huaj
presion është
parapëlqyer
trysni para
shtypje (meqë ky i fundit është më i gjerë se
trysni, kurse
trysni paraqitet si i njëvlershëm me
presion), për
kolodok - bosht me bërryla para
bosht motorik (sepse ky i fundit është më i gjerë se
bosht me bërryla, kurse b
osht me bërryla del i njëvlershëm me
kolodok).
Kur shqyrtohen sistemet terminologjike duhen patur parasysh jo vetëm rastet kur cënohen (përzihen) caqet dalluese të koncepteve, por edhe rastet kur sistemet terminologjike
ngarkohen me variante të tjera shprehjesh për të njëjtat koncepte.
Këto variante dysore marrin përhapje të gjerë në letërsinë shkencore-teknike; duke u lidhur njëra me tjetrën ato krijojnë çifte e vargje si: bosht motori-bosht motorik-bosht me bërryla-bosht me qafa-kolodok, trysni - shtypje-presion, plogëti-plogështi-inerci, ndemje-sforcim-tension, kah-sens, etj. Formimet dysore, duke ngarkuar sistemet terminologjike cënojnë marrëdhëniet e njëkuptimshme koncept-term; ato nga ana tjetër pengojnë gjithashtu ngulitjen e konceptit pas një emërtimi të vetëm për të krijuar një njësi të vetme organike. Si rezultat, duke pasur forma të ndryshme, pra veshje të ndryshme, koncepti mbetet kështu i pakristalizuar mirë. Ngulitja e konceptit pas një emërtimi (termi) të vetëm shënon njësimin e plotë të vetë termit. Në këtë rast termi merr vlerën e tij të plotë në sistemin terminologik për të shprehur konceptin me një formë të vetme. Kjo i siguron atij mundësinë për të qenë element i qëndrueshëm i sistemit të vet. Sot në fushat e ndryshme të shkencës kemi një varg termash, të cilët janë emërtime të vetme të koncepteve, siç mund të shihen në shembujt e mëposhtëm:
pambarimisht i vogël, i përafërt, përdredhje, përpjesëtueshmëri, shtjellor, rrotullim, etj.
Dikur krahas tyre janë përdorur infinitizmal, aproksimativ, torsion, proporcionalitet, turbulent, xhiro,etj.
Megjithatë, historia e zhvillimit dhe e kristalizimit të sistemeve terminologjikë tregon gjithashtu se, megjithëse dysorët janë elemente të padëshirueshme dhe bëhen në përgjithësi mbingarkesë për terminologjinë, nga ana tjetër, ata krijojnë kushte për të bërë një punë të gjerë e përzgjedhëse, duke futur në sistemet termat më të përshtatshëm, pra duke rivlerësuar edhe termat brenda sistemit, ashtu edhe ata jashtë tij. Për të bërë këtë punë përzgjedhëse ndihmon në radhë të parë mbështetja tek termi shqip si më i përshtatshëm për të mënjanuar termin e huaj.
Gjatë përdorimit të dysorëve në procesin e përpjekjeve për vendosjen e sistemit krijohen ndërmjet tyre dy lloj kundërvëniesh: a) kundërvënia e termit të ri shqip me termin e huaj të panevojshëm; kjo bën pjesë në punën për pastrimin e terminologjisë nga termat e huaj; b) kundërvënia (konkurrenca) e termit të ri shqip me një term po shqip të mëparshëm (si p.sh. ndemje krahas sforcim, përpjesëtueshmëri krahas përpjesëti). Kjo gjendje çon në përsosjen e terminologjisë, të sistemeve të saj, sepse shpie në saktësimin e termave, në gjetjen e termave më të përshtatshëm e më të qartë. Megjithëkëtë, në fund të fundit, edhe kundërvënia e termit të ri shqip me termin e huaj (rasti a) çon gjithashtu në përsosje, sepse vendosja e termit shqip e bën sistemin terminologjik më homogjen nga pikëpamja e burimit, duke e vënë atë mbi bazën e shqipes.
