Welcome to
  LoginServices | About Albania | Career | Translation Articles | Contact Us
Bullet  Home

Bullet  Services

Bullet  About Albania

Bullet  Resources

Bullet  FAQ

Bullet  Contact Us





A collection of Albanian Grammar e-books



 
Historik i shkurtër mbi përkthimin
Posted on Saturday, January 12 @ 01:48:39 EST
Topic: Albanian articles

TranslationLocalizationInterpretationDTP & Printing


 
 



Përkthimi është shumë i lashtë mbi këtë dhe, gati aq sa vetë gjuhët njerëzore. Në zanafillë ma ha mendja se duhet të ketë qenë përdorur në trajtën gojore për nevoja praktike, ato të komunikimit të përditshëm; më vonë, me lindjen e arteve në përgjithësi e të letërsisë në veçanti, duhet të ketë filluar të merret, me të shkruar, edhe me përcjelljen e vlerave estetiko-letrare.


Me sa di unë, një nga dëshmitë më të vjetra të veprimtarisë përkthimore është, sipas gjasës, kthimi i Biblës nga hebraishtja e lashtë në greqishte të vjetër. kjo ka ndodhur në shekullin III e II para Krishtit. Ky përkthim mban emrin e “variantit të të shtatëdhjetëve”. Thuhet se Ptolemeu i II i Filadelfit caktoi shtatëdhjetë e dy rabinë që e njihnin shumë mirë greqishten e asaj kohe për ta përkthyer Librin e Shenjtë në këtë gjuhë nga hebraishtja e moçme brenda një afati të caktuar dhe secili për llogari të tij. Këta u mbyllën si murgjër në ishullin Faros dhe, pas shtatëdhjetë e dy ditëve, pasi e kishin mbaruar punën, u vu re, gjithmonë sipas gojëdhënës, se përkthimi i tyre ishte i njëjtë. Shumë kohë më vonë, nga viti 390 në vitin 405, duke u mbështetur në këtë përkthim, si edhe tek origjinali, duke studiuar gjithashtu dhe variantet e mëparshme latine të Biblës (Vetus Itala), Shën Jeronimi (347-420), personalitet i kishës katolike dhe doktor i shkencave teologjike, që ishte me prejardhje ilire, kreu në Bethleem përkthimin e Biblës, që u quajt Vulgata (nga latinishtja textus vulgatus, çka do të thotë “tekst i përhapur”); andej nga fillimi i shekullit VII, ky tekst u bë varianti zyrtar i Biblës katolike. Shën Jeronimi mbahet sot si shenjtori që mbron përkthyesit. Kësaj figure të ndritur të përkthimit, gjuhëtari e përkthyesi Aurel Plasari i ka kushtuar një studim interesant e të hollësishëm botuar vite më parë në revistën “Nëntori”. Nga varianti latin i Shën Jeronimit, Bibla u përkthye dora-dorës në mjaft gjuhë të folura e vazhdon të përkthehet ende sot. Siç e sheh, roli i përkthyesve nuk ishte i pakët që në atë kohë. Veçse nuk duhet besuar që përkthyesit e kishin të lehtë jetën, sidomos kur përkthimet e tyre kontrolloheshin nga autoritetet e larta kishtare apo shtetërore të asaj kohe, sepse në fillim shkrimet e shenjta, e më pas ato zyrtare duheshin përkthyer me besnikërinë më të madhe, madje sa më të verbër. Mjaft përkthyes e pësuan për guximin krijues apo rikrijues që kishin treguar në përkthimet e tyre. Kështu për shembull, humanistin e përkthyesin francez Etienne Dolet (1509-1546) e varën për herezi e ateizëm, sepse nuk e kishte përkthyer tamam  sipas “frymës e fjalës” së origjinali një fragment nga shkrimet e shenjta. Gjithsesi, meqë njeriu nuk mund t’i mësojë dot brenda një jete njerëzore gjithë gjuhët e botës, madje as ato më të përhapurat e më të përdorshmet, shoqëria dhe tërë autoritetet e saj e kuptuan se pa përkthyesit rruga e mundimshme drejt njohjes do të ishte edhe më rraskapitëse. Qysh atëherë, roli i përkthyesve në shoqërinë njerëzore erdhi e u bë gjithnjë e më i rëndësishëm aq sa sot, me të drejtë, një filozof e shkrimtar si Umberto Eco thekson se “zanati i përkthyesit është një profesion që i përket së ardhmes”, çka do të thotë se bota moderne nuk do të mund të bëjë dot pa përkthyes, sado të përsosen metodat e mësimdhënies së gjuhëve të huaja e sado njerëzit t'i mësojnë ato e të thellojnë njohjen e