Tranzicioni i tejzgjatur shqiptar ka ndikuar jo vetëm në politikë,
ekonomi, karakter, por edhe në huazimet gjuhësore. Tendencat e huaja
gjithnjë kanë bërë vend në territorin shqiptar. Duke qenë një vend i
vogël, strategjik, gjithnjë të huajt kanë plaçkitur kulturë dhe kanë
lënë zakone të mbrapshta dhe një mënyrë të shprehuri, që thellë-thellë,
nuk u përket rrënjëve tona. Kosova ka jetuar gjithnjë nën represionin
serb dhe si e tillë, është munduar ta ruajë gjuhën e saj shqipe në
thelbin e saj, duke ruajtur të folurën më të kulluar që i përket
gegërishtes së vjetër. E tek të kujtohet fjala - shitore - të duket
shumë larg fjala - market - dhe një cungim i bukur i fjalëve krijon një
origjinalitet dhe bukuri gjuhe, nëse ne themi - domosdoshmëri -
kosovarët thonë -domosdoja-, përveç - përpos, fëmija - fëmiu, i arritur
- i përmbushur. Por sigurisht, një shqipeje të kulluar i janë kthyer
dhe shkrimtarët më të modës, si dhe kokat e arta të letërsisë, që kanë
qenë gjithnjë fanatikë ndaj përdorimit të gjuhës së tyre të mëmës, si
një gjest atdhetar dhe një detyrë për t‘ua transmetuar brezave të
mëvonshëm. Një pjesë e madhe artistësh të penës, ndërmjet tyre dhe të
rinjtë, i janë kthyer dialektit me shumë përkushtim. E nëse do citonim
një poezi të Ledia Dushit do kuptonim gjithë bukurinë e gegërishtes:
Kanë mbarue kumbllat; vera asht rrëzue n‘përrue… Jam kthye n‘mal…
Mbramja m‘varet n‘shpinë, zjermi del prej kështjellash… Asht festë…
Ndër drita varun n‘qiell, kryet tem i vdekun.
Por, sigurisht, nuk është qëllimi ynë të flasim në këtë tendencë vetëm
për letërsinë, por për të gjitha sferat e jetës shqiptare. Fjalë të
reja kanë zënë vend në gjuhën e përditshme të komunikimit, ndërkohë që
letërsia është shumë më e kujdesshme.
E teksa ka nisur të jetë një përshëndetje shumë e modës fjala -tung-
shkurtim i -tungjatjeta- herë pas here të zë veshi funde bisedash, si:
hajt pra ciao, ose: okey, paçim! Një miks gjuhësh që duket pak e
habitshme, por që është një mënyrë e re të foluri. Dhe njerëz në moshë
madhore i dëgjon të shqiptojnë këto përshëndetje. Nën ndikimin e
telenovelave në gjuhën portugeze, vajzat e vogla që adhurojnë Zhaden
kanë nisur të përmendin pas çdo fraze: Allah Allah! Dhe Hola! Një modë
së foluri prej orienti.
Nëse padashur do hysh në mënyrën se si të rinjtë përshëndeten, patjetër
që do keqkuptohesh me fjalët. Ja disa shprehje: Hë mi lace! Që do të
thotë: Hë mi parazite, njeri që e vret kohën kot. Ej bobi, që në gjuhën
e adoleshentëve përkthehet Hë more boss, rob me pare. Hë figurë,
ç‘kemi! Që do të thotë që je shumë i njohur nga të tjerët për bëma.
Ose: Hë tipi! Përkthehet, je shumë gazmor. Përdoren dhe fjalët patok,
rosak, derrkuc e shumë epitete kafshësh që padyshim lidhen me
ngjashmërinë e formës së trupit, të fytyrës apo ecjes. Kjo është gjuha
e adoleshentëve shqiptarë. Një gjuhë që padyshim do ndryshojë dhe nën
ritmin e kohës do mbetet veç një kujtim i shkuar.
