Welcome to
  LoginServices | About Albania | Career | Translation Articles | Contact Us
Bullet  Home

Bullet  Services

Bullet  About Albania

Bullet  Resources

Bullet  FAQ

Bullet  Contact Us





A collection of Albanian Grammar e-books


 
SHQIPËRIMI I TERMINOLOGJISË NË KOHËN TONË
Posted on Saturday, October 27 @ 01:37:54 EDT
Topic: Albanian articles

TranslationLocalizationInterpretationDTP & Printing


 
 

Çështjet e shqipërimit të terminologjisë përgjithësisht janë vështruar prej kohësh dhe jo rrallë vijojnë të vështrohen deri në ditët e sotme brenda rrethit të asaj problematike të gjerë, në të cilën trajtohet gjithë leksiku i shqipes. Kjo ka bërë që mjaft çështje të shqipërimit të terminologjisë të shqyrtohen nga një këndvështrim i gjerë e i palidhur ngushtësisht me veçoritë specifike të këtij leksiku të veçantë, që shërben për shprehjen e koncepteve shkencore-teknike dhe për diferencimin e tyre nga njëri-tjetri me kufij të prerë e të përcaktuar qartë.



Kur flitet për problemet e shqipërimit të leksikut të gjuhës letrare shqipe gjithnjë nënkuptohen dy detyra të rëndësishme që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me këtë proces e që "lidhen gjithnjë bashkë": pastrimi i tij nga lënda e huaj e panevojshme dhe pasurimi me njësi të reja nga brumi leksikor i shqipes dhe me mjetet e saj fjalëformuese. Nga kjo pikëpamje, në një kuptim të gjerë e të përgjithshëm, mund të shihet edhe leksiku terminologjik, i cili si pjesë e leksikut të gjuhës letrare karakterizohet nga mjaft dukuri të përbashkëta me të si dhe i nënshtrohet ndryshimeve me reflekse e rezultate të njëjta.

Megjithatë konceptimi i procesit të shqipërimit në terminologji si pastrim dhe pasurim i leksikut të gjuhës është përgjithësisht i përligjur, kur një njësi terminologjike e shqipëruar shihet si njësi e mbarë leksikut të gjuhës. Në rast të kundërt, kur ajo merret si njësi e veçuar, e përdorur në terminologji të caktuar, me përmbajtjen e saj mbush një boshllëk që krijohet nga nxjerrja e një shenje tjetër me po të njëjtën përmbajtje. Kështu, p.sh., mund të sillnim si shembull termat shqip bërthamë (në fiz.) dhe trekëndëzim (gjeod.) në vend të nukël dhe triangulacion; nxjerrja e termave të huaj dhe futja e termave të shqipëruar këtu bëhen në përpjesëtime të barabarta brenda të njëjtës përmbajtje dhe gjithë akti i shqipërimit, vështruar në caqet e kësaj pjese të veçantë të leksikut, s'ka të bëjë drejtpërdrejt me pasurimin e saj.

Procesi i shqipërimit në terminologji lidhet me një varg veçorish që vihen re në këtë proces edhe në gjuhën e përgjithshme, sepse njësitë leksikore të këtyre dy pjesëve depërtojnë tek njeri-tjetri dhe veçoritë e njërës ndikojnë edhe mbi tjetrën. Megjithatë, duke u nisur nga fakti se këto dy pjesë kanë veçoritë e tyre, atëherë edhe karakteri i procesit të shqipërimit dhe reflekset e tij në terminologji varen e kushtëzohen nga këto veçori. Kështu, p.sh. mund të vërehet se, ndonëse dalja e një termi të huaj prej gjuhe ngadalësohet prej një varg faktorësh, në gjuhën e përgjithshme dalja e një fjale të huaj (jo-term) kryhet shumë ngadalë dhe ky ngadalësim merr trajtën e një procesi kaq pafundësisht të vogël, saqë jo gjithnjë mund të çojë në zhdukjen përfundimtare të fjalës së huaj prej gjuhe.

