Janë pra të gjitha mundësitë për një zëvendësim të fjalëve të huaja
me fjalë vendi, dhe kjo pa bjerrje aspak të vlerës kuptimore të fjalëve
Gjuha pasqyron një kombësi, ajo është pasqyra më e qartë e një
kombësie dhe e kulturës së saj. Shkalla e pasurisë dhe e pastërtisë së
gjuhës është një tregues i nivelit të kësaj kulture. Prandaj
ringjalljet nacionale kudo e në çdo kohë kanë shkuar hap më hap me
pasurimin e pastrimin e gjuhës. Për të dhënë vetëm dy shembuj, po
përmendim Irlandën dhe Turqinë. Në Irlandë, menjëherë pas shkëputjes
prej Britanisë së Madhe dhe fitimit të pavarësisë, po edhe më parë,
gjuhëtarët hapën shkrimet e vjetra, që i kishte mbuluar pluhuri i
kohës, dhe qitën në dritë leksema të moçme të gjuhës që s'i njihte më
kurrkush, që kishin qenë përdorur disa shekuj, mbase edhe njëmijë vjet
më parë, dhe i shtinë në shkollë e në qarkullim, edhe sot janë në
përdorim të përgjithshëm.
Në Turqinë qemaliste, në vazhdim të punës që
pat nisur më parë, sidomos Sami Frashëri, për pastrimin e gjuhës nga
fjalët, shprehjet dhe ndërtimet sintaktike arabe e perse që e kishin
mbuluar, me reformën gjuhësore që nisi në vitin 1928, u hulumtuan një
varg fjalësh të turqishtes (osmanishtes) së vjetër dhe të disa të
tjerave gjuhë turke të Azisë, dhe këto të gjitha dhanë një ndihmesë të
madhe në pastrimin e gjuhës dhe pasurimin e saj me lëndë vendi.
Një ndër detyrat kryesore të gjuhësisë shqiptare, krahas kërkimeve
teorike, është edhe mbetet pasurimi i gjuhës me elemente të gurrave
vetjake dhe spastrimi i saj prej masës së fjalëve të huaja, që kanë
vërshuar së jashtmi dhe që po vazhdojnë edhe në ditët tona. Kanë
depërtuar e depërtojnë në shkrimet shkencore edhe letrare, në shtyp, në
radio, në televizion, në bisedën e përditshme. Është e vërtetë se me
punën e kryer gjer më sot, një pjesë e tyre janë spastruar, po ndërkaq
kanë hyrë e po hyjnë të tjera në vend të tyre. Pastrimi i gjuhës nga ky
mish i huaj është një detyrë shkencore, njëkohësisht dhe kombëtare. Nuk
është aspak një shenjë shovinizmi, shqiptari nuk e ka traditë
shovinizmin.
Në këtë fushë është punuar me shekuj te ne dhe vazhdon të punohet në
këtë drejtim. Po të kundrohet kjo veprimtari më nga afër, shihet se ka
këtu një vazhdimësi, një vijë të pandërprerë. Ne e çmojmë dhe e
vlerësojmë veprimtarinë e paraardhësve tanë, njëkohësisht synojmë
ndërkaq ta çojmë përpara veprën e tyre dhe ta thellojmë. Në këtë punë
nuk do të kufizohemi të zbulojmë fjalë të moçme nëpër shkrime të
vjetra, si kanë vepruar për shembull në vendet e përmendura më sipër.
Nuk është kjo e vetmja rrugë për ne, sepse plot fjalë janë edhe sot të
gjalla në gojë të popullit dhe presin të shtihen në përdorim. Kjo punë
ka filluar që me përmendoret e para të shkrimit të gjuhës shqipe.