Por ndërsa lojërat e moshës bëjnë të vetat, përdorimi i fjalëve të
huaja ka zaptuar shtresën e lartë të shoqërisë. Elita, përfshirë këtu
dhe politikanët, ose përdorin një gjuhë të pakuptueshme ku frazat dhe
terminologjitë mbizotërojnë, ose bien kryekëput në hulli mendimesh, që
i çojnë dhe të tjerët në qorrsokak. Duke sjellë një hendek të madh mes
politikës së tyre të pakuptueshme dhe popullit të thjeshtë.
Karakteristikë e Parlamentit shqiptar është përdorimi pa fund i
frazeologjisë së rënduar me sofizma. Por ndodh një fenomen i çuditshëm.
Kur sherret janë pikante dhe ndoshta nga më të vështirat, pra në
momentet më delikate të karriges së tyre funksionare, me shumë dashuri
politikanët i kthehen gjuhës së popullit duke i nxjerrë dhe me tepri
nga bagazhi i tyre. Shumë herë, në kulmin e kontradiktave të mendimit,
ata nuk kanë turp të shqiptojnë dhe fjalë të ndyra, që janë kundër
etikës së komunikimit. Por, fundi i fundit, jemi shqiptarë dhe, siç
thotë Dritëroi, nuk ndihemi rehat nëse nuk ulërijmë për të nxjerrë
marazin tonë dhe nuk shqiptojmë ndonjë fjalë të ndyrë ose ngremë dorën.
Vetëm një pjesë e madhe intelektualësh që e duan veten e tyre, që
vlerësojnë më shumë se gjithçka Atdheun ku kanë lindur, bëjnë
maksimumin e tyre për të gjetur fjalë që kanë një tingull të bukur në
shqip. Sigurisht që meritën e madhe e kanë përkthyesit e mëdhenj si,
Shvarc, Nonda Varfi, të cilët përmes përkthimit të perlave të letërsisë
kanë qëndisur gjuhën shqipe. Pa harruar këtu dhe shkrimtarët e mëdhenj
që nga Naimi, Kadare, Dritëroi, Xoxe që rrëmojnë në thesarin e popullit
për të gjetur kryevepra. Një fjalë shqip që populli e ka krijuar me
shumë mençuri tingëllon vlerë dhe respekt për ta futur në gjuhën e
mendimit dhe të shprehjes. Le të bëjmë disa krahasime: djalë i ri -
djalë riosh, nëse do thoshe - e vetme - s‘mund ta krahasosh me fjalën
popullore - kallogre -, ose sprapsem - zbyth. Populli ruan thesare të
mahnitshme, ku dija njerëzore është grumbulluar me aq shumë mund.
E megjithatë, modërat e reja që kanë nisur të duken dhe në emërtimet e
rrugëve, duket sikur i bëjnë indiferentë njerëzit realë. Fenomeni i
kujtesës së një populli nuk mund të ndryshojë shpejt. Janë disa
monumente, disa vende me emër që do mbeten jetë e mot, siç janë Pazari
i Vjetër, "Flora", Rruga e Elbasanit, Rruga e Kavajës, Tirana e Re e
shumë emra toponime, që lidhen me kujtesën e një populli dhe nuk mund
të zhduken lehtë.
Por huazimet nuk mund të frenohen nga askush. Sepse është koha e globalizimit të gjithçkaje. Dhe fundi i fundit kanë hyrë shumë.
Mjafton vetëm një shëtitje rreth 15-katëshit. Do të zënë sytë tituj
dyqanesh dhe baresh si, "London", "Firenze", "Biznes Shop",
"Internacional", "Chaplin", "Piazza", "Athina", "Akropoli",
"Carlsberg", "Manhatan", e shumë emra të tjerë qytetesh nga filli i
botës në fund të saj, që emërtojnë bare e dyqane. Disa prej pronarëve
kanë jetuar në ato vende dhe duket se i sjellin kujtimin duke emëruar
biznesin e tyre. Ndërkohë që restorantet popullore mbajnë tituj pak të
çuditshëm, por që japin ngrohtësinë e familjes "Tymi", "Xha Rrema",
"Oxhaku", "Devolli", "Korça", "Përmeti", "Ali Pasha", "Tepelena",
"Vjosa", "Kashta", "Tirona", "Tetovarët" e shumë të tjera. Emri, sipas
biznesmenëve, zgjidhet nga luksi. Nëse bëhet fjalë për një dyqan të
shtrenjtë duhet të jetë patjetër me emër të huaj, ndërkohë që ato të
dorës së lirë kanë emër shqiptar. Një lloj padrejtësie që ia bëjmë
vetes dita-ditës. Sepse duhet të kemi parasysh që të huajt do na
vlerësojnë siç duhet vetëm kur ne të jemi vetvetja, të kemi gjuhën
tonë, traditat tona.
