Welcome to
  LoginServices | About Albania | Career | Translation Articles | Contact Us
Bullet  Home

Bullet  Services

Bullet  About Albania

Bullet  Resources

Bullet  FAQ

Bullet  Contact Us





A collection of Albanian Grammar e-books



 
Kur përkthente Kokona
Posted on Tuesday, November 11 @ 03:30:30 EST
Topic: Albanian articles

TranslationLocalizationInterpretationDTP & Printing


 
 

Shënimet që përkthyesi i njohur ka lënë për kohën kur shqipëronte poetët e njohur francezë, të përmbledhur tashmë në librin "Lule të pavenitura"

Në Korçën e viteve ‘28-‘29, në një shtëpi përdhese, me një oborr të madh e të bukur, shtruar me plloça ngjyrë hiri, zbukuruar anëve me gëlqere, çdo të shtunë, Vedat Kokona, atëherë vetëm një djalosh, e kishte sjellë "Parisin" në atë cep aq të ngrohtë të asaj shtëpie. Qyteti, i cili ende sot vazhdon të jetë "një shtëpi e ngrohtë" për emra të njohur të letrave, në atë kohë zgjonte te djaloshi aq i paqtë me fytyrë shqiptari, ca ndjesi të pazakonta, që ia bënin orët në atë shtëpi aq të dashura.


Ishin vitet ‘28-‘29, koha e mbretërisë së Zogut dhe ashtu siç kujton Kokona, Korça ishte e mbuluar nga bora. "Ishte ajo kohë kur bënte shumë dimër në Korçë, kur bora fillonte të binte si me porosi më 28 nëntor për të mbledhur pëlhurën e bardhë andej nga fundi i prillit. Në dhomën e madhe, që kishte si stoli vetëm fotografinë e të zotit të shtëpisë me flokë, vetulla e mjekër që nxinin si qymyri i pandrequr i mangallit, me jakë të lartë të kollarisur, si të atyre burrave të shekullit të kaluar, vdekur shumë vjet më parë, vinte thëllimi që hynte nga plasat e dritareve dhe më thante shpinën", shkruan ai.

As mangalli me prushet gjysmë të shuara, s‘kishte si t‘ia ngrohte duart e ngrira, por afshi i zemrës djaloshare ishte më i fortë se të ftohtit e mprehtë dhe dora e ngrohur nga ky afsh hidhte në letër këngën që i këndonte shpirti. "Rrija i kërrusur mbi tryezë, i pështjellë, apo i ‘zgullosur‘, siç thoshte nëna ime, me pallton e madhe, rrethuar mirë qafën me shallin e leshtë dhe me kasketën e liceut në kokë", kujton ai.

Mbi gjunjë mbante shpesh një tufë me poezi franceze, që prej kohësh mendonte si t‘i sillte në gjuhën e tij shqipe. "Në mos gabohem poezia e parë që doja të përktheja ishte ajo e ‘Natës mbi Oqean‘ e Hygoit. Kjo poezi më kishte bërë për vete. Iu përvesha punës dhe pas shumë përpjekjesh hoqa dorë nga frika se mos mbytesha në oqean si ata detarët, vdekjen e të cilëve e vajtonte poeti me një shpirt aq të mallëngjyer", kujton.

Këto kujtime, që datojnë gati gjysmëshekulli më parë, na vijnë sot në një parathënie që shoqëron librin "Lule të pavenitura", me poetë francezë, nën shqipërimin e Vedat Kokonës, botuar nën kujdesin e së bijës, Mirvjenit.