përdorimin e tyre, sado të stërhollohen ordinatorët, të cilët vështirë se do ta bëjnë ndonjëherë të panevojshëm profesionin e përkthyesit. Në historinë e njerëzimit, përkthimi do të luajë, ashtu si deri më sot, një rol të veçantë e të pazëvendësueshëm në përshpejtimin e zhvillimit të tij. Kjo duket aq më tepër e besueshme që, duke parë dështimin e gjuhëve artificialisht “universale”, siç ka qenë rasti për esperanton dhe volapikun ndër të tjera, njerëzimi nuk do të flasë kurrë një gjuhë të vetme për arsyen e thjeshtë se popujt janë e do të jenë vazhdimisht të ndryshëm, kush më shumë e kush më pak, për nga historia e kultura, mendësitë e qytetërimi.
Edhe tek ne, në Shqipëri, përkthimi është një veprimtari intelektuale e artistike e hershme. Të parët që u morën me përkthime ndër shqiptarët, qenë Buzuku, Budi, Bardhi e Bogdani, “katër B-të” siç i quan Vedat Kokona; pastaj vijnë disa nga rilindasit tanë më të shquar, si Kristoforidhi, Naim Frashëri et Çajupi; më vonë kemi Fishtën, Prenushin, Konicën, Lumo Skëndon, Fan Nolin, Koliqin e Dom Lazër Shanton. Nga fundi i viteve ’30 kemi H.Lacajn, F. Alkajn, P. Gjeçin, S. Luarasin, S. Cacin e A. Varfin. Në vitet ’50, ’60 e ’70 afirmohen disa nga këta dhe dalin në skenë përkthyes të tjerë si H. Selfo, e V.Kokona, të ndjekur nga L. Poradeci, Dh. Pasko, A. Hashorva, H. Kokalari, P. Zheji, M. Treska, Z. Simoni, B. Doko, E. Fico, A. Kristo, V. Vinçani, R. Shvarc, S. Çomora, V. Buharaja, P. Gjergo, P. Jorgoni, Gj. Shllaku, J. Bllaci, K. Evangjeli, D. Omari, A. Koçi e shumë të tjerë. Në vitet ’80 e ’90 shfaqen të tjerë përkthyes, më të rinj, si, A. Plasari, P. Misha, Sh. Çuçka, E. Ymeri, B. Shehu, M. Kumbaro, B. Çabej, M. Meksi, V. Kalemi, G. Hadaj, K. Hadëri, A. Marashi, A. E F. Papleka, N. Varfi, R. Vuçini, F. Andrea dhe U. Buçpapa. Një vend i veçantë u duhet kushtuar atyre që kryen e vijojnë të kryejnë “çmendurinë e përkthimit” duke përkthyer nga shqipja në gjuhë të huaj; po përmend të paarritshmin Jusuf Vrioni që ka përkthyer në tërësinë e saj veprën letrare të Ismail Kadaresë, kushëririn e tij Aziz Vrioni, Vedat Kokokën, Zafer Hilën, Hamit Kokalarin, Robert Shvarcin, Aleko Shkurtin, Halit Deden, Kolë Lukën, Nuri Hamzaranë, Riko Konicën, Z. Simonin, P. Qeskun, E. Ymerin, M. Kumbaron, M. Meksin e disa të tjerë. Së fundi, mos të harrojmë se mjaft nga shkrimtarët tanë të njohur janë marrë edhe me përkthime, si për shembull, Fan Noli, V. Kokona, M. Kuteli e L. Poradeci, ndërsa, nga më bashkëkohorët do të përmendja D. Çulin, B. Shehun, F. Kongolin, B. Mustafajn, I. Kadarenë, D. Agollin e N. Lerën.
Së fundi, të mos harrojmë se edhe në Departamentin e gjuhës frënge të Fakultetit të gjuhëve të huaja disa nga pedagogët, si M. Kumbaro, S. Pasho, V. Havari, J. Kostari, N. Varfi, D. Xhoxhaj e L. Canaj, merren rregullisht me përkthime, pa harruar të ndjerin P. Sinani, që përktheu ndër të tjera edhe Kujtimet e Adrianit të Marguerite Yourcenar-it; në departamentet e tjerë gjithashtu ka mjaft pedagogë që ushtrojnë një veprimtari të tillë.



Edmond Tupja

(marrë nga libri "Këshilla një përkthyesi të ri")





 
· More about Albanian articles
· Articles by ermali


Most read story about Albanian articles:
Historiku i gjuhës shqipe

Average Score: 0
Votes: 0

Please take a second and vote for this article:

Excellent
Very Good
Good
Regular
Bad


 Printer Friendly Printer Friendly

Associated Topics

Translation

"Login" | Login/Create an Account | 0 comments
The comments are owned by the poster. We aren't responsible for their content.

No Comments Allowed for Anonymous, please register
Services | About Albania | Career | Resources | Links | Contact Us
Copyright© 2006-2009. Terms & Conditions, Privacy
Translation, Localization and Interpretation ServicesGALA Member Company