Në terminologji, njësia e huaj e zëvendësuar me një fjalë shqipe, nuk bashkëjeton ose, më mirë, nuk duhet të bashkëjetojë gjatë me të, sepse kjo bashkëjetesë do ta ngarkonte gjuhën e shkencës dhe të teknikës me një element të tepërt të panevojshëm. Përdorimi për një kohë të gjatë i këtij elementi të vjetër krahas me të riun, krijon vështirësi në zbulimin e përmbajtjes së termit dhe errëson marrëdhëniet e njëkuptimshme koncept-term.

Në terminologji, ndryshe nga gjuha e përgjithshme kërkohet që të ruhen përpjesëtime të rregullta në sasinë e njëjtë të termave dhe të koncepteve në çdo sistem terminologjik brenda një fushe të caktuar të dijes, prandaj edhe shqipërimi në të i njësive të caktuara në çdo rast konkret, duhet të konceptohet si akt i menjëhershëm i heqjes së njësisë së vjetër dhe i futjes së njësisë së re, i fjalës amtare të ngritur në term ose të krijuar si e re. Megjithatë, pavarësisht nga kjo, ky parim nuk gjen në përgjithësi zbatim në praktikën ligjërimore dhe jo rrallë ndodh që, duam ose nuk duam ne, për një kohë relativisht të gjatë ose të shkurtër, të bashkëjetojë termi i vjetër (i huaj) me termin e ri (shqip).
Sigurisht këtu rezultatet e shqipërimit mund të jenë nga më të ndryshmet dhe nga më të çuditshmet dhe shkaqet e këtyre zhvillimeve spontane mund të jenë gjithashtu nga më të ndryshmet: të mirëfillta gjuhësore, psikologjike, sociale, etj.
Mund të ndodhë, p.sh., që një term i huaj fillon të dalë nga përdorimi dhe të përdoret termi shqip në vend të tij, kurse më vonë bartësit e gjuhës speciale (specialistë ose jo-specialistë) t'i kthehen termit të vjetër të huaj. Më vonë mund të jetë krijuar (ose gjetur) një term tjetër i ri, kurse pas një farë kohe mund të jetë rifutur termi i mëparshëm shqip.
Kështu, p.sh., këtë rrugë të çuditshme, i veshur në mënyra të ndryshme, ka bërë koncepti i përkufizuar si "forcë e ushtruar në njësinë e sipërfaqes". Në fillim për këtë koncept është përdorur termi i huaj presion, kurse në vitet '40 është futur trysni. Më vonë është futur përsëri presion, kurse në vitet 60-70 në librat e fizikës së shkollës së mesme është përdorur shtypje. Kohët e fundit pas viteve 80-të po përdoret gjerësisht përsëri trysni. Madje ky term po zë vend edhe në tekstet mësimore të shkollave të larta, ku termat e shqipëruar janë më të pakët. Duhet theksuar gjithashtu se ky term po përdoret edhe në shtypin periodik, shkencor, dhe rrallë si fjalë e zakonshme edhe në të folur (të paktën ndërmjet njerëzve të inteligjencës, si në kuptimin e drejtpërdrejtë special, ashtu edhe në atë jospecial).

