Eqerem Çabej,
njëri prej emrave më të shquar të gjuhësisë shqiptare të shekullit XX,
është padyshim një monument kulture me një vend të veçantë në panteonin
e saj, të cilit i përulemi sot me respekt e nderim. Shumëkush do t‘ia
kishte zili veprën e larmishme në fushë të etimologjisë, të fonetikës e
të gramatikës historike, të dialektologjisë historike, të studimit të
autorëve të vjetër, të shqipes së sotme standarde e të raportit të saj
me dialektet e deri te studimi i letërsisë e folklorit.
Duke e vështruar gjuhën si një nga shfaqjet më të rëndësishme të jetës
së popullit, e studioi atë në funksion të ndriçimit dhe të zgjidhjes së
problemeve themelore të historisë dhe të kulturës kombëtare. Këtë
studim ai e mbështeti në elementet e tjerë etnokulturorë, në zhvillimin
e tyre historik, si dhe në kontaktet gjuhësore dhe kulturore me popujt
e tjerë.
Çabej kërkonte rrënjët e fjalëve për të provuar "rrënjët" e kombit; ai
do të studionte marrëdhëniet e shqipes me gjuhë të tjera për të
shpjeguar ndryshesat që vijnë nga gjuhët dhe kulturat në kontakt.
Çabej - vlerëson S. Mansaku- është njëri nga gjuhëtarët e parë
shqiptarë që përvetësoi, zbatoi në mënyrë krijuese në pajtim me
veçoritë dhe rrethanat e shqipes dhe integroi në mënyrë të natyrshme në
gjuhësinë historike shqiptare parimet teorike, metodat dhe kërkesat e
shkencës gjuhësore të kohës. Një ndër to është edhe metodologjia që
përdor krahasimin sistematik të formave gjuhësore si parim studimi dhe
njëkohësisht si mjet për rindërtimin historik të marrëdhënieve midis
gjuhëve, siç shprehet qartë në Deutsche Grammatik-ën e J.Grimm-it
(1918-1922).
Lidhur me metodën e zbatuar nga Çabej në studimet diakronike Demiraj
shprehet se si në studimet etimologjike, ashtu edhe në ato për
fonetikën, gramatikën dhe dialektologjinë historike, ai është
mbështetur në parimin që, duke u nisur nga faza e dokumentuar e shqipes
dhe duke shfrytëzuar të gjitha mjetet e mundshme, të ngjitemi
shkallë-shkallë në fazat më të hershme të saj. Nga ana tjetër, në
dallim nga mjaft studiues të huaj (përjashto ndonjë rast si Jokli), të
cilët niseshin në studimet etimologjike, historike, dialektore a
filologjike të leksikut nga gjuhët e tjera për të mbërritur tek
shqipja, Çabej u nis prej njohjes dhe përshkrimit të thellë të shqipes,
për të dalë e për t‘u krahasuar me gjuhët e tjera.
Çabej ishte mjaft rigoroz në punën studimore. Ai shprehet se "kurrkush
nuk ka të drejtë të shkruaj mbi gjuhë pa u pat marr viet me radhë me
studimin e vërtetë të saj … Se filologjia nuk është zbavitje, është
larg nga diletantizmi. Është dituri, dhe që të kapesh me dituri, duhet
të dish".
Nga shkolla e Gramatikanëve të rinj mori arritjet e fonetikës së
krahasuar, sidomos metodën e rreptë shkencore që zbatuan lidhur me
veprimin e ligjeve fonetike të gjuhës, për ta zbatuar në fonetikën
historike dhe në studimet etimologjike në fushë të shqipes.
Nga shkolla e Fjalëve dhe Sendeve (Schuchardt) ai mori parimin e njohur
të studimit të historisë së fjalëve bashkë me historinë e sendeve.
