Si mund të ketë lëvizje letrare në Shqipëri? A mund të ketë kulturë
kombëtare një popull që konsiderohet të jetë më barbari dhe më i
prapambeturi në Evropë; që jeton në hajdutëri nëpër male të
paarritshme, apo ndër fusha moçalore edhe më të egra? Vetë gjuha,
thellësisht e zvetënuar dhe e përbërë pothuaj krejtësisht nga prurje të
huaja, nuk do të ishte asnjëherë në gjendje që të shërbente si mjet
qytetërimi…". Kështu e nis studimin mbi lëvizjen letrare në Shqipëri,
të mbajtur para shoqatës së letrarëve të Francës, Jacques Bourcart
(Zhak Bukart).
Ishte viti 1920, kur Bukart, ky emër i njohur në letrat franceze,
kërkonte t‘u rrëfente personaliteteve që aderonin në shoqatën e
letrarëve francezë se Shqipëria nuk ishte ajo që përshkruhej nga Gustav
Majer. Gjykimi i linguistit gjerman, sipas tij, ishte i nxituar, falë
propagandës së vendeve fqinje me Shqipërinë, të rrëmbyer nga dëshira
për ta ndarë mes tyre këtë vend të vogël. Këto argumente u kishin
shërbyer shumë herë, qysh nga lufta e vitit 1877 e deri në traktatet e
fundit të paqes, atyre që i kanë mohuar Shqipërisë të drejtën e
ekzistencës. Bukart ndodhej atë mesditë në sallën ku miqtë, me të cilët
ai kishte ndarë prej vitesh pikëpamjet mbi letrat, e shihnin disi të
habitur për tezën që donte të mbronte. Ai e kishte shkelur Shqipërinë
për gati shtatë vjet, kishte udhëtuar në ato vende që mbartnin një
kulturë gati mahnitëse… Dhe ishte i bindur se ato mbrëmje të gjata
për të radhitur këtë studim tashmë do të përmbysnin përfytyrimet e tyre
për këtë vend. "Por megjithatë, letërsia shqipe ekziston. Unë jam
specializuar sa duhet për të vënë në dukje prirjet e këtij vendi, apo
evolucionin që ka pësuar. Një qëndrim i gjatë, kur munda t‘i bie kryq e
tërthor në të gjitha kuptimet plot shtatë vite, gjatë të cilave u
përzjeva në jetën e tij politike, luftërat që m‘u desh të mbështes për
mbrojtjen e çështjes së tij pothuajse të humbur, më kanë lejuar ta njoh
këtë vend shumë mirë. Por janë vetëm interesat shkencore ato që më kanë
bërë t‘i përkushtohesha këtij vendi. Pavarësisht nga mungesa e qartë e
kompetencës, unë ndërkohë nuk desha që të mos i shkruaja këto pak faqe
e të dëshmoja kështu për një vend me të cilin ndihem thellësisht i
lidhur", thotë Bukart.
Teksa rrëfen ndjesitë e para të këtij udhëtimi që e kishte mahnitur,
ashtu siç mahnit çdo të huaj që përballet me natyrën tonë të bukur,
Bukart përkufizon se "në këtë vend ekziston një kulturë e mirëfilltë
shqiptare, e lidhur ngushtë nga ana e saj me luftërat shekullore për
pavarësi". Vetë gjuha shqipe, të cilën ai e kishte mësuar me shumë
dashuri, të lë të kuptosh më lehtë shpirtin e një prej popujve më të
lashtë e më interesantë të Evropës. "Qëllimi im i vetëm është pra që
t‘i bëj me dije publikut francez se letërsia shqiptare ekziston dhe e
meriton të njihet. Me këtë rast unë nuk mund të mos them së paku disa
fjalë për Shqipërinë dhe popullin e saj, ashtu si edhe cila ka qenë
historia e saj e errët dhe tragjike", thotë Bukart. Teksa bën një
përshkrim të historisë sonë, deri në atje ku ai e quan Shqipërinë një
fortesë, e cila mbron e vetme rrugët e lehta të komunikimit midis
Adriatikut dhe Maqedonisë. Karakteristikat gjeografike, sipas tij,
tregojnë gjithë historinë e saj: si origjinalitetin e kulturës që ka
mundur ta ruajë në të gjitha rrethanat, ashtu edhe luftërat e
pandërprera që janë zhvilluar atje midis Lindjes dhe Perëndimit.
Duke rrëfyer luftërat që zinin njëra-tjetrën te ky popull, Bukart vë re
se "gjatë këtyre luftërave të ashpra, përpjekjet e shqiptarëve nuk
mjaftoheshin vetëm me kryengritjet e armatosura. Fshatarët ruanin,
kryesisht falë gjuhës së tyre, ndjenjën e spikatur të solidaritetit
kombëtar. Pati njerëz veçanërisht nga radhët e fetarëve, që u përpoqën
t‘u siguronin atyre një kulturë të vetën dhe me tipare perëndimore.