Por shumë gjëra ne na shpëtojnë, ndoshta nga dëshira e madhe që kishim
për të qenë si bota. Para disa ditësh, një plak ishte duke u treguar
një histori familjare nipërve të tij. Dikush nga fisi i tij i kish
ardhur për vizitë në shtëpi. Quhej Mahmut. Fëmijët e tij, atëherë të
vegjël nuk e njihnin, por kur dëgjuan këtë emër filluan të kakariseshin
në të qeshura që s‘mbaronin. Dëgjon dhe miku dhe i thotë të zotit të
shtëpisë: Përse qeshin fëmijët? i zënë ngushtë, plaku që atëherë kish
qenë rreth 35 vjeç, i thotë pak me turp: Qeshin për emrin tënd. Po kush
ta ka vënë more derëzi? Dhe i nis dhe atij kukuritja. Më pas gjithçka
kthehet në shaka. Në kohët e shkuara prindërit, të kushtëzuar nga
kushtet ekonomike dhe zakonore, derdhnin tek e ardhmja e tyre një
dëshirë për të frenuar vullnetin e Zotit për shumë fëmijë. Sose,
Mbarime, Mjaftoni, ishin emra që janë krijuar nga dëshira për të mos
bërë fëmijë tjetër dhe që ishin rrjedhojë e varfërisë që kishte
pllakosur ekonominë shqiptare. Emra të tij vihen shumë rrallë në ditët
e sotme, vetëm në nderim të ndonjë gjysheje që nuk jeton më, duke marrë
një rrokje dhe duke e modernizuar. Meqë përmendëm punën e emrave, në
kohën e diktaturës shumë fëmijëve që lindnin u vihej emri i diktatorit
dhe i fëmijëve të tij. Një gjë që ndodh në gjithë diktaturat e botës.
Tre vjet më parë kur u rrëzua diktatori i Irakut dhe mbi 50 mijë veta
ndërruan emrin e tyre. Quheshin Sadam. Një mentalitet që fundi i fundit
pikaset në të gjitha vendet e botës.
Por emrat e bukur shqipe janë shumë, si: Flutura, Shpresa, Bajame,
Pranvera, Shega, Fatime, që i përkasin një brezi që do zhduket pa u
ritransmetuar. Ndërkohë që emrat: Gëzim, Bashkim, Urim, Përparim,
Alban, duket sikur përdoren më shumë në Kosovë sesa në Shqipëri.
Tendenca e shqiptarëve është t‘u vënë emra të huaj fëmijëve të tyre,
duke menduar se janë shumë internacionalë dhe kuptohen nga të gjithë.
Emra si: Alba, Stela, Keti, Luis e shumë amerikanizma, italianizma,
greqizma kanë pushtuar listën e thërritjes së emrit nëpër shkolla. Kjo
tendencë është akoma më e madhe në vendet ku shqiptarët kanë emigruar.
Por sigurisht dhe ky është një shtrembërim që i bëjmë vetes,
thjeshtësisht pa e kuptuar.
Një mendimtar i madh ka thënë që, bota është një fshat i madh, ku të
gjithë pak a shumë ngjajmë me njëri-tjetrin. Na ndan vetëm e shkuara,
kultura që paraardhësit na kanë transmetuar dhe do i trashëgojmë në të
ardhmen. Shumë gjëra do ndryshojnë në të ardhmen. Por një gjë është e
sigurt: koha do filtrojë modërat, por jo shqipen e kulluar. Ajo është
pasaporta jonë, gjaku i jetës shqiptarëve në shekuj... Për atë gjuhë
duhet të luftojmë të gjithë.
This article was originally published at http://www.gazeta-shqip.com/
All rights reserved.