Autorët e vjetër si Gjon Buzuku, Pjetër Bogdani e të tjerë kanë vepruar
me vetëdije në këtë rrugë. Pjetër Budi në një vepër të tij të vitit
1618 ankon se gjuha po prishej më fort prej pakujdesisë së "diesvet dhe
letërorëvet" të kohës së tij. Frano Bardhi në parathënien e fjalorit të
tij të vitit 1635, flet për dëshirën e tij "me ndimuem mbë nja anë
gjuhënë tanë". Gjysmë shekulli më vonë, Bogdani rrëfen se "m'anshtë
dashunë me djersë të mëdha shumë fjalë me ndërequnë ndë dhe të
Shkodërsë" dhe shton se "giuha jonë qi me dijet dvuer edhe fjalëtë".
Qysh te këta autorë të vjetër gjejmë fjalë si derëtar, dëftues,
grykësi, gjetës, gjuhëtar, kangëtar, këshilltar, kopështar, krye
"kapitull", lutës, madhështi, mbarim, mjeshtëri, ndjekës "ithtar,
imitues", i përbrendshëm, përndjek "persekutoj" (prej nga mund të
formohet përndjekje për "persekutim"), polem "popull, vegjëli", pushim,
rrëfim, shkollar, urta, vetëmi, vjershëtar e plot të tjera, pa mundur
ne sot të dimë se cilat janë fjalë të marra prej gojës së popullit dhe
cilat janë formime të këtyre autorëve. Në lidhje me këtë, dihet se në
pasurim të gjuhëve letrare e të shkrimit, dy janë kryesisht rrugët që
ndiqen përgjithësisht. E para është marrja e fjalëve të gjalla në
ligjërimin popullor e nëpër dialekte dhe të shtënët e tyre në përdorim
të përgjithshëm, shpeshherë duke i ngritur më lart në punë të nivelit
kuptimor. Kështu, për shembull, lëndë landë si kuptim konkret ka "dru;
dru si material ndërtimi", po qysh prej shkrimtarëve të Rilindjes së
shekullit të kaluar përdoret me rrugë abstrakte edhe për "materie",
"subjekt", "temë" etj. Ashtu dhe fjala rrymë, prej kuptimesh të tilla
si "rrjedhë e vrullshme e ujit", "lëvizje e ajrit", "remë e mullirit"
(rrymë e ujit, rrymë ajri, rrymë e mullirit), ka zgjeruar sferën e
përdorimit me rrymë elektrike, rrymat letrare, rrymat politike etj.,
duke përfshirë kështu dhe sferat abstrakte të leksikut. Rruga e dytë
është formimi i fjalëve të reja, i të ashtuquajturave neologjizma. Këto
mund të jenë formime të mëtejme të fjalëve popullore, si anëtar nga
anë. Shpeshherë ndërkaq janë të tilla, porse të farkuara si përkthim
fjalësh të huaja, si kalke, si për shembull i pamasë e autorëve të
vjetër, pas lat. immensus, it. immenso; ose në kohët e reja pararojë
pas it. avanguardia, frgj. avantgarde etj. Janë pra formime pozitive,
me gjedhe (model) të huaj, po me brumë vendi, një mënyrë veprimi me të
cilën janë pasuruar me kohë gjithë gjuhët e Europës edhe të botës,
rrugë pasurimi e ndjekur që në kohët e lashta (latinishtja prej
greqishtes), por sidomos në kohët moderne.