Procesi i shqipërimit në terminologji, i parë si pastrim dhe ruajtja e vëllimit të saj në nivelin e përpjesëtimeve të rregullta koncept-term ka të bëjë më shumë me përmbajtjen e njësisë që hiqet e të tjetrës që futet në të, sesa me formën e njësisë si shenjë leksikore ose, më saktë, me përparësinë e përmbajtjes para formës. Si veçanti më themelore duhet theksuar se, ndërsa shprehja e kuptimit të një fjale të huaj në gjuhën e përgjithshme mund të varijohet me një varg sinonimik fjalësh shqipe me vlerë relative, sidomos kur kuptimi i fjalës së huaj është më i gjerë se secili kuptim i fjalës amtare, si p.sh., safi - i pastër - i thjeshtë - i kulluar; taze - i freskët - i njomë;  i proshkët - i ngrohtë, në terminologji koncepti i shprehur nga termi i huaj kërkohet të jepet në gjuhën shqipe vetëm me një shenjë ose sinonimet e lidhura me të duhet të jenë absolute si p.sh.. përmasë - dimension, trysni-presion, ose ndemje - sforcim - tension (në mek.). Kjo do të thotë se në nivelin e përmbajtjes me anën e shenjave do ruajtur një njëkuptimësi e plotë dhe identifikimi i formës vihet kështu në funksion të dallimit (identifikimit) të konceptit, i cili duhet të diferencohet edhe brenda një shenje që mund të jetë e ngarkuar me dy a më shumë koncepte. Në këtë rast shenja duhet pranuar si homonim për çdo koncept ndryshe shkelet parimi i njëkuptimësisë. Fjala shqipe këtu e ngritur në term ose duhet t'i përgjigjet termit të huaj me formën homonimike (si p.sh., tirant = tërheqës1 "shufër tendosëse" dhe tjagaç=tërheqës2 "automjet tërheqës") ose për dy konceptet do të kërkohen dy shenja të ndryshme, nga të cilët një mund të jetë term shqip i futur si i ri p.sh., tension1 (el.) dhe tension2 (mek.) = tension1 (el.) dhe ndemje (mek.). Kjo rrethanë lidhur me identifikimin e përpiktë të konceptit nëpërmjet shenjës, edhe kur ajo është e ngarkuar me më shumë se një koncept, i jep problemit të shqipërimit të terminologjisë një

karakter specifik në krahasim me leksikun e përgjithshëm, sepse në të merr përparësi përcaktimi i kufijve të koncepteve në mënyrë të qartë e të prerë si brenda një shenje, ashtu edhe ndërmjet shenjave të ndryshme. Këtu mund të sillen si shembuj rastet e mundësisë së përdorimit të dy shenjave në gjuhën e përgjithshme dhe në terminologji, kufijtë kuptimore të të cilave mund të përzihen.
Kështu p.sh., në gjuhën e përgjithshme fjala qëndrueshmëri mund të përdoret në vend të qëndresë në kuptimin "vetia për të përballuar diçka", kurse në terminologji këto dy shenja si terma, ndonëse të afërta nga forma e jashtme, duhet të përdoren për të shprehur dy koncepte të dallueshëm qartë njëri nga tjetri. Si të tillë ata kanë filluar të përdoren për zëvendësimin e dy termave të huaj rezistencë (=qëndresë) dhe stabilitet (=qëndrueshmëri).

Shqyrtimi i problemit të shqipërimit të termit në terminologji nga pikëpamja e përparësisë së përmbajtjes para formës duhet parë në lidhje të ngushtë edhe me gjendjen, në të cilën ndodhet terminologjia në etapa të caktuara të zhvillimit të saj, si edhe në nivelin e zhvillimit të sotëm. Kështu p.sh., ngritja e terminologjive të fushave të ndryshme të dijes në një nivel të lartë sasior dhe cilësor nën ndikimin e zhvillimit sasior dhe cilësor të sistemeve të koncepteve të fushave përkatëse të shkencës dhe të teknologjisë ka çuar në thellimin e procesit të mëvetësishëm të sistemeve të termave dhe të koncepteve përkatëse sipas diferencimit të fushave të dijes në fusha më të ngushta me kufi më të përcaktuar e të prerë nga njëra-tjetra. Kjo i ka dhënë procesit të shqipërimit të termave një karakter edhe më të ndryshëm nga ai i fjalëve të zakonshme, sepse me diferencimin e fushave të dijes të njëjtët terma, sipas koncepteve pak a shumë të diferencuara në secilën fushë, bëjnë një jetë disi të pavarur dhe kjo sjell që ata të futen në një rrjet të ndërlikuar lidhjesh leksiko-sintaksore njëri me tjetrin, çka pasqyrohet në mënyra të ndryshme në punën për shqipërimin e tyre si p.sh., kokë motori (mek.) për testato dhe kokë korrëse (bujq.) për heder dhe krahas tyre në fusha të ndryshme: kokë prerëse (mek.) kokë ndarëse (mek.) për divizor, kokë shpuese, kokë e përparme (e tornos) (mek.) etj.