Në faza të caktuara të zhvillimit të leksikut terminologjik marrëdhëniet barazvlerëse koncept-term mund të mos realizohen në të gjitha pjesët e mikrosistemeve, për shkak të zhvillimit të vetë koncepteve të zbërthimit të tyre të pandërprerë e të lindjes së objekteve e të dukurive të reja, për emërtimin e të cilave nuk gjenden në çdo rast format e përshtatshme gjuhësore. Disa prej tyre mund të emërtohen në forma përshkruese, kurse për disa të tjera përdoren termat ekzistues të ri-kuptimësuar ose në raste të tjera përdoren edhe termat e huaj. Kështu, po të shqyrtohet leksiku terminologjik i fushave të ndryshme, të dhëna në fjalorë terminologjikë, do të ndeshësh në ta edhe terma me vlerën e gjysmëfjalive, të cilat mund të merren më tepër si përkufizime sesa terma të mirëfilltë, si: Vlerë efektive e një madhësie periodike; Parimi i ruajtjes së lëvizjes së qëndresës së rëndesës; Lëvizja e një trupi të ngurtë rrotull një pike të ngulët; Lidhja e një sipërfaqe të lirë me një paret të ngulët; Copa që bien nga tavani, etj.
Megjithatë vlen të theksohet se njësitë e zgjeruara gjuhësore mund të bëhen ndërkohë edhe mjete të rëndësishme për shprehjen e koncepteve, duke u shkurtuar me kalimin e kohës në togfjalësha të thjeshtë, si: frezë në formë disku - frezë diskore, frezë e përgatitur nga një copë - frezë njëcopëshe, e deri në fjalë të përbëra: makinë për thyerjen e gurëve - makinë gurthyese - gurthyese, aparat për pasqyrimin e vajit - vajpasqyrues.
Termat shumëfjalësh të tipave të mësipërm, nga njëra anë i zbërthejnë konceptet në mënyrë të tejdukshme e të qartë, kurse, nga ana tjetër i ngarkojnë sistemet terminologjike, duke bërë të vështirë përdorimin praktik të termave në letërsinë shkencore-teknike, e sidomos në komunikimin gojor. Megjithatë, edhe termat njëfjalësh, për shkak se përmbajnë në vetvete "të keqen" e shumëkuptimësisë, krijojnë një farë pështjellimi në sistemet terminologjike në shprehjen e njëkuptimshme të koncepteve, prandaj përdorimi i njësive terminologjike më të gjera se fjala është një nga rrugët më të frytshme të realizimit të marrëdhënieve barazvlerëse koncept-term. Për këtë arsye njësitë e përbëra terminologjike, e në mënyrë të veçantë kombinimet terminologjike dyfjalëshe, janë bërë sot mjetet kryesore e më të përhapura për ndërtimin e termave shkencorë - teknikë. Këtë mund ta vërejmë pothuajse në çdo fjalor terminologjik, ku mbi 80 për qind të termave e përbëjnë termat togfjalësh.
Ballafaqimi i sistemeve (mikrosistemeve) të koncepteve me sistemet (mikrosistemet) terminologjike merr rëndësi të madhe në punën për pastrimin e terminologjisë nga termat e huaj. Kështu, para se të bëhet përpjekja për të ndërtuar termin shqip, me qëllim që të zëvendësohet prej tij termi i huaj, duhet shqyrtuar termi shqip në sistemin terminologjik, duke e ballafaquar atë me konceptin që mbulon në sistemin e koncepteve. Ky fakt merr vlerë të veçantë metodologjike si për teorinë e përgjithshme terminologjike, ashtu edhe për praktikën e saj, e në mënyrë të veçantë për hartimin e fjalorëve, terminologjikë, për përdorimin dhe zgjedhjen e termave në tekstet mësimore.