Historia e përpjekjeve të tyre përbën vetë historinë e letërsisë
shqipe, madje edhe sot ajo vijon të jetë në thelb një letërsi
luftërash".
"Pikësëpari duhej shpëtuar instrumenti, gjuha dhe vetë alfabeti. Kështu
veprat e para janë të gjitha dialektike dhe ky tipar ruhet ende në
letërsinë e kohës. Megjithatë, krahas luftërave për pavarësi shfaqet
një poezi patriotike, e frymëzuar nga përpjekje shpesh herë të kundërta
dhe të ngathëta. Lindi kështu gjuha letrare", thotë Bukart. Ai kërkon
të përgënjeshtrojë qëndrimin e Gustav Majerit, një prej gjuhëtarëve të
parë që është marrë sipas tij nxitimthi me gjuhën shqipe, duke ngulmuar
te pesha që kanë huazimet e fjalëve nga gjuhë të tjera dhe
"bastardimet" e formave autoktone të saj. Statistikat e Majerit janë
pak bindëse, sepse numri i fjalëve të gjuhës shqipe që mblodhi ai është
shumë i vogël. "Unë vetë, bie fjala, kam qenë dëshmitar i zhdukjes dhe
zëvendësimit të natyrshëm të shumë fjalëve turqisht, që ky dijetar
kishte vënë re në gjuhën shqipe", thotë Bukart. Të njëjtin mendim ndan
edhe gjuhëtari i madh danez, Holger Pedersen, duke e quajtur gjykimin e
Mejerit shumë në sipërfaqe. Pederseni mendonte se për të provuar diçka
duhet që më parë të kesh mbledhur të gjithë fjalorin e gjuhës shqipe
dhe madje as kjo nuk do të mjaftonte. "Sa është në të vërtetë numri i
fjalëve me origjinë autoktone në gjuhën franceze? Dhe a mund të
konsiderohet bastardim shndërrimi që u është bërë nga kjo gjuhë fjalëve
të latinishtes?", pyet Bukart. Për të kjo shprehje nuk ka kuptim.
Ndoshta është vetë shpirti i gjuhës që arrin t‘i shndërrojë plotësisht
fjalët e marra nga gjuhët e tjera. "Gjuha shqipe ka pranuar një numër
mjaft të madh fjalësh të huaja ‘shkencore‘, të cilat nga ana e tyre
janë të njëjta në të gjithë Evropën, çka e lehtëson mjaft shkëmbimin e
ideve", thotë Bukart. "Asnjë prej atyre që janë familjarizuar me gjuhën
e gjallë shqipe dhe që zotërojnë njohuri shkencore për strukturimin e
saj, nuk mendon se ajo është gjuhë e përzier. Ashtu si të gjitha gjuhët
e botës edhe ajo ka thithur fjalë të huaja. Por gjuha shqipe ka pësuar
një zhvillim të vetin të mirëfilltë, që e ka bërë atë të jetë sot një
gjuhë e bukur, plot mundësi dhe që duhet të përbëjë krenari për ata që
e flasin, duke qenë instrumenti i shenjtë i kulturës së kombit
shqiptar", thotë Pedersen. Interesante janë dhe mënyra sesi Bukart
kërkon të shpjegojë dy dialektet themelore të kësaj gjuhe. Atë të
veriut, gegërisht dhe atë të jugut, toskërisht. Por të dyja këto
dialekte ndryshojnë shumë më pak mes tyre, krahasuar me dy dialekte
çfarëdo në Francë. "Qeveria shqiptare, si çdo qeveri e re në fuqi,
priret që gjithçka ta rregullojë me dekrete, ashtu siç bënte emërtimet
administrative, të krijojë edhe një gjuhë kombëtare", thotë Bukart.
Sipas tij, fati i veçantë i Shqipërisë, ose më mirë i asaj çka mbetet
nga ky vend, është se ajo ka dy qendra të kulturës, të cilat gjenden që
të dyja në kufi dhe në dy pole të kundërta: Shkodra në veri dhe Korça
në juglindje. Secili prej qyteteve lufton për të fituar epërsinë
gjuhësore, sepse as që mund të mendohej të ishin kryeqytete politike të
vendit. Një element që vë re Bukart, është se shkrimtarët toskë apo
gegë nuk janë aspak të gatshëm të heqin dorë nga dialekti i tyre i
pastër, qoftë për një gjuhë të ndërmjetme të krijuar artificialisht,
apo qoftë për dialektin e Elbasanit. Ai merr rastin e Lumo Skëndos, të
cilin e quan një nga shkrimtarët më prodhimtarë të kohës. Në revistën
"Hylli i Dritës", të françeskanëve, ai shkruante gjithnjë në toskërisht
dhe nuk druhej se duke vepruar kështu mund të çorientonte lexuesit e
tij. Sipas tij, vetëm Dhimitër Berati është partizan i njësimit të
gjuhës. Shqetësimin për mospërdorimin e gjuhës kombëtare nga ana e
shkrimtarëve Bukart do t‘ia përcillte dhe vetë Gjergj Fishtës, të cilin
do ta kishte mik gjatë kohës që jetoi në Shqipëri. "Në agimin e një
letërsie, më tha At Fishta, vetëm poetët janë ata që mund të krijojnë
gjuhën letrare, duke huazuar nga thesari i pasur i dialekteve të
popullit format gojore që me saktësinë, pasurinë kuptimore dhe
tingëllimin që kanë, u krijojnë më mirë një ide apo perceptim. Gjuha
nuk mund të krijohet me dekrete. Ne do të na duhet të presim lindjen e
një poeti të madh të Shqipërisë, i cili me forcën e jashtëzakonshme të
gjenisë së tij ndoshta do t‘u imponojë të gjithëve gjuhën që ka krijuar
vetë. Italia ka ruajtur për një kohë të gjatë shumë dialekte letrare.