Puna e autorëve tanë të vjetër në këtë fushë veprimtarie po të
hetohet më imtë, shihet se vazhdon më tej dhe gjatë kohës para
shekullit të kaluar. Edhe pse përmasat qenë më të vogla, dhe mënyra e
punës shpeshherë anonime, vlen të shënohet se nuk ka pasur aty një
zbrazëti të plotë në punë të shkrimit e përpunimit të gjuhës. Kjo
veprimtari ndërkaq me një gjallëri të re u rimuar tek ne sidomos me
shekullin e kaluar, mbasi lëvizja mendore e "shekullit të dritës" (le
siècle des lumières), i quajtur gabimisht "iluminizëm", dhe më vonë e
romantizmit, patën zgjuar sidomos ndër popujt e vegjël e të robëruar të
Europës idenë nacionale dhe dashurinë për kulturën popullore,
folklorin, gjuhën amtare dhe përpunimin e kultivimin e saj. Njerëzit që
vepruan në këto fusha kanë qenë nganjëherë njëkohësisht burra të armës
dhe të pendës, luftarë dhe dijetarë e shkrimtarë, ashtu si Pashko Vasa
ndër ne. Me një ndjenjë habie shohim ne sot si një njeri jo i pendës,
po i armës, dhe folës i një dialekti në skaj të trevës gjuhësore, si
Marko Boçari prej Suli, përdor në fillim të shekullit të kaluar leksema
të sferës kuptimore-abstrakte si kërkim, madhësi, i papunë, i pamasë,
ashtu si dikur Gjon Buzuku në Veri, e të tjera si këto. Mbetet merita e
elementit shqiptar të Italisë që i priu Rilindjes Kombëtare të
shekullit të kaluar, me çeljen e Kolegjit të Kalabrisë (1732) dhe atij
të Palermos në Siqeli (1734), dhe pastaj me vepra historike-gjuhësore,
folklorike e letrare, si ato të Nikollë Ketës (1742-1803), Engjëll
Mashit e sidomos të Jeronim De Radës, i cili organizoi dhe dy kongrese
gjuhësore në Kalabri. Në këtë lëvizje mendore e gjuhësore-letrare në
gjysmën e dytë të atij shekulli morën pjesë, si dihet, dhe shkrimtarë e
dijetarë shqiptarë të Greqisë, si Panajot Kupitori e Anastas
Kullurioti. Nga shkrimtarët e Shqipërisë, një brez para atyre të
Rilindjes, Naum Veqilharxhi është një ndër të parët që u përpoqën të
pasuronin gjuhën e shkrimit e ta spastronin nga fjalët e huaja, me
fjalë si fletore, kamës, mësim, padije, shënim, shumicë, thelloj e
ndonjë tjetër. Përpara tij Tahir efendiu prej Gjakove përdori më 1835,
ndër të tjera, fjalë si folës, mësim, mësues, nxanës, rrëzim.
Shkrimtarët e Rilindjes, si Kristoforidhi, Naim e Sami Frashëri, Pashko
Vasa, Jani Vreto e të tjerë, i hynë në këtë lëmë një pune të madhe edhe
me një metodë të re. Kjo metodë ishte: kërkim, përhapje e vënie në
qarkullim e fjalëve që ekzistojnë në gjuhë, po që kishin mbetur
mënjanë; përdorim i fjalëve të vjetra e të harruara të gjuhës; përdorim
shumë i kufizuar i fjalëve të huaja; formim fjalësh të reja,
neologjizmash, si kompozita si rrjedhoja (derivate), pas gjedhes së
analogjisë, pra kryesisht pas shembullit të fjalëve të gjalla të
ligjërimit popullor e të dialekteve të tij. Ndër këta autorë,
Kristoforidhi e pasuroi gjuhën e shkrimit me fjalë si fushatë, hierore
"tempull", jetëdhënës, ligjdhënës, ndërgjegje, pikë, presë, theks,
zanore. Te Naim Frashëri gjejmë dëgjim, dritare, gjithësi, hapësirë,
papunësi, i përjetshëm, vetëdijë, vjershëtor e plot të tjera. I vëllai
Samiu, dihet se përveç punës që kreu në lëmin e caqeve (termeve)
gjeografike e administrative (lindje, perëndim, jugperëndim,
veriperëndim, mesditës për "meridian", kryeministër, qeveritar etj.),
ka vënë themelet e terminologjisë gjuhësore e gramatikore, me formime
si abetare, nyjë, njëjës, shumës, rrokje, i shquar, i pashquar. Para
tij Jani Vreto shtiu në përdorim terme gjuhësore si rrënjë, emër,
përemër, folje ndihmëse. Gjejmë tek ai edhe fjalë të gojës popullore
përdorur me një mënyrë të re, pa mundur ne sot të ndajmë kurdoherë me
saktësi se cili ndër këta tre shkrimtarë është autori i parë i disa
fjalëve të caktuara. Puna e pasurimit dhe e pastrimit të gjuhës vijoi e
pandërprerë edhe pas periodës së Rilindjes nga ana e një vargu
shkrimtarësh, gjuhëtarësh e arsimtarësh të vendit. Në vitet e para të
shekullit tonë Luigj Gurakuqi me veprat e veta ia kushtoi gjithë mundin
e tij këtij qëllimi. Ai u caktoi lavruesve të gjuhës detyrën që "skajet
(termet) e përgjithshme t'gjith degëve t'dijes, qi janë pothuej
gjithnjë ndër t'tana gjuhët... kena për t'i marrë edhe na... Fjalët e
skajet e tjera kena për t'i trajtue vetë tue i ba me rrjedhë prej rraje
shqype"...
