Në faqet e shtypit tonë shpeshherë po na bien në sy disa ndërtime sintaksore të cilat, po të vështrohen nga ana leksiko-semantike e gramatikore, janë të papranueshme për natyrën e gjuhës sonë.
Në këtë shkrim do të ndalemi kryesisht te dy grupe shembujsh të këtillë:
1. Te grupi i periudhave me elemente tepruara apo të ekzagjeruara; dhe
2. Te grupi i periudhave me elemente të munguara.
I quajmë periudha me elemente të tepruar a të ekzagjeruara për arsye se ato, në vend që të përfundohen me anë të pikës, meqë këtë gjë e kërkon edhe vetë intonacioni i tyre i përmbarimit, artikullshkruesi vargon disa elemente shtesë, si p. sh. ndonjë fjali a periudhë për të shtuar, sqaruar a kompensuar diçka nga informacioni i dhënë më lart. P.sh.:
1. Zevon (duhet:
Zevoni, A. S.), që vdiq nga kanceri në mushkëri, fitoi katër kandidime Grammy, përfshirë kategorinë e këngës më të mirë të vitit, ndërsa Harrison (duhet:
Harrisoni, A. S.) pati tri kandidime,
ai vdiq para dy vjetësh e ca, po ashtu nga kanceri në mushkëri;2. Kandidati demokrat për bashkinë e Tiranës. Spartak Ngjela tha se protestat paqësore do të vazhdojnë deri në marrjen e mandatit të vjedhur,
por ai tha gjithashtu se nëse nuk do të votohet me listat paraprake duke iu rikthyer të drejtën e mohuar të votës shumë qytetarëve; atëherë sipas Ngjelës zgjedhësit do të marrin në dorë të drejtën e votës.
Në anën tjetër, i quajmë periudha me elemente të munguara a të mangëta, për arsye se të gjitha elementet e njësisë pasuese, në vend që të jenë elemente përbërëse të saj, (ngase ato zakonisht përcaktojnë ndonjë gjymtyrë emërore, togfjalësh apo tërë atë që është thënë më lart), ato shkojnë me një fjali a periudhë tjetër të re. P.sh.:
3. Këtu më 5 nëntor u bë mbledhja e kolonisë nën kryesinë e I. Qemalit. Ku u vendos
që të përcaktoheshin në vija të përgjithshme detyrat e ngutshme që i dilnin lëvizjes
kombëtare shqiptare...
4. Paisja (duhet: Pajisja, A. S.) e re me ultratinguj e prodhuar nga firma mjekësore
Filips. tregon pamje tri dimensionale (duhet: tridimensionale, nënv. im) të çdo pjese të trupit të foshnjës që nga duart e këmbët e deri te organet e brendshme. Çka do të thotë se tani mjekët mund të zbulojnë defektet më herët, në sajë të imazheve tepër të qarta.
Në shembullin e parë çdo gjë do të ishte në rregull në aspektin gramatikor, po qe se artikullshkruesi fjalinë: ai vdiq para dy vjetësh e ca po ashtu nga kanceri në mushkëri
ta kishte futur nën kllapa, duke krijuar kështu një fjali të ndërshtënë, me qëllim që të sqarojë edhe diçka nga gjymtyrët a elementet përbërëse të njësisë paraprake.
Pra, ka pasur mundësi të shkruhej kështu:
Zevoni, që vdiq nga kanceri në mushkëri, fitoi katër kandidime Grammy, përf-shirë kategorinë e këngës më të mirë të vitit, ndërsa Harrisoni (që vdiq para dy vjetësh e ca, po ashtu nga kanceri në mushkëri) pati tri.
Ose eventualisht ta kishte përfunduar me pikë dhe si vazhdim i saj të thuhet:
Edhe ky i fundit vdiq para dy vjetësh e ca po ashtu nga kanceri në mushkëri.
Në shembullin e dytë e tërë njësia sintaksore me shkronja kursive, që fillon me lidhëzën bashkërenditëse kundërshtore -por, nuk ka mundësi assesi t 'i bashkohet njësisë së parë, sepse pas përcaktorit me përshtatje: të vjedhur duhet patjetër të vihet pika dhe pas saj të vazhdojë njësia e re sintaksore; Dy shembujt e fundit janë pak a shumë të ngjashëm, sepse të gjitha ato të shënuara këtu me shkronja kursive duhet të jenë elemente përbërëse e të pandashme të njësive paraprake.
Ato janë fjali përcaktore, sepse përcaktojnë gjymtyrë emërore, ndonjë togfjalësh emërorë (në fjalinë e tretë ndajfolja paraprijëse ku përcakton togfjalëshin emëror mbledhja e kolonisë), madje edhe ndonjë fjali a periudhë të tërë (si në fjalinë e katërt në të cilën paraprijësi -çka i referohet pothuajse tërë asaj që thuhet në fjalinë paraprake).
Prandaj ndarja e këtyre dy të fundit nga përbërja strukturore e fjalisë a e periudhës përbën një shkelje të rëndë të normës gramatikore, jo vetëm në gjuhën tonë.
Agim Spahiu