Por, këto shënime që i lexon po me aq ëndje sa edhe poetët që mjeshtri Kokona na i servir, na çojnë në një kohë tjetër, që është po aq interesante sa këto poezi. Koha që ka ekzistuar brenda Kokonës, teksa mundohej të sillte në shqip poetët e tij të dashur. Nëpërmjet këtyre shënimeve ne zbulojmë grimca nga jeta e dikurshme e një njeriu për të cilin gjithmonë duam të dimë diçka. Dhe Kokona duket se është një nga autorët që ka qenë më bujar në këtë drejtim. I pasionuar pas rrëfimeve, ai gjithnjë ka lënë pas shënime jo vetëm nga udhëtimet, por edhe nga momente aq intime, siç është akti i krijimit. Le të vazhdojmë me shënimet e tij. "Edhe pas shumë vitesh, kur më kishte djersitur mustaqja, u përpoqa disa herë ta ktheja në gjuhën time, por si ai udhëtari që ndalet i lebetitur përpara skërkave të asaj rrëpire ku kërkon të ngjitet, e sheh të udhës të heqë dorë për të mos thyer qafën, ashtu bëra edhe unë: lemerinë ma jepnin sidomos tri vargjet e para, ajo oshtimë e mbytur e zanores ‘o‘ që përsëritej nëntë herë si rënkimi i një kënge vajtimi, si një kujë kori antik që vinte nga thellësitë e oqeanit dhe oshtinte në shpirtin tim të dredhur si tingujt e kambanave të kishës së vllehëve gjithë ditën e të premtes së zezë... Një ditë më tingëlloi te veshi një varg i bukur që kisha lexuar diku dhe për çudi, vetvetiu më tingëlluan pastaj fjalët: ‘Thomëni ku, në ç‘vend ta di...‘. U përpoqa pas shumë vjetësh ta këndoja në shqip Baladën e bukur të Zonjave të Qëmotit të Vilonit, por edhe ajo mbeti e pakënduar...", kujton ai.

Dhe përkthimi nuk është një proces i lehtë. Ashtu si shkrimtari vuan gjatë me atë çfarë është brenda tij në momentin kur kërkon ta shndërrojë në fjalë dhe përkthyesi ka të njëjtën vuajtje me fjalët. Por, një vuajtje e bukur kjo, do ta quante Kokona. "Përkthimi s‘është si një kokërr peme e pjekur, e bukur e lëngshme, e shijshme që t‘i matesh ta futësh në gojë. Ajo duhet mbjellë, pa duhet kujdesur për të, derisa të rritet dhe të kapitet e pastaj ta hash. Tani që kthej kokën nga prapa dhe vështroj se ç‘udhë të gjatë kam bërë, sa jam munduar dhe sa djersë kam derdhur, çuditem dhe vetë me punën që kam bërë. Kur ju thashë çiltërsisht se si hoqa dorë nga shqipërimi i poezisë së Hygoit dhe shoh tani këtë pirg vargjesh që kam përpara tani, kam atë ‘qartësinë e zbehtë të yjeve që ndijnë‘, që s‘e kam më trarin para syve dhe që shoh edhe qimen që, sado e imët bën hije në gjergjefin tim, desha t‘ju them vetëm këtë: kjo punë, të cilën pa u matur me hijen e mëngjesit apo të mbrëmjes mund ta quaj fort të guximshme, u bë dhe s‘do të bëhej kurrë sikur të ishte bërë atëherë kur u bë. Pjesa më e madhe - më se tri të katërtat, është bërë atëherë kur, siç thotë poeti, në dejt më ziente vera e rinisë, kur fryma qiellore më përshkonte flatrat dhe më ngrinte përpjetë pa kuptuar as unë vetë si. Lulet që kishin mbirë e qetë rritur në një klimë të bukur nuk mund të rriteshin kurrë në stuhinë që pasoi", shkruan Kokona.