Historia e gjuhës shqipe do të studiohej e lidhur ngushtë me historinë
e kulturës së institucioneve dhe etnicitetin e popullit. Ky parim gjeti
zbatim sidomos te vepra e tij madhore "Studime etimologjike në fushë të
shqipes". Kjo është edhe vepra madhore e E. Çabej: 7 vëllime me mbi
4000 fjalë. Në këtë vepër studimi fonetik, gramatikor e semantik i
fjalëve të gjuhës shihet i lidhur me elementet e kulturës materiale e
shpirtërore të bartësve të saj. Objekt i analizës janë fjalët, të cilat
studiohen për nga përhapja e tyre në të shkuarën dhe në të tashmen,
vendi i formimit të tyre, zhvillimi i tyre i brendshëm, aftësitë
fjalëformuese, zgjerimi a ngushtimi i kuptimit, ndryshimi formal,
zhdukja, zëvendësimi me fjalë të tjera etj. Një vend të posaçëm në
metodën e tij të studimit zë edhe qëndrimi i tij lidhur me grupimin e
fjalëve në fond të trashëguar dhe fond të huazuar, duke iu dhënë
përgjigje disa gjuhëtarëve (sidomos Majerit), që e shihnin shqipen si
një gjuhë gati të romanizuar. Ai shtron tezën se si për fjalët me burim
vendës, ashtu dhe për ato të huazuara, duhet të mbahet parasysh
përhapja e tyre dhe denduria e përdorimit dhe se prania e elementit
vendës dhe atij të huaj tregojnë "në një anë shkallën e ndikimit të
huaj mbi shqipen, më anë tjetër shkallën e rezistencës së kësaj gjuhe".
Nëpërmjet një analizë statistikore ai tregon se fondi me burim vendës
është më i pasur se ai i huazuar.
Një nga kërkesat bazë të metodës së tij në studimin e etimologjisë së
fjalës ishte respektimi rigoroz i ligjësive fonetike, morfologjike,
fjalëformuese e semantike, që historikisht kanë vepruar mbi gjuhën
shqipe e në gjuhët në kontakt. Zbulimi i këtyre ligjësive mundësoi
rindërtimin e mjaft trajtave të hershme. Nga ana tjetër, krahasimi i
brendshëm u pa i lidhur ngushtë me faktorët jashtëgjuhësorë të
përmendur më lart. Zbatimi i parimeve shkencore të fonetikës dhe
gramatikës historike do të hidhte dritë për një varg çështjesh që ai
studioi si: evolucioni i sistemit zanor e bashkëtingëllor i shqipes
posaçërisht në lidhje me theksin, gjatësinë, dukurinë e metafonisë,
hundorësinë, diftongjet, zanoren ë të patheksuar, bashkëtingëlloret
grykore, grupet e vjetra të bashkëtingëlloreve nt, ng, nd, si dhe mbi
disa dukuri të tjera morfonologjike si ai i nyjeve, i shumësit të
singularizuar, gjinia asnjanëse etj.
Veçanërisht çështja e prejardhjes së fjalëve dhe afria gjuhësore në
faza të ndryshme të evolucionit kanë lidhje të drejtpërdrejtë me
çështjen kombëtare dhe autoktonietetin e saj. Sipas këtij koncepti,
shqipja e sotme ruan me konservatizëm ashtin e lashtë të substratit:
gjuha dhe etnosi i këtij populli janë në vazhdimësi të atdheut të
parëve të shqiptarëve dhe të territorit të tyre. Evolucioni organik i
gjuhës është bërë në lidhje të ngushtë me evolucionin e kulturës
materiale dhe shpirtërore të popullit shqiptar, duke e parë këtë
mekanizëm në shtrirjen e tij kohore e hapësinore.
Një vend të veçantë në studimet etimologjike zë onomastika. Te jeta e
toponimeve, në shfaqjen e trajtave të tyre, fotografohet jeta e moçme e
etnisë dhe autoktonieti i saj. Ndryshe nga fjalësi tjetër i gjuhës, i
cili ndryshon në faza të caktuara të zhvillimit, emrat e toponimeve nga
vetë natyra e tyre janë më të ngurtësuara, kësisoj më jetëgjata dhe
përbëjnë dëshminë më të besueshme që shqiptarët janë të ngulitur qysh
në krye të herës e vazhdojnë të jenë në këtë truall nga mot e deri sot.
Onomastika dëshmon edhe për pjesën tjetër të leksikut të përgjithshëm i
cili, në fakt, është më i hapur ndaj ndryshimit. Ai pohon se "materiali
onomastik përbën në një farë vështrimi një pjesë të pashkruar dhe me
këtë edhe një pasurim të leksikut, një rëndësi dyfishe për një gjuhë me
traditë relativisht të vonë shkrimi, siç është shqipja". Me anën e
shembujve të shumtë, studiuesi dëshmon se emrat e mjaft viseve kanë
ruajtur trajtën e vjetër ilire. Për vetë natyrën e kësaj dukurie,
studimi i tyre është bërë me një metodologji studimore komplekse, e
cila gërsheton metodat gjuhësore, historike, gjeografike, etnografike.
Etimologjia çabejane është në fakt historia e gjuhës shqipe, e cila
përkthehet në histori të popullit dhe historia e popullit të orienton
drejt përcaktimit të gjenezës, të substratit dhe të autoktonietetit.