Historia e proceseve të shqipërimit të terminologjisë shqipe dhe rezultatet e arritura deri më sot në këtë fushë dëshmojnë se ky problem në përgjithësi është zgjidhur drejt, por në raste të veçanta zgjidhjet kanë qenë të njëanshme e të pasuksesshme, për arsye se nuk janë pasur parasysh veçoritë e terminologjisë; ky proces, i udhëhequr kryesisht nga gjuhëtarët, është bazuar po mbi ato parime dhe kritere, mbi të cilat është mbështetur puna për shqipërimin e leksikut të përgjithshëm. Duke i vënë termat jo rrallë në një nivel me fjalët e zakonshme, shqipërimi i një varg termash prej tyre është bërë në mënyrë të njëanshme dhe po për këtë arsye këto shqipërime nuk kanë gjetur përdorim, ndonëse janë pasqyruar nëpër fjalorë terminologjikë, si barazim për ekuacion (mat), thartor për acid (kim.), rikumbim për rezonancë (fiz.), thëngjill për karbon, veçim për izolim; (elekt.), pritë për digë (hidraul.) etj.

Për t'i trajtuar sa më objektivisht dhe mbi baza të shëndosha shkencore problemet e shqipërimit të terminologjisë dhe për të mbajtur qëndrim sa më të drejtë ndaj termave të huaj, si, edhe për të gjetur zgjidhjet më të përshtatshme që t'i qëndrojnë kohës, duhet t'i shqyrtojmë ato në dritën e tërë veçorive të saj, si edhe të faktorëve që e veçojnë atë si një objekt me problematikë speciale dhe si fushë më vete.

Në mënyrë të përmbledhur do të veçonim gjashtë grupe faktorësh më të rëndësishëm që lidhen drejtpërdrejt me problemet e shqipërimit të terminologjisë shqipe:

1) Faktorët brendaterminologjikë si faktorë të veçantë gjuhësorë;
2) Faktorët jashtëterminologjikë si faktorë të përgjithshëm gjuhësorë;
3) Faktorët ndërterminologjikë si faktorë ndërgjuhësorë;
4) Faktorët historikë;
5) Faktorët social-politikë;
6) Faktorët organizativo-planifikues.