Ashtu siç na thotë dhe ai vetë në kujtime, vetja i ngjasonte me atë njeriun që kur shkel në Francë apo në Paris dhe sheh gjithë ato bukuri të rralla, Luvrin, Versajin, Fontenëblonë, kështjellat e Luarës dhe shumë e shumë bukuri të tjera, mbetet i mahnitur dhe i trallisur kur mendon nga ka ardhur dhe ku do të kthehet. "Në pamundësi për të sjellë gjithë këto bukuri në vendin e vet, NotreDamën buzë Lanës dhe Versajin në kodrinat e Tiranës, e ngushëlloja veten me mendimin se këto bukuri mund t‘ua tregoja bashkatdhetarëve të mi me fjalët e mia, që të kishin të paktën një ide nga ç‘kisha admiruar jashtë. Por, këtë mendim e pata shumë vjet më vonë, ku s‘e kisha më atë zjarrin e rinisë që bën mrekullira, por që kisha fituar mjaft përvojë për t‘i mbajtur përherë të freskëta ato lule që kisha këputur, duke i ujitur me dashuri, duke ua marrë pluhurin çdo mëngjes dhe duke u kënaqur me to si ajo e fejuara që i gëzon lulet që ia ka dërguar i fejuari", kujton ai. Ai kujton se e gjithë kjo punë është filluar diku nga vitet ‘30. Fillimisht këto poezi do t‘i botonte në revistën "Minerva" të Nebil Çikës, në të përjavshmen "Illyria" me kryeredaktor Ernest Koliqin, në "Përpjekjen shqiptare" të Branko Merxhanit, apo në të përditshme të tjera të kohës.

Kokona kujton se guximin për të nisur përkthimin e këtyre autorëve ia nxitën dy miq të mirë, si Selman Riza dhe Hamit Kokalari. Janë interesante shënimet që ai mban për çdo poezi. Si të gjitha përkthimet që bënte Kokona ato përcjellin sot emocionet jo të zakonta dhe lidhjet e forta që ai kishte me çdo autor.

Por, ashtu si edhe një njeri i zakonshëm, që kur përfundon një punë mendon se mund ta kishte kryer edhe më mirë, të njëjtën gjë pohon edhe Kokona në fund të këtyre shënimeve. "Dhe tani që shleva huan që kisha marrë ndaj vetes dhe i hedh një sy punës së kryer, vërej me keqardhje se ç‘është bërë mund të bëhej edhe më mirë. E para e punës, kjo përmbledhje poezish nuk është një antologji. Një pretendim i tillë do të ishte krejt pa vend, jo vetëm që ajo mbetet te Baudelaire, siç nuk mbeti mjerisht mosha kur ajo u krijua, por edhe brenda ciklit të saj ka zbrazëtira që mund të mbusheshin po të qe se autori do të kishte një synim të tillë. Le të mbetet ashtu siç është: një diademë pa disa gurë të mirë që i kanë rënë në vallen e përjetshme..."

Dritëro Agolli



Takimi i fundit me Kokonën


Vedat Kokona, si një intelektual i lartë i fushës së kulturës dhe letërsisë dhe si poet, i njihte shumë mirë çështjet e përkthimit. Duke biseduar me mua, një javë para se të vdiste, në prani të miqve të mi, Moikom Zeqos dhe Agim Meros, tha se puna e përkthimit është e vështirë. Tek bisedonim - ai ishte në shtrat -ra fjala që në përkthimet e poezisë ka tri mënyra: e para t‘i qëndrosh besnik edhe në ritëm, edhe në rimë; e dyta të mos mbash parasysh ritmin dhe rimën e origjinalit, por t‘i japësh një ritëm dhe një rimë si të të vijë për mbarë; e treta ta përkthesh lirshëm dhe të mos marrësh parasysh as rimën dhe as ritmin. Vedat Kokona u ngrit pakëz nga shtrati, u gjallërua dhe pastaj gati sa s‘u ngrit në këmbë. Ne, Agimi, Moikomi dhe unë, bashkë me Vedatin i pimë gotat dhe pas një jave ai mori rrugën e moskthimit.

Por mua më mbeti në mendje ajo fjalë e Vedat Kokonës, që më tha se është mirë që në poezi në ritëm dhe në rimë t‘i qëndrohet origjinalit. Dhe vërtet, poezia e përkthyer e Vedat Kokonës nëpërmjet frazeologjisë të jep në mënyrë të pavetëdijshme diçka franceze. Vedat Kokona është një poet dhe një shqipërues i shquar jo vetëm në poezi, por edhe në prozë. Ai ka përkthyer në gjuhën shqipe vepra në prozë si ato të Tolstoit e me radhë. Por, mbi të gjitha, Vedat Kokona mbetet një poet i shquar.