Gjuha shqipe është e pasur jo vetëm në elemente leksiore të kulturës
materiale, po edhe në fushën e fjalëve të sferës abstrakte-mendimore.
Nuk është i drejtë mendimi i disa dijetarëve të huaj se shqipja qenka e
pasur vetëm në fjalë të sferës baritore, as i drejtë mendimi se
shqiptarët paskan qenë një popull barinjsh nomadë, shtegtarë. Një
mendim i tillë nuk përligjet as me të dhënat e ekonomisë politike
historike. Një profesor matematike më thoshte para disa kohe se me
terme shkencore të farkuara me mjetet e gjuhës së popullit ka shpjeguar
lëndën e tij në shkolla të mesme dhe është kuptuar shumë mirë nga ana e
nxënësve. Një gjë e tillë vlen dhe për të tjera degë të dijes, si për
fizikë, botanikë, zoologji, gjeografi, gjeologji, arkitekturë e degë të
tjera. Për të dhënë vetëm disa shembuj nga lëmi i gjuhës popullore, që
janë në gjendje të zëvendësojnë fjalët e huaja ose gjithsesi të
pasurojnë gjuhën letrare dhe terminologjinë shkencore me elemente ose
forma të reja, po përmendim ndër të tjera: Çamëria polipit të detit i
thotë likurishtë, veprimit të zbutjes së një peme me anë shartimi i
thotë zbutoj; Gjirokastra për "parenté" thotë afëri, rozetës së tavanit
i thotë kërthizë, tuberkulozit të eshtrave i thotë rrodhje (nga
rrjedhja e qelbit); Labëria atij që përziente bagëtinë me një tjetër i
thotë përzitës, dhe sisës së gjirit të bagëtisë femër mjelm; Bregu i
Detit për "zë rrënjë bima" thotë rrënjëzohet; Lunxhëria drurëve e
shkurreve të ulëta që rriten keq në pyll në hijen e drurëve të mëdhenj
u thotë hiesira; Zagoria për "qëmoti, lashtë" thotë lashtërisht, dhe
ana e Këlcyrës për "tashti vonë, rishtas" thotë rishmë; anët e Beratit
e të Frashërit sipas Kristoforidhit zgavrës së një druri të madh si
rrapi i thonë zgërbonjë, dhe Dangëllia një ene bakri me veshë i thotë
veshore; Labova e rrëzës së Tepelenës kur bie borë e imtë thotë mizon;
Mallakastra një fiku vjeshtak të zi e me plasa në lëkurë i thotë fik
shkronjës; Myzeqeja grykës së lumit që derdhet në det i thotë gojkë
d.m.th. "gojë"; ana e Shpatit mostrës ose modelit i thotë gjedhe, dhe
të mbajturit anë, anësisë anesë; Shqipëria e Mesme për një njeri të
flashkët me trup e të mefshtë thotë i qullët, e për "vete mbarë"
trevon, si në s'na trevon gjaja e gjallë. Në të folët e Tiranës
ndiheshin edhe ndihen fjalë si kryemot për natën e ditën e vitit të ri,