1.         Faktorët brendaterminologjikë si faktorë të veçantë gjuhësorë lidhen drejtpërdrejt me zhvillimin dykahësh të leksikut terminologjik: nga njëra anë, si integrim i terminologjive të veçanta në njëra-tjetrën, çka pasqyrohet në përdorimin e një termi në disa fusha me kuptime të njëjta ose pak a shumë të ndryshuara, kurse, nga ana tjetër, si mëvetësim i çdo terminologjie me fond të veçantë termash për çdo fushë të dijes. Kahu i dytë i zhvillimit të terminologjisë ka të bëjë me zhvillimin e sistemeve të koncepteve dhe të termave përkatës të secilës fushë të dijes në mënyrë të diferencuar e të mëvetësuar njëra nga tjetra. Në vijë të këtij kahu duhet shqyrtuar së pari një term i huaj që mund të bëhet objekt shqipërimi, duke e parë atë nga vendi që zë në sistemin e termave të fushës së vet dhe pastaj të ballafaqohet me elementet e tjera brenda sistemit tërësor të leksikut terminologjik. Brenda këtyre caqeve të ngushta e të gjera mund të rroket gjithë diapazoni konceptor që zotëron e mbulon termi i huaj si edhe termi shqip, kur ky i fundit përdoret ose propozohet të futet në vend të termit të huaj. Brenda këtyre lidhjeve mund të zbulohen më lehtë mangësitë e termave të shqipëruar dhe mund të përcaktohen qëndrimet më të drejta për termat e përshtatshëm ose të papërshtatshëm. Kështu p.sh. termi i huaj aks, i shqyrtuar brenda lidhjeve, me të cilat hyn në sistemet terminologjike të shkencave teorike, si matematikë, gjeometri etj., mund të pranohet si i zëvendësueshëm nga fjala shqipe bosht (aks si "vijë imagjinare..." bosht), mirëpo kur termi i huaj aks ballafaqohet me sisteme të tjera terminologjike, si p.sh. në fushën e mekanikës, mund të vërehet se fjala aks këtu nuk mund të zëvendësohet me bosht, meqë termi shqip bosht në këtë fushë ka tjetër kuptim "detal që rrotullon pjesët e makinës ...". Pra, futja e fjalës shqipe bosht në terminologjinë e mekanikës do të krijonte pështjellim në diferencimin në të të koncepteve të ndryshme të shprehura tashmë vetëm nga një shenjë bosht. Pas këtij shqyrtimi ballafaques del e nevojshme që, për hir të rregullimit të këtyre sistemeve terminologjike, të rivlerësohen termat përkatës: ose të rifutet termi aks në terminologjinë e matematikës ose për të të gjendet ose të krijohet një shenjë tjetër, kurse termi bosht t'i lihet terminologjisë së mekanikës me kuptimin përkatës. Po kështu mund të arsyetohet për termin shqip qendërzim, i cili nuk mund të zëvendësojë termin e huaj centralizim (ekon.), meqë termi shqip qendërzim është futur paraprakisht për konceptin e shprehur në mekanikë nga termi i huaj centrim. Pra, në këtë rast ose duhet lënë pa u shqipëruar termi centralizim, siç është dhënë kjo zgjidhje në "Fjalorin e gjuhës shqipe" (1980) ose duhet gjetur e krijuar për të një shenjë e re, si p.sh. qendrorizim ose ndonjë tjetër.
Rasti më tipik, si më i papërligjur është ai i fjalës shqipe gërryerje, e cila është përdorur për tre terma të huaj: abrazion, korrozion dhe erozion.
Kështu në "Fjalorin e termave të gjeologjisë" me gërryerje zëvendësohet termi i huaj abrazion, kurse në "Fjalorin e gjeologjisë", të botuar disa vite më vonë, me termin shqip gërryerje zëvendësohet erozion; po këtu termi i huaj abrazion zëvendësohet me gërryerje syprinore. Në librin "Gërryerja e metaleve", fjala gërryerje përdoret në vend të termit të huaj korrozion. Futja e termit shqip gërryerje në mënyrë arbitrare e spontane në disa fusha për koncepte të ndryshme dëshmon se në çfarë shkalle nuk janë marrë parasysh vlerat e termave të huaj krahasuar me ato të fjalës shqipe në çdo sistem të marrë veças dhe në lidhje njëri me tjetrin.