Ai iu përmbajt tezës së prejardhjes ilire të gjuhës shqipe dhe të
autoktonisë së shqiptarëve, duke u mbështetur në argumente
brendagjuhësore dhe jashtëgjuhësore. Çështja e prejardhjes ilire të
gjuhës shqipe nuk është çështje thjesht gjuhësore. Vërtetimi i saj
lidhet ngushtë me një kompleks problemesh historike, arkeologjike dhe
etnografike, pasi gjuhët nuk janë madhësi që jetojnë të izoluara, "se
historia e gjuhëve në thelb është pasqyrë e historisë së popujve e
kulturave". Çështje themelore si: prejardhja e kësaj gjuhe ballkanike,
vendi ku është folur qysh në krye të herës, pozicioni i saj në raport
me gjuhët i-e dhe marrëdhëniet e saj me gjuhët ballkanike do të
përbënin ndër drejtimet kryesore të orientimit të metodës kërkimore
çabejane.
Ndryshe nga ithtarët e drejtimit tjetër, që origjinën e shqipes e
lidhnin me burimin trak apo me dokomizishten ballkanike, ashtu si dhe
shumë gjuhëtarë të huaj, Çabej i përmbahet tezës së prejardhjes ilire
të shqipes. Për një varg çështjesh të shtruara nga ithtarët e tezës
joilire si: evolucioni i toponimeve të vjetra vendase, mungesa e
termave të lundrimit në gjuhë, mospërmendja e shqiptarëve para
shekullit XI të erës sonë, lidhjet e hershme mes shqipes e rumanishtes,
mungesa e pretenduar e huazimeve nga greqishtja e vjetër dhe nga
latinishtja, me punimet e tij, ai provoi me argumente të tjera
shkencore, përveç atyre që ishin hedhur, se gjuha shqipe e ka origjinën
nga ilirishtja. Kjo tezë ka gjetur edhe shtrirjen më të gjerë ndër
studiues vendës dhe të huaj.
E rëndësishme është të theksohet se, më shumë se hulumtimi në një
shkencë të veçantë, me objekt, metodë e ligje ad hoc, studimet çabejane
u mbështetën në një tërësi të ndërthurur argumentesh, që buronin e
mbështeteshin në mënyrë të ndërsjellë nga fusha të shkencave të
ndryshme si gjuhësia, gjeografia, historia, kultura, onomastika,
etnologjia, mu si një filozofi e kundrimit të një bote sa komplekse aq
edhe homogjene. Metoda e tij ishte tërësisht historike e krahasuese,
sepse ajo i përmbahet aq zhvillimit të brendshëm të shqipes, pra fazave
të evolucionit të saj, sa dhe krahasimit me gjuhët në kontakt
gjeografik e historik, lidhjes gjuhësore ballkanike a marrëdhënieve
brenda familjes së gjuhëve me prejardhje nga i njëjti trung
indoevropian.
Parimet metodologjike të neolinguistikës janë një burim tjetër i
rëndësishëm në veprën e Çabejit. Që prej botimit të Atlas Gjuhësor i
Gjermanisë Veriore më 1881 nga Georg Wenker, filloi një erë e re në
këndvështrimin metodologjik të gjuhësisë areale e në veçanti të
dialektologjisë, që do të shprehej qartë e plotësohej në veprën e Jules
Gillieron Atlas Linguistique de la France (1902-1912). Parimi që u
konstatua ishte se shpërndarja në territor e tipareve fonetike nuk
duket e rregullt dhe homogjene dhe se shpeshherë fjalët ndikohen edhe
nga faktorë të tjerë si etimologjia popullore e homofonia. Areali i
përhapjes së fjalëve, përcaktimi i kufijve dialektorë dhe i të folmeve
brenda vetë gjuhës nga njëra anë, dhe i vetë gjuhës në raport me gjuhët
e tjera brenda arealit indoevropian nga ana tjetër, janë disa nga
orientimet e kërkimeve çabejane. Këtë gjë e vëmë re sidomos në
përgatitjen e Atlasit Gjuhësor, një ide kjo e hedhur qysh më 1929 nga
M. Bartoli, e cila u mor më vonë nga Taliavini. E. Çabej ishte anëtar i
Komisionit ad hoc për hartimin e atlasit dialektologjik të shqipes
(1942) dhe hartoi një pyetësor me 2578 pyetje (në të dyja gjuhët), që
rroknin një tematikë të gjerë të veprimtarisë së njeriut. Kjo punë
përgatitore nuk mundi të kurorëzohej për shkak të Luftës së Dytë
Botërore dhe të pasojave që solli në vendin tonë e më gjerë.