dhe hulli për "brazdë". Në katundin Sharrë të Tiranës, fjalën pamenia e
kemi dëgjuar me kuptimin "panoramë, pamje", e në anët e Krujës dëgjohet
ansujë për "ishull". Me këtë nuk themi se do të zëvendësojmë patjetër
ishull-in dhe do ta heqim krejt nga përdorimi, porse e japim shembullin
për të treguar se edhe në fushën gjeografike gjuha e popullit ka
formuar leksema si kjo, e cila mund të hyjë në përdorim në stile të
veçanta të gjuhës letrare. Mjeshtrit e asaj ane kanaleve a vanave që
gërryhen në çimento për kalim uji u thonë ujse. Mirdita vendosjes së
një grupi etnik të shpërngulur në një vend të ri, pra kolonisë, i thotë
ngulim. Shkodra tekstileve u thotë veglore, fjalë që lidhet me vegël,
që përdor Korça për vegjët. Anët e Veriut fundërrisë që mbetet nga të
shkrirët e një lënde i thonë bram, zgjyrës bramc farke, shtrirjes së
një lugine i thonë lugajë, një fushe voglake vuth, një toke që është
nën ujë tokë mbujake, një galerie a tuneli zgafelle, tumave të lashta
(arkeologji) kodërvorre, një grumbullimi lulesh në trajtë të një
kalliri të varur vastak, një pipthi, kalemi a fidani trishe, sëmundjes
karies (të dhëmbëve etj.) briesë; veçanërisht Pulti për "mjekoj me
barna" përdor barnatoj. Fjala imtoj, sot përgjithësisht "shkoqit në
hollësira (një çështje)", në të folët e Lumës përdoret në mënyrë
konkrete "holloj", imtoj drutë "i çaj i bëj të holla". Kosova një
njeriu që ka të njëjtin emër me një tjetër i thotë emnak, e për
"dorëzoju" thotë "jep dorzimin"; në Kosovë për "filaturë" përdoret
tjerrtore, e për "kaldajë" ngrohtore. Në Dibër një helmi të madh të
shpirtit i thonë djegë. Duke kaluar në dialektet e ngulmimeve shqiptare
jashtë Atdheut do të përmendim se në Arbënesh të Dalmacisë për "shpina
e dorës" thonë përmidora, e për "krijoj", me një fjalë vendi lentoj
(nga lej), prej nga mund të formohet dhe lentim për "krijim". Në Greqi
për "gardh" thonë thurimë, fjalë që mund të përdoret edhe me një kuptim
të figurshëm, si p.sh. në gërshetimin e veprimit të një drame. Në
Kalabri ofiqit (nofkës) që i ngjitet një njeriu i thonë shënim. Në
Siqeli samarit i thonë bërrore, fjalë që lidhet me barrë; për "të dhënë
e të marrë, marrëdhënie" thonë përzitë, si në shprehjen me të hojin mos
kesh përzitë. Atje kanë farkuar dikur dhe gurshkronjë për "litografi".
Këta janë vetëm disa pak shembuj për të dhënë një ide sado të zbehtë
për pasurinë e visarit leksikor të gjuhës popullore.