Studimi i leksikut terminologjik në rrafshin e lidhjeve ndërmjet koncepteve në sistem kërkon një njohje shumë të thellë të vetë koncepteve, të thelbit shkencor të secilit prej tyre. Për këtë arsye, nga kjo pikëpamje ai nuk mund të jetë objekt i drejtpërdrejtë i gjuhëtarit terminolog, por i specialistit të fushës përkatëse, i cili bën klasifikimin e hollësishëm të koncepteve në klasa e nënklasa të caktuara. Nga ana tjetër, ky studim mund të shihet si hapi i parë i punës. Sigurisht, ndërtimi i këtij sistemi ka bazë logjike, pra, bëhet mbi baza jashtëgjuhësore. Sikur ky studim të përfundonte vetëm deri në këtë cak, d.m.th vetëm nga specialisti i fushës përkatëse, ai do të ishte krejtësisht i cunguar. Pas krijimit të tij, i vjen radha pasqyrimit në rrafshet gjuhësore. Këtu fillon puna e gjuhëtarit terminolog, i cili i sheh lidhjet sistemore nga pikëpamja gjuhësore, nga pikëpamja e krijimit të vargjeve leksikore-fjalëformuese. Kjo, pra, është edhe pika e takimit të përbashkët dhe vija e bashkëpunimit të plotë të specialistit dhe e gjuhëtarit terminolog. Gjatë studimit të terminologjive nga ana e lidhjeve ndërmjet elementeve përbërëse të termave mund të vërehen një varg veçorish e të vendosen ligjësori të caktuara, të cilat ndihmojnë për ta çuar më përpara punën për përsosjen e termave, për gjetjen e rrugëve më të përshtatshme të ndërtimit të tyre. Por, megjithatë, edhe në këtë rast, si para specialistit, ashtu edhe para gjuhëtarit terminolog qëndron kjo detyrë kryesore: si i përgjigjen këta terma koncepteve, pra, si i transmetojnë dijenitë, si përvetësohen ato nga bartësit e gjuhës?
Këto janë pikërisht problemet e përbashkëta të specialistit dhe të gjuhëtarit, secili nga të cilët mbetet i mangët në punën e vet, në qoftë se kufizohet secili brenda fushës së vet. Të dy së bashku ata shndërrojnë "grumbujt" e termave të një fushe të caktuar në një sistem të organizuar dhe brenda tij shikojnë të gjithë llojet e mundshme e vartësitë e ndërsjella, duke nxjerrë prej andej përfundime përkatëse për ta çuar gjithnjë më përpara teorinë e praktikën terminologjike.
Deri më sot janë hartuar një varg fjalorësh terminologjikë, të cilët janë ndërtuar në bazë të kritereve të caktuara shkencore, megjithatë kushtet e reja të zhvillimit të vrullshëm të shkencës e të teknikës kërkojnë rivlerësimin e herëpashershëm të vetë termave të krijuar, duke i vështruar ata në rrafshin e përgjithshëm të zhvillimit të koncepteve, të sistemeve të tyre, si edhe në rrafshin e fjalëformimit dhe të lidhjeve të termave në vargje leksikore-fjalëformuese. Shqyrtimi i termave në sistem lidhet në këtë mënyrë me shtimin e termave të rinj, të cilët hyjnë në termat ekzistuese në lidhje të reja. Prej këtej del detyra që para se të ndërtohet një fjalor terminologjik, duhen vështruar termat ekzistues brenda lidhjeve sistemore me njëri-tjetrin, "duke u nisur nga fusha sa më të ngushta e sipas lidhjeve që ekzistojnë ndërmjet koncepteve". Kjo punë kohët e fundit po shkon gjithnjë duke u thelluar gjatë hartimit të fjalorëve të ndryshëm terminologjikë, si ai i mjekësisë, i ekonomisë, i mekanikës, etj.
Lidhur me terminologjinë e mekanikës, sjellim si shembull konceptin "
frezë", i cili shihet i lidhur në marrëdhëniet gjini-lloj: frezë -
frezë ballore (
frezë ballore dhëmbëtrashë, frezë ballore dhëmbëhollë), frezë cilindrike - (frezë cilindrike dhëmbëhollë - frezë cilindrike dhëmbëtrashë), frezë fundore – frezë diskore - (frezë diskore dhëmbëzuese - frezë diskore prerëse); të së tërës dhe pjesës:
trup freze - dhëmb freze - teh prerës - hap dhëmbi...;
të lidhjeve të tjera funksionale: frezim kanali - zhveshje dhëmbi, etj.,
Gjendja e sotme e zhvillimit të leksikut terminologjik dhe lënda e pasur që mund të grumbullohet nga letërsia shkencore-teknike, nga fjalorët e shumtë terminologjikë si edhe nga përdorimi i termave në ligjërimin gojor, krijojnë të gjitha mundësitë që të thellohet më tej puna e rregullimit, e shqipërimit dhe e njësimit të çdo terminologjie mbi baza sa më shkencore. Për ta realizuar me sukses këtë detyrë ndihmojnë edhe një varg veçorish që ka fituar leksiku terminologjik dhe në përgjithësi gjuha e shkencës dhe e teknikës.
