Ajo rrugicë e ngushtë, që të çon në një nga lagjet e rrugës "Ali Demi",
ku ka jetuar Robert Shvrac katër vjet më parë, dukej sikur e
reflektonte kudo humbjen. Njerëzit që jetonin shumë afër tij, do të
mësonin se përkthyesi i librave të tyre të preferuar kishte jetuar aq
afër tyre, vetëm atëherë kur afishet me portretin dhe emrin e tij do të
vendoseshin në cepa pallatesh, siç vendoseshin zakonisht. Robert
Shvarc, përkthyesi që nuk denjonte të qortonte sa herë që një botim i
ndonjë poezie të tij nuk kishte dalë ashtu siç duhet të gazetë, kishte
jetuar aty, në një apartament të thjeshtë, si pjesa më e madhe e
shqiptarëve të atyre viteve, dhe kishte mundur të ndiqte pasionin për
librat.
Katër vjet më pas, pikërisht sot, ajo lagje nuk ka ndryshuar shumë.
Shumë pak njerëz mund të sjellin ndërmend burrin e shkurtër me një
veshje të rregullt, por emrin e tij askush nuk mund ta harrojë. Ai të
shfaqet gjithnjë bashkë me përfytyrimin tënd me librat e dashur, si
Markez, Remark, Cvajg, Shiler, Hajne etj., të cilat ai i solli në
gjuhën shqipe me përkushtimin më të madh. Të flasësh për Robert Shvarc
edhe në një përvjetor të trishtë, siç janë gjithnjë përvjetorët e
vdekjeve, nuk mjafton. Kontributi i tij është i pakrahasueshëm në
gjigantët e letërsisë që solli në shqip. Miqtë dhe ata që e kanë njohur
nga afër, mund të flasin më tepër për njeriun e urtë dhe të ditur
Shvarc.
Ndërsa rrëmojmë në shtypin e kohës, për të gjetur diçka më tepër mbi
thëniet dhe atë çfarë ky njeriu i njohur i letrave tona ka bërë në
vite, trishtohemi me thëniet e tij. Përkthyesi, që solli në shqip
Remark, që kaloi vite të tëra për ta sjellë me të njëjtën ndjesi si
origjinali të "Harkut të triumfit", nuk mundi të shkelte asnjëherë
Parisin. Kohë më parë teksa kishte përcjellë të atin për në banesën e
fundit, i biri rrëfente se Parisi ishte një ndër pengjet që mori me
vete Robert Shvarc. "Ka ëndërruar shumë për atë qytet, shumë herë, por
nuk shkoi dot", shprehej kohë më parë Edvini. Në Shqipërinë
postkomuniste, një përkthyes i kalibrit të Shvarc nuk pati asnjëherë
mundësinë të merrte avionin dhe të kalonte kohë të tëra në Parisin që
kishte ëndërruar… Por lexuesit e "Harkut të Triumfit", ata që
gjithnjë e më tepër kërkojnë t‘i rikthehen këtij libri edhe pasi e kanë
lexuar njëherë, nuk kanë si ta mendojnë se burri që e ka përkthyer me
aq pasion, nuk i njeh rrugët e qytetit të njohur të kulturave. Por,
përkthimi është një eksplorim nëpërmjet përfytyrimit edhe në rrugët që
nuk ke shkelur, dhe Shvarc i dinte mirë rregullat e përkthyesit. Nuk do
të thotë të kesh jetuar gjatë në Gjermani për të përkthyer Hajnen, të
cilin ai e ka sjellë në shqip me perlat e krijimtarisë së tij. Ndaj dhe
Parisi, edhe pse ai donte aq shumë ta vizitonte, nuk mund të
kushtëzonte punën e tij për një përkthim të përsosur. Mjeshtri nuk mund
të gabonte, ai i dinte mirë teoritë e përkthimit…
Parisi është vetëm një peng i përkthyesit të madh, mijëra të tjerë
ndoshta dhe të vegjël ai i mori me vete, katër vjet më parë kur i
rrethuar nga njerëzit e tij më të dashur mori rrugëtimin e përjetshëm.