Janë pra të gjitha mundësitë për një zëvendësim të fjalëve të huaja
me fjalë vendi, dhe kjo pa bjerrje aspak të vlerës kuptimore të
fjalëve. Mund të zëvendësohen ndër të tjera fjalë si abuzoj abuzim,
acid, adaptoj adaptim, agresion agresiv, aktivitet aktivizoj, ambient
ambiental, ambiguitet, amorf, anketë, apikulturë, aproksimativ
approksimativisht, aprovoj aprovim, atribuoj, bonifikoj bonifikim,
celular, deduktoj deduktim, dekompozoj dekompozim, depistoj depistim,
derivat, destinoj, dezekuilibër, dimension, efekt i efektshëm
efikacitet, eksperiencë, eksploroj, ekuilibër, erupsion, esencial,
evoluoj, favor favorizoj favorizim i favorshëm, fenomen, fibër,
filaturë, firmos, fortifikoj fortifikim, frekuentoj frekuentim,
frutikulturë, germë, grataçel, hezitoj hezitim, imediat, imperativ mb.,
influencë influencoj, inkuadroj inkuadrim, inkurajoj inkurajim,
inovacion, insistoj insistim, insuficiencë, intoksikacion, investoj
investim, justifikoj justifikim justifikues, kaldajë, karbon, konditë,
kondicionoj, konfirmoj, kontribuoj kontribut, kooperoj kooperim,
koordinoj koordinim, korent kurent, korrespondoj korrespondencë,
kulminant, landshaft, laring laringjit, leguminoze, legjislativ,
lubrifikoj, manual, militoj, monument, ndofta ndoshta, operativ,
origjinë, palafit, penelatë, perfeksionoj perfeksionim, polen,
preferoj, preokupoj preokupim preokupant, presion, presupozoj
presupozim, reciprok reciprocitet, refuzoj refuzim, renal, rendiment,
represiv, revokoj, sekret, servil, silvikulturë, i sinqertë sinqeritet
sinqerisht, sinjifikativ, skulptor skulpturë, spektator, spostoj
spostim, stimul, sukses i suksesshëm, supersticion, supozoj supozim,
tentoj tentativë, (ujëra) territoriale, toksik toksikologji, total
totalisht, transformoj transformim, transmetoj transmetim, unifikoj
unifikim, validitet, vegjetacion, vigjiloj, vigjilencë vigjilent (që me
këtë formë s'e kanë as italishtja as frëngjishtja), volum voluminoz,
xhiroj xhirim etj...
Edhe në lëmin e sintaksës gjuhësinë shqiptare e presin detyra të
reja në pastrim të ndërtimit të fjalisë prej ndikimit të huaj. Ndërtime
të tilla si gjuha greke dhe ajo latine; kategoritë emërore dhe ato
foljore; në të gjitha fushat kryesisht në ato politike e ushtarake,
kapitali amerikan, krahas atij holandez nuk janë të strukturës
sintaktike të shqipes. Ato janë ndjekje (imitime) të gjedhes së
italishtes, depërtuar ndër ne gjatë këtyre brezave të fundit. Ndërtime
të tilla kanë shkuar prej romanitetit perëndimor edhe në rumanishten,
porse atje edhe lejohen si një gjuhë romane që është. Tek ne mendojmë
se edhe këto përdorime duhet të zëvendësohen me ndërtime të vendit.
Thjesht shqip do të duhej të thuhej e të shkruhej kategoritë emërore
dhe kategoritë foljore ose kategoritë emërore dhe foljoret. Një tjetër
gjurmë ndër të tjera ka lënë në shqipen moderne ndikimi sintaktik i
italishtes në ndërtime fjalish si hyrja në fuqi e kësaj ligje, hyrja në
veprim e makinerive, hyrja në përdorim e këtyre fjalëve, për shkak të
daljes në grevë të minatorëve anglezë, në vend që të shkruhej hyrja e
kësaj ligje në fuqi, hyrja e makinerive në veprim etj., si ka qenë më
parë në gjuhën shqipe. Veçse duhet thënë se ky lloj ndërtimi ka
depërtuar tashmë aq thellë në gjuhën bisedore e të shkrimit, sa më nuk
ndihet si element i huaj, dhe do të jetë vështirë të mënjanohet.