2.         Faktorët jashtëterminologjikë si faktorë të përgjithshëm gjuhësorë e vënë terminologjinë që bëhet objekt shqipërimi në lidhje me sistemin e leksikut të përgjithshëm, ku termi bën tashmë jetën e tij më në thellësi të gjuhës, integruar në leksikun tërësor të gjuhës. Sipas nevojës termi i huaj bashkëjeton me fjalët e leksikut të përgjithshëm ose me kuptimin e vet në nivelin e një koncepti të thjeshtësuar, siç përdoren në gjuhën e përgjithshme termat traktor, makinë, ose si fjalë e zakonshme me kuptim të shterminologjizuar si ingranazh (i burokracisë), inerci, gangrenë, etj.
Në këtë rast shenja e huaj edhe si term i përdorur në gjuhën e përgjithshme me kuptimin e vet (traktor), edhe si njësi e shterminologjizuar (ingranazh) duhet vlerësuar në caqet e këtyre tre niveleve:
a. Si term me kuptimin e vet të pandryshuar;
b. Si njësi e shterminologjizuar;
c. Si njësi e integruar në sistemin fjalësor të gjuhës.
Nga pikëpamja e mundësisë së termave të huaj për t'u shqipëruar ose jo për të tre këto nivele paraqiten tri zgjidhje: a) Termi i huaj, i përdorur dendur dhe për një kohë të gjatë, është vështirë të nxirret prej gjuhe; b) Termat me kuptime mjaft specifike si kamerdare, koperton mund të dalin gjithashtu me vështirësi; c) Termat me kuptime të gjera e më të përgjithshme mund të hiqen më lehtë sesa termat me kuptime më të ngushta, sidomos kur kanë edhe dysorët gjegjës, si fenomen (dukuri), dimension (përmasë), aprovim (miratim), konditë (kusht) etj. Megjithatë duhet nënvizuar se përdorimi i tyre i shpeshtë në të folur dhe në të shkruar, sidomos këto vitet e fundit, lidhet edhe me shkaqe sociale të përkohshme, e në mënyrë të veçantë me një farë qëndrimi kozmopolit ndaj fjalëve të huaja. Këtë e dëshmon përdorimi i tyre i shpeshtë kohët e fundit në shtypin periodik, në diskutimet në parlament etj. Megjithatë nxjerrja e tyre prej gjuhës është plotësisht e mundshme, meqë përdorimi i tyre ka shkaqe subjektive. Këtë e vërteton fakti se disa vite më parë, në mesin e viteve 80-të, gjegjëset e tyre shqipe si dukuri për fenomen, përmasë, për dimension, kusht për konditë filluan të përdoren më shpesh në të shkruar dhe në të folur se fjalët e huaja dhe kjo rrethanë krijoi truallin për futjen e tyre në gjuhë dhe nxjerrjen e fjalëve të huaja. Mirëpo, më vonë, me vërshimin e fjalëve të huaja në gjuhën shqipe, sidomos në shtypin periodik, në mjetet e komunikimit masiv filloi edhe përdorimi më i rrallë i fjalive shqipe të mësipërme, e të tjera si ato. Kjo do të thotë se ato do të rifuten njësoj si më parë dhe do të nxjerrin jashtë gjuhe fjalët e huaja. Një vend më vete zënë termat e integruar në sistemin fjalëformues të gjuhës. Këta terma, duke fituar aftësi fjalëformuese rrënjosen më lehtë në gjuhë dhe për këtë është vështirë të shqipërohen, sidomos kur krijojnë vargje fjalëformuese homogjene dhe të qëndrueshme, si: frezë – frezoj – frezim – frezues dhe makinë frezuese ose edhe kur futen në lidhje të caktuara, si p.sh., antonimike e fjalëformuese njëkohësisht si: stakoj – stakim-i, stakuar – stakues-i, dhe takoj – takim-i – takuar – takues etj.

3.         Faktorët ndërterminologjikë (ndërgjuhësorë) veprojnë si faktorë të jashtëm me vlera universale, sepse lidhen me karakterin ndërkombëtar (gjithënjerëzor) të koncepteve, të cilat strukturohen në sisteme kompakte unike për çdo fushë të dijes, ndonëse mjetet e shprehjes së tyre (termat) janë të ndryshme për çdo gjuhë të veçantë. Si rrjedhojë çdo sistemi konceptor të secilës fushë të dijes, i përbashkët (unik) për secilën gjuhë, duhet t'i përgjigjet edhe sistemi terminologjik në gjuhën përkatëse. Kjo bën të mundur që termi para se të shqyrtohet si objekt shqipërimi, të vështrohet si shprehës i një koncepti të një sistemi unik ndërkombëtar konceptesh të një fushe të caktuar të dijes, të pranuar nga ai komision ndërkombëtar që e ka standardizuar këtë sistem konceptesh dhe termash në gjuhët evropiane që shërbejnë si model standardizimi (angl., fr., gjer., rus.). Në suazën e këtyre sistemeve ndërkombëtare terminologjike mund të zgjidhet pak a shumë edhe problemi i termave që duhen pranuar si ndërkombëtare si edhe mund të përcaktohet vendi i tyre në këtë sistem. Prandaj duke u mbështetur në këto sisteme të njësuara termash në rrafsh ndërkombëtar bëhet i mundshëm të zgjidhet më drejt edhe problemi që duhet mbajtur ndaj termave të huaj në gjuhën shqipe, sigurisht ndaj atyre termave të huaj për të cilët gjendet zgjidhja e gatshme në çdo sistem të dhënë. Kështu, duke ballafaquar disa nga sistemet terminologjike ndërkombëtare të atyre fushave të dijes që janë standardizuar me disa të tilla në gjuhën shqipe, mund të rivlerësohen në terminologjitë e gjuhës shqipe një varg termash të huaj, të cilët janë shqipëruar dikur si absorbim me përthithje, abrazion me gërryerje, korrozion me brejtje, por që paraqiten me formë të njëjtë në 30 - 40 gjuhë të standardizuara në disa nga sistemet terminologjike të tyre si korozia (rus.), korrosion (sp.), korozis (lit.), korrosion (dan.), korrosio (fin.), korozë (çek.) etj. Po kështu mund të thuhet për absorbim, adsorbim, abrazion, erozion, filtër, distilacion, dispersion. etj., të cilat shkruhen e tingëllojnë afërsisht njësoj në terminologjitë e standardizuara. Ky ballafaqim ndërterminologjik zgjidh kështu apriori qëndrimin që duhet mbajtur ndaj kësaj kategorie termash të huaj, duke përshtatur sipas rregullave fonetike të shqipes vetëm formën e jashtme, e duke lënë të paprekur formën rrënjore ose temore, si: korrodim për korrozion, absorbim për absorbcion etj.