Rasti i Shvarc na rrëfen se ndonjëherë pamundësia për të pasur gjërat
që duam na e bën më të bukur rrugën e përfytyrimeve, dhe kjo i jep
përkthimit më shumë akses. Dhe ai ishte një burrë i mbushur me
përfytyrime, të vetmet që nuk e braktisën asnjëherë, kudo. E vetmja
vepër që ai la në dorëshkrim ishte "Eksodin", një roman i cili rrëfente
për historinë e origjinës së tij hebreje. Por, libri mundi të vinte i
plotë në shqip vetëm pak kohë pasi ai kishte mbyllur sytë nga i biri, i
cili përmbushi kështu një nga shqetësimet e të atit, pak para se të
shkonte. Eksodi ishte emri i anijes, me të cilën, një grup hebrenjsh të
internuar nga anglezët në Qipro, arratisen në vitin 1947 dhe pas shumë
pengesash shkelin në Tokën e Premtuar, në Palestinë. Ky roman historik
ishte më tepër se një përkthim, pasi rrëfente diçka më tepër për
origjinën e tij. Dashnor i madh i gjuhës shqipe, Shvarc do të ishte i
vetmi përkthyes në ato vite, kur përkthimet ishin më të kërcënuara se
asnjëherë nga masiviteti, i cili bënte apel për të ruajtur gjuhën
shqipe. Përkthyesi, që e shihte profesionin e tij si një pasion, që nuk
mund ta bënte kushdo, duke iu referuar përkushtimit me të cilin ai e
bënte, nuk mund të duronte dot variantet që vinin në shqip të autorëve
të ndryshëm të huaj nga përkthyes amatorë. Ai e vlerësonte gjuhën
shqipe në masën më të lartë të një vlerësimi. Ai shprehej kështu kohë
më parë: "Me përkthimet e mia, u kam treguar popujve fqinjë se gjuha
shqipe është një nga më të vjetrat dhe më të pasurat. Nuk ka asgjë të
papërkthyeshme në gjuhën shqipe, përderisa janë përkthyer vepra unike
si "Iliada" e Homerit, "Komedia hyjnore" e Dante Aligerit etj. Gjej
rastin t‘u bëj thirrje gazetarëve dhe gjithë të rinjve të ruajnë këtë
gjuhë si identitet të kombit, për më tepër tani kur shumë shqiptarë që
jetojnë jashtë vendit rrezikojnë të harrojnë gjuhën e tyre".
Por këto fjali që Shvarc i ka thënë vite më parë, vazhdojnë të
qëndrojnë ende si një apel për të gjithë ata që tentojnë të merren me
libra.
Por Shvarc mundi të merrte një pjesë të lavdisë së tij, gjatë kohës kur
ishte gjallë. Më 26 maj të vitit 1995, ai u nderua nga Presidenti
gjerman, Roman Hercog, me titullin "Kryqi i Meritës", e njohur si
dekorata e parë e Gjermanisë për vendet e Lindjes. Në muajin shkurt të
vitit 2003, me rastin e 70-vjetorit të tij të lindjes, kryetari i
Bashkisë, Edi Rama, i dorëzoi përkthyesit Robert Shvarc, titullin
"Qytetar nderi i Tiranës", ndërsa në mars të këtij viti u nderua me
titullin e lartë "Mjeshtër i Madh", nga Presidenti i Republikës, Alfred
Moisiu, titull të cilin në fakt ia kishte akorduar në dhjetor të vitit
2003.
Gjithçka që pulsonte në trupin dhe mendjen e burrit të njohur me emrin
Shvarc përfundoi katër vjet më parë, por gjithçka ai la pas do vijojë
ta mbajë gjallë për vite të tëra emrin e tij...
This
article was originally published at http://www.gazeta-shqip.com/
All
rights reserved.