Puna e pastërtisë së gjuhës përfshin dhe frazeologjinë. Edhe aty
vërehen në gjuhën e sotme ndikime të jashtme, me ndjekje gjedhesh të
huaja me anë përkthimi. Në shqipen e mirëfilltë nuk thuhet i hedh
pluhur syve, si thonë në disa gjuhë të tjera, po thuhet i hedh hi syve.
Një përkthim (kalk) frazeologjik i ri është edhe shprehja gjysmë i
vdekur; në folklor e tek autorët e vjetër gjendet rregullisht pak
gjallë po me këtë kuptim. Gjuhësia jonë edhe në këtë fushë është e
caktuar të gjurmojë rrugët vetjake të gjuhës.
Duke kaluar nga fjalët në punë, jemi të mendimit se janë pjekur
kushtet që një komision i përhershëm (permanent) t'i përvishet kësaj
pune, plotësimit të kësaj detyre të madhe. Mendojmë që në këtë komision
të marrin pjesë njerëz nga institutet dhe qendrat kërkimore të
Akademisë së Shkencave dhe përfaqësues specialistë të degëve të
ndryshme. Të gjenden rrugët e bashkëpunimit të tyre me ndërmarrjet,
fabrikat dhe institucionet shkencore e të tjera të vendit. Do të ketë
pjesëmarrje e bashkëpunim aktiv sidomos dhe nga ana e arsimtarëve të
rretheve, sepse shkolla do të luajë një rol të dorës së parë. Do të
duhet një punë individuale dhe kolektive, një punë e re e gjithanshme,
punë sistematike dhe me afat të gjatë. Me këto punë duhet të hapet një
faqe e re e historisë sonë gjuhësore, një epokë e re e pastrimit dhe e
pasurimit të gjuhës letrare edhe të shkrimit. Duhet të kryhet në atë
mes një rishikim i gjithë punës së deritanishme. Do të rishqyrtohen nga
ky këndvështrimi jo vetëm terminologjitë e ndryshme dhe fjalorët
terminologjikë, po edhe fjalorët e tjerë që janë punuar deri më sot. Do
të jetë një reformë gjuhësore në nivel Republike. Mendojmë gjithashtu
se do të jetë vendi që të dalë ndonjë botim periodik me emrin "Gjuha
jonë" ose "Gjuha shqipe", që do t'u kushtohet kryesisht problemeve e
detyrave të pasurimit e pastrimit të gjuhës.
Fjalët e vendit dhe termet që do të zëvendësojnë me kohë elementin e
huaj do të shtihen në përdorim që në shkollat, që me moshën e re. Shumë
fjalë që do të vendoset të përdoren e të hyjnë në gjuhë, edhe neve vetë
në fillim do të na duken pakëz si çudi. Porse brezat që do të vijnë do
t'i mësojnë e do t'i përdorin vetvetiu; sikurse kanë hyrë në përdorim
shumë fjalë vendi që janë farkuar prej paraardhësve tanë e prej brezit
tonë, janë për ne sot të natyrshme dhe janë bërë pronë e qëndrueshme e
gjuhës. Në këtë punë me rëndësi kombëtare do të veprohet me guxim
bashkuar me kompetencë shkencore, dhe, si u tha, me hapa të matur, me
maturi në punë. Ne edhe në fusha të tjera të veprimtarisë kulturore
kemi ndërmarrë punë që vetë neve në fillim mund të na jenë dukur të
parealizueshme, e që i kemi kryer. Sot më fort se kurrë na shtrohet
detyra që këtë gjuhë, një nga elementet kryesore të kombësisë sonë, ta
pasurojmë me fjalë të visarit popullor dhe ta spastrojmë nga masa e
lëndës së huaj.
Nga Eqrem Çabej Marrë nga dorëshkrimi i autorit, me shkurtime sipas botimit në "Mësuesi", 28 mars 1979-4 prill 1979
|