Një nga veçoritë e sistemit në terminologji është krijimi i vargjeve fjalëformuese shqipe, të cilat, duke u lidhur me njëra-tjetrën u kundërvihen vargjeve të huaja, duke mënjanuar kështu në caqet e sistemit trysninë e termave të huaj. Kjo mund të vërehet në ballafaqimet e vargjeve shqipe e të huaja përthith-përthithje-përthithës, përforcoj-përforcim-përforcues, nga njëra anë dhe absorboj-absorbim-absorbues, amplifikoj-amplifikim-amplifikator, nga ana tjetër.
Në shumicën e rasteve krijimi i vargjeve terminologjikë bëhet edhe me klasa fjalësh. Mund të përmendet aktivizimi i fjalëve
një, shumë, vaj, ujë, etj, në përbërje të termave të përbëra
: njëkëndësh - njështresësh - njëfazësh, vajsjellës - vajmbledhës - vajheqës, ujësjellës - ujëmbledhës - ujëheqës.
Në raste të caktuara krijohen vargje me grupe përpjesëtimore, në bazë të të cilave qëndrojnë specializimet e mjeteve të shprehjes, si:
përkul - i përkulshëm - përkulshmëri / përpunoj - i përpunueshëm - përpunueshmëri / shkrij - i shkrirshëm - shkrirshmëri.
Në thellimin e mëtejshëm të këtij procesi ndikon edhe krijimi i një farë simetrie në mjetet leksikore-fjalëformuese të shprehjes, si bazë e së cilës shërben struktura simetrike e vetë koncepteve si: i njëanshëm - i dyanshëm - i shumanshëm / njëkëndësh - dykëndësh - shumëkëndësh / njëfazësh - dyfazësh - shumëfazësh / njështresësh - dyshtresësh - shumështresësh.
Në kristalizimin dhe diferencimin më të saktë të sistemeve të koncepteve si edhe në vetë përsosjen e sistemeve terminologjike po çon futja në masë në to e termave shqip, të cilët i bëjnë sistemet terminologjike më homogjene, sistemet e koncepteve i bëjnë më të tejdukshme e më të kapshme për bartësit e gjuhës shkencore-teknike e në përgjithësi për çdo shqipfolës. Shkalla e kuptueshmërisë së termave dhe lehtësia e përvetësimit të tyre nga masa e gjerë shqipfolëse lidhen edhe me përfshirjen e termave të huaj në rrethin e mjeteve të fjalëformimit të gjuhës shqipe, si: paralel - joparalel -joparalelësi, polar - polarësi - jopolarësi, kristal - kristalor -njëkristalor, metal - jometal - metalor.
Siç del nga shembujt e dhënë, fjala shqipe e bën sistemin jo vetëm më të kuptueshëm, por edhe më të lidhur e më të motivueshëm. Kjo ide mund të përforcohet më tej me termat shqip
trysni dhe
përmasë, që lidhen me
trys - i trysur - trysës, masë - mat - bashkëmat - i bashkëmatshëm, etj.
Vështrimi i leksikut terminologjik brenda lidhjeve sistemore jep mundësi që secili term të zërë vendin e duhur në sistem, në përputhje me konceptin përkatës, kurse, nga ana tjetër, krijon kushtet për të zgjedhur termat më të përpiktë ndërmjet dysorëve, duke përjashtuar termat e papërshtatshëm, si edhe për të gjetur a ndërtuar termat më të drejtë në vend të termave të huaj, kur këta nxirren jashtë gjuhës. Nëpërmjet kësaj praktike terminologjike arrihet të mënjanohet më shpejt gjendja shumëformëshe e shumëvariantëshe e leksikut terminologjik, e cila pasqyrohet si në letërsinë shkencore-teknike, ashtu edhe në të folur, sepse, siç dihet, terminologjia shkencore-teknike, me gjithë punën e madhe që po bëhet për rregullimin, shqipërimin e mësimin e saj, është pjesa e leksikut të gjuhës shqipe më e ngarkuar me terma të huaj e me variante të shumta terminologjikë.
Kjo është edhe një nga detyrat më themelore të teorisë e të praktikës terminologjike për të tashmen e të ardhmen e zhvillimit të tyre.
Agron DURO
“TERMINOLOGJIA SI SISTEM”