4.         Faktorët historikë lidhen me gjendjen e krijuar nga zhvillimi i çdo terminologjie në kohë, secila nga të cilat kristalizohet dhe formësohet si një sistem i veçantë termash në përputhje me sistemin përkatës të koncepteve dhe me veçoritë e saj si terminologji e një fushe të veçantë të dijes. Faktorët historikë kushtëzojnë qëndrimet e ndryshme që mbahen ndaj leksikut terminologjik në faza të ndryshme të zhvillimit të tij. Kështu nga kjo pikëpamje kanë qenë kushtëzuar nga nevojat e brendshme të terminologjive që po kristalizoheshin dhe po formësoheshin gradualisht përpjekjet e rilindësve për ta përqendruar punën shqipëruese në terminologji në termat e shkencave bazë. Mosmbështetja e tyre hera-herës në faktorët jashtëterminologjikë dhe mospasja parasysh e veçorive të leksikut terminologjik si leksik special ka çuar edhe në shqipërime të tepruara e të papërligjura. Megjithatë përqendrimi i punës shqipëruese në termat e shkencave bazë qe plotësisht i përligjur, sepse ato do të shërbenin si themel për të gjithë punën shqipëruese të mëvonshme, në fazat e mëtejshme të saj. Kjo punë më vonë u shpërnda edhe në termat më specialë dhe në këtë mënyrë puna shqipëruese në terminologji, duke kaluar nga baza në periferi, u shpërqendrua dhe u copëzua. Edhe shqipëruesit më të shquar si A. Xhuvani, M. Logoreci etj., patën më tepër rezultate në shqipërimin e termave të përgjithshëm, sepse termat specialë do të kërkonin bashkërendim të madh të shumë forcave shkencore të përbëra nga specialistë, terminologë e gjuhëtarë, çka s'ka qenë e mundur të kryhej si duhej. Kjo punë nuk u krye si duhej edhe më vonë kur u krijuan kushtet më të përshtatshme, sepse, siç e kemi theksuar edhe më sipër, kënd-vështrimi për terminologjinë ishte i përgjithshëm.


5.         Faktorët socialë e politikë veprojnë në një rrafsh mjaft të gjerë dhe lidhen me synimet që i vë vetes shoqëria për ta përsosur dhe ngritur gjuhën e shkencës dhe të teknikës në nivelin e kërkesave të kohës. Në përgjithësi terminologjia kushtëzohet e ndikohet më lehtë nga kushtet social-politike, prandaj edhe veprimtaria në këtë fushë, sidomos gjatë viteve të sundimit totalitar në vendin tonë, është karakterizuar nga puna e mbyllur dhe e palidhur me veprimtaritë terminologjike në nivel ndërkombëtar. Moslidhja me botën, mungesa e specializimit të kuadrit në këtë fushë kanë ndikuar negativisht më shumë se në çdo degë tjetër të shkencave gjuhësore, sepse terminologjia si fushë e dijes, që lidhet në mënyrë të dyfishtë, nga njëra anë me gjuhësinë, kurse, nga ana tjetër, me secilën fushë të shkencës dhe të teknologjisë, të cilave ajo u shërben, mund të shfrytëzojë gjatë përpunimit të saj metodat e shkencave moderne, si ato të shkencës së informacionit, të informatikës, etj. Në këtë mënyrë ajo mund të vihet plotësisht në shërbim të tyre e të gjithë shoqërisë. Ndërtimi i një politike gjuhësore mbi baza të shëndosha shkencore në kohën e sotme do t'i japë një shtytje të madhe përpara gjithë veprimtarisë terminologjike në vendin tonë, duke e lidhur atë më organikisht me detyrat e ekonomisë së tregut. Në suazën e këtyre detyrave mund të shihen nga një këndvështrim i ri edhe zgjidhja e mjaft problemeve të fushës të terminologjisë e ndërmjet të tjerash, edhe kompleksi i çështjeve të shqipërimit të saj.