Biografia


Vedat Kokona lindi më 8 gusht 1913, në Izmir të Turqisë, nga një familje intelektuale shqiptare. I ati, Elmazi, ishte avokat. Më 1920 kthehet në Tiranë, ku kreu shkollën fillore. Më 1935-ën përfundoi Liceun e Korçës, pastaj ndoqi studimet e larta në Paris për Drejtësi. Që kur ishte nxënës, ra në sy prirja e tij për mësimin e gjuhëve të huaja. Gjuhën frënge e përvetësoi mjaft mirë. Pas përfundimit të shkollës, u emërua në Gjykatën e Krujës, ku nuk shkoi të merrte detyrën. Më vonë emërohet mësues i gjuhës shqipe në Liceun e Korçës. Aty, Kokona u dallua si një mësues i zoti dhe intelektual neutral. Në fillim të viteve ‘40 e emëruan në gjimnazin e Tiranës. Me pushtimin fashist, kur Kokona punonte si mësues, do t‘i kërkohej që të spiunonte nxënësit dhe të merrej me punë që nuk mund t‘i pranonte karakteri i tij. Kështu, kjo ishte edhe arsyeja që dha dorëheqjen nga profesioni i mësuesit. Pas luftës shërbeu si mësues në gjimnazin "Qemal Stafa". Më 1949-ën emërohet redaktor dhe përkthyes në shtëpinë botuese "Naim Frashëri". Për një kohë të gjatë punoi si pedagog në Universitetin e Tiranës. Ai shërbeu si mësimdhënës në katedrën e gjuhës frënge derisa doli në pension. Vedat Kokona mban tituj, urdhra dhe dekorata të shumta. Ai është doktor "Honoris Causa" i Universitetit të Tiranës, "Kalorës i Urdhrit të Arteve dhe të Letërsisë", "Oficeri i Palmave Akademike Franceze". Vedat Kokona ia kushtoi pjesën më të madhe të jetës dhe të punës rrezatimit të gjuhës frënge. Ai ishte një nga leksikologët më të mirë të kësaj gjuhe. Nga mendja dhe dora e tij dolën mjaft fjalorë shqip-frëngjisht dhe anasjelltas. Fjalorin e parë e botoi në vitin 1932. Fjalori i fundit është me 40 mijë fjalë. Ai është autori më i rëndësishëm në fushën e leksikologjisë dhe leksikografisë. Kokona është një nga përkthyesit më të njohur të vendit tonë. Që në moshë të re dha kontribut të ndjeshëm në lëmin e përkthimeve në poezi dhe në prozë. Nga ai janë përkthyer në shqip vepra të tilla si "Ana Karenina" e Leon Tolstoit, "Fundërrinat" e Maksim Gorkit, "Saga e Forsajtëve" e Xhon Goll-Suarthit, "David Koperfild" e Dikensit, "Udha e Volokolamskut" e Aleksandër Bekut, "Stuhi në Gang" e Rabindranat Tagores etj. Kokona ka sjell në shqip rreth 15 mijë vargje nga poezia botërore. Ai ishte një nga përkthyesit kryesorë nga frëngjishtja, italishtja, anglishtja dhe rusishtja.




This article was originally published at http://www.gazeta-shqip.com/
All rights reserved.





 
· More about Albanian articles
· Articles by genta


Most read story about Albanian articles:
Historiku i gjuhës shqipe

Average Score: 0
Votes: 0

Please take a second and vote for this article:

Excellent
Very Good
Good
Regular
Bad


 Printer Friendly Printer Friendly

"Login" | Login/Create an Account | 0 comments
The comments are owned by the poster. We aren't responsible for their content.

No Comments Allowed for Anonymous, please register
Services | About Albania | Career | Resources | Links | Contact Us
Copyright© 2006-2009. Terms & Conditions, Privacy
Translation, Localization and Interpretation ServicesGALA Member Company