Metoda e tij është e rëndësishme edhe në fushën filologjike. Studimi i
autorëve të vjetër lidhej jo vetëm me njohjen e tyre, por edhe për të
rindërtuar fazat sinkronike të një evolucioni në rrafshin fonetik,
gramatikor e leksikor, që ka pësuar gjuha shqipe përgjatë zhvillimit të
saj. Të folmet arkaike do të përbënin edhe brumin që ai do të
shfrytëzonte për të ndërtuar etimologjinë e fjalëve të gjuhës shqipe,
për të përcaktuar prejardhjen e saj, si dhe për të studiuar ligjësitë
fonetikore, gramatikore, fjalëformuese e semantikore. Me rëndësi nga
pikëpamja e metodës së përdorur është transliterimi dhe transkribimi i
"Mesharit", si dhe një studim i plotë në hyrje, një punë e vyer disa
vjeçare. Çabej arrin në përfundimin se Meshari nuk duket se është vepra
e parë e shkruar në shqip, ai na paraqitet me një ortografi tashmë të
ngulitur. Sipas autorit kjo vepër dëshmon se ka pasur qysh në Mesjetën
e vonë një traditë letrare liturgjike, me një ortografi pak a shumë të
kristalizuar. Mbështetur dhe në studimin e gjuhës së Pjetër Budit,
autori arrin në përfundimin se gjuha e shkrimtarëve të vjetër të Veriut
dëshmon për ekzistencën e një koineje. Ai është i mendimit se
pavarësisht nga prejardhja dialektore, këta shkrimtarë u ngritën në një
gjuhë shkrimi mbidialektore. Këtë gjë e dëshmon edhe fakti i përkthimit
të kësaj vepre në një kohë mjaft të shkurtër, gati dhjetë muaj. Kjo
vepër hodhi edhe themelin e traditës së shkruar, nga do të fillonte
edhe historia e gjuhës së shkruar, duke u kthyer në monumentin më të
madh kulturor të shqiptarëve.
Çabej u mbështet edhe në parimet teorike të gjuhësisë së përgjithshme,
në koncepte të tilla si: sistemi, struktura, karakteri funksional i
gjuhës, raportet standard/dialekt, raportet gjuhë/mjedis shoqëror,
gjuhë/etni, parimet leksikologjike e leksikografike për hartimin e
fjalorit të 54-ës, parimet fonetike e grafike të Kongresit të
Drejtshkrimit të 1972. Qëndrimi i tij për standardin e shqipes ka pasur
si kusht mbledhjen e materialit të gjuhës së gjallë e sidomos njohjen e
studimin e tij në tërësinë e rrafsheve gjuhësore dhe të arealit të
shpërndarjes së tij. Më pas mund të flitej për përzgjedhjen e një
koineje të standardit, një normë të standardit etj.
Megjithatë, ai ishte i bindur për domosdoshmërinë e një standardi në
kushtet e funksionimit dhe të epërsisë politike të shtetit të njësuar.
Ndër parimet metodologjike të formimit të gjuhës standarde ai do të
përmendte thjeshtimin e strukturës fonetike e gramatikore si dhe
pasurimin e leksikut, konvergjencën në rregullat e drejtshkrimit si dhe
mbështetjen në gjuhën e gjallë të popullit, nga do të dalin edhe
rregullat e përdorimit.
Për çështjen e gjuhës së përbashkët letrare, Çabeji ka qenë fillimisht
mbështetës i tezës së Komisisë Letrare të Shkodrës, e cila e shihte
bazën e standardit në pikëtakimin midis gegërishtes dhe toskërishtes,
pra Shqipëria e Mesme. Më vonë ai do t‘i bashkohej mendimit që doli nga
Kongresi i Drejtshkrimit. Parimi që shpreh Çabeji është se ky standard
"paraqet një realitet dhe njëkohësisht rezultatin e një farë
abstrakcioni të formuar gjatë kohës, në mënyrë që nuk përputhet krejt
me një dialekt territorial të caktuar, as edhe me dialektin që përbën
bazën e saj …". Nga ana tjetër, Çabej theksonte domosdoshmërinë e
mbështetjes në traditën e mirë për një gjuhë të pastër, të thjeshtë dhe
të bukur, larg ndikimit të fjalëve të huaja. Shkalla e pasurisë dhe e
pastërtisë së gjuhës është tregues i nivelit të kësaj kulture - thotë
ai.
This article was originally published at http://www.gazeta-shqip.com/
All rights reserved.