6.         Faktorët organizativo-planifikues janë rrjedhim logjik i ndikimit mbi to të faktorëve socialë e politikë, të politikës gjuhësore në fushën e terminologjisë si një veprimtari praktike shoqërore, ku puna e organizuar dhe e planifikuar nga ana e organizmave që merren me të zë një vend të rëndësishëm. Në terminologji më shumë se në çdo fushë tjetër të gjuhës ndihet më i domosdoshëm ndikimi i ndërgjegjshëm i shoqërisë mbi të për ta rregulluar dhe njësuar në bazë të rregullimit e të njësimit të sistemeve të koncepteve të fushave përkatëse në rrafsh kombëtar e ndërkombëtar. Në këtë kuptim ajo konceptohet si një objekt i veprimtarisë teorike dhe praktike të organizmave të specializuar. Ky objekt trajtohet mbi bazën e parimeve e të metodave të caktuara për përpunimin dhe nxjerrjen e një produkti shoqëror, që shërben për komunikimin në shkencë, teknologji dhe prodhim, për përvetësimin e bartjen e rezultateve të tyre. Si mjete të tilla sot shërbejnë gjerësisht në botë bankat e të dhënave terminologjike (të ndërtuara mbi bazën e pajisjeve të sofistikuara, kompjuterëve), fjalorëve terminologjikë njëgjuhësh e shumëgjuhësh etj. Detyrat e sotme që shtrohen para terminologjisë bëjnë të domosdoshëm ngritjen e planifikimit terminologjik në nivelin e kërkesave të kohës, të integruar me punën që kryhet nga qendrat terminologjike në botë. Kjo kërkon një organizim krejtësisht të ri në të gjithë veprimtarinë terminologjike që kryhet në vendin tonë në përputhje me standardet botërore. Si domosdoshmëri e parë del krijimi i një Qendre të terminologjisë për drejtimin dhe organizimin e gjithë veprimtarive terminologjike që kryhen në vendin tonë nga institucionet e larta mësimore e kërkimore-shkencore në bazë të parimeve dhe të metodave shkencore moderne, duke integruar gjithë këtë veprimtari në rrjetin ndërkombëtar të terminologjisë. Kjo krijon mundësi për zgjidhjen në baza të shëndosha shkencore edhe të problemit të shqipërimit të terminologjisë dhe për qëndrimin që duhet mbajtur ndaj termave të huaj në suazën e një shqyrtimi kompleks, të gjerë e të thellë të tyre. Nga ana tjetër, kështu u vihet fre edhe qëndrimeve dhe zgjidhjeve subjektive që janë dhënë për shqipërimin e terminologjisë, duke e shikuar termin që bëhet objekt shqipërimi nga një numër i madh anësh, në rrafshin terminologjik e ndërterminologjik, kombëtar e ndërkombëtar.



Agron DURO

“TERMINOLOGJIA SI SISTEM”




 


 
· More about Albanian articles
· Articles by Genta


Most read story about Albanian articles:
Kur flasim për përkthimin

Average Score: 0
Votes: 0

Please take a second and vote for this article:

Excellent
Very Good
Good
Regular
Bad


 Printer Friendly Printer Friendly

Associated Topics

Terminology

"Login" | Login/Create an Account | 0 comments
The comments are owned by the poster. We aren't responsible for their content.

No Comments Allowed for Anonymous, please register
Services | About Albania | Career | Resources | Links | Contact Us
Copyright@2006. Terms & Conditions, Privacy
Translation, Localization and Interpretation ServicesAnaliza - Statistikat e Web-it Shqiptar