Nëse atje dialekti toskan u imponua si gjuhë kombëtare, kjo nuk ndodhi
as për arsye politike dhe as për arsye praktike, por pikërisht për
shkak të gjenisë së Dantes", thotë Fishta. Ai ishte i bindur se një
rivalitet midis shkrimtarëve gegë dhe toskë nuk mund të jetë veçse
frytdhënës për letërsinë shqipe. "Le të presim, të punojmë dhe të
shpresojmë. Unë kam besim të thellë që populli ynë i mrekullueshëm do
të nxjerrë së shpejti shkrimtarin që do ta na japë edhe ne gjuhën
tonë", thotë Fishta. Bukart na jep një tablo të gjallë të një periudhe
ende jo shumë të plotë të letërsisë shqipe, jo vetëm rrëfimin e
debateve të kohës, siç ishte ai i njehsimit të gjuhës, por edhe duke na
treguar disa tipare të personazheve letrare më të njohur të atyre
viteve. Ja si i përshkruan ai Gjergj Fishtën, Faik Konicën, Mithat
Frashërin, Fan Nolin. "Lumo Skëndo (Mithat bej Frashëri), përfaqësues i
vendit në Athinë, ish-kryetar i Kongresit të Manastirit, është një
shkrimtar prodhimtar dhe i temave të larmishme. Ai përbën një katalog
vërtet special. Unë besoj gjithashtu se ai është një ndër ata që kanë
futur në gjuhën shqipe numrin më të madh të fjalëve abstrakte apo
teknike".
"Faik Konica, prozator tosk, po ashtu kryetar i federatës së
shqiptarëve, "Vatra", në Amerikë, ka shkruar aq shumë sa dhe Lumo
Skëndo. Përkthyes, eseist, përshtatës dhe kritik, ai është gjithashtu
një njeri me kulturë tejet evropiane".
"Fan Noli, kryepeshkop ortodoks, autonom i Korçës dhe tani që po
shkruaj, Kryeministër. Ai është mbi të gjitha një amator me ironi të
hidhur. Ai është gjithashtu një historian i vërtetë, që ka shkruar
veprën e parë sipas një metode vërtet shkencore, ‘Historinë e
Skënderbeut‘. "Luigj Gurakuqi, siç mendoj unë, nga më të mirët e
ndoshta më i miri prozator shqiptar, të paktën i dialektit geg, një
ndër ata që e zotëron gjuhën mjaft mirë që më vonë do të bëjë emër.
Gjergj Fishta, françeskan, me origjinë nga një familje fshatare e
Zadrimës, paraqet edhe prototipin e racës së vet: i fortë, i qeshur, i
rrëmbyer, me një ironi njëkohësisht të hidhur e tejet të hollë dhe në
tërësi jashtëzakonisht pasionant".
Konstatimet e Bukart na grishin sot përfytyrimet për këta shkrimtarë që
hodhën bazat e letërsisë sonë… Edhe pse e quante veten thjesht një
vëzhgues, në analizën e Bukart gjejmë edhe kritika. Duket se një nga
shkrimtarët që ai ka dashur dhe kritikuar pak më shumë, është miku i
tij, Fishta.
Ky studim i ardhur tashmë në shqip, nën përkthimin e Sokol Haxhimusajt
dhe nga shtëpia botuese, "Dituria", është botuar për herë të parë në
vitin 1921, në Francë. Shkrimtari i njohur, Luan Starova, do ta gjente
këtë libër në Parisin e viteve ‘90-të, duke gjurmuar historinë e
familjes së tij. Në vendin e bukinistëve të Senës, në parajsën e
paimagjinuar të Borhersit, ai do të zbulonte Zhak Bukartin, i cili do
t‘ia bënte më të bukura ditët në Paris, dhe do t‘i jepte një përfytyrim
më të saktë të paraardhësve të tij letrarë.
This
article was originally published at http://www.gazeta-shqip.com/
All
rights reserved.