Gjuha jonë mban një vend qendror në mjedis të gjuhëve motra, dhe si
e tillë ka lidhje afrie të shumanshme. Problemi i vendit të shqipes në
rrethin gjuhësor indoeuropian ende nuk mund të thuhet se ka marrë një
zgjidhje përfundimtare
Dihet se gjuha është një nga elementet kryesore që përbëjnë
konceptin e një kombësie, të një nacionaliteti. Kështu edhe populli
shqiptar, sikundër ka historinë e tij, ashtu ka edhe gjuhën e vet, e
cila e dallon nga popujt e tjerë.
Populli shqiptar është një nga fiset e lashta të Europës, dhe
shqipja është një nga gjuhët e lashta të këtij kontinenti. Burimet e
saj janë të pashkruara. Ato humbin në muzgjet e kohëve prehistorike, aq
sa dijetarët ende grinden në punën se prej cilës gjuhë të moçme të
Gadishullit ballkanik ajo buron. Gjuha shqipe na paraqitet si një
pasqyrë e gjallë e jetës së popullit që e ka folë prej kohësh e që e
flet. Në të na pasqyrohet më së miri historia e këtij populli, me fatet
e tij e me ngjarjet e saj shpeshherë dramatike. Ndër popujt e ndryshëm
të Europës shqiptarët shquhen për faktin se kanë mundur të ruajnë nëpër
valët e shekujve, bile edhe gjatë mijëvjeçarëve, gjuhën e trashëguar
nga të parët e tyre dhe t'ua lënë trashëgim brezave të mëpastajme.
Shqipja, si një gjuhë më vete, e veçantë e Gadishullit Ballkanik,
dhe që sikundër dihet, jashtë kësaj treve flitet edhe në Itali, në
Greqi, e në vise të tjera, ka tërhequr prej kohësh vëmendjen e
dijetarëve, sidomos që prej shekullit të kaluar e këtej ajo është bërë
objekt studimesh shkencore nga ana e disa gjuhëtarëve të shquar
kombësish të ndryshme, meritat e të cilëve gjuhësia shqiptare i
vlerëson në masën e duhur. Në ditët tona ndërkaq, shqiptarët vetë i
janë përveshur me sukses studimit të gjuhës së tyre. Me këtë veprimtari
fisnike gjuhëtarët që e kanë shqipen gjuhë amtare kryejnë njëkohësisht
një punë shkencore dhe përmbushin një detyrë nacionale.
Kur flasim për detyrat që i dalin sot gjuhësisë shqiptare, ato për
mendimin tim përfshijnë dy fusha kryesore: mbledhjen e materialit dhe
studimin e tij.
Me punën e kryer nga brezat e mëparme, me Kostantin Kristoforidhin
në krye, dhe me veprimtarinë e organizuar me rrugë shtetërore që po
zhvillohet sot, është mbledhur një pjesë e madhe e lëndës gjuhësore, e
visarit të fjalëve që janë në përdorim në trevën ku flitet shqip.
Megjithatë, në këtë fushë kërkimesh mbetet një punë jo e vogël për të
kryer; një pjesë e mirë e kësaj pasurie duhet edhe sot të mblidhet në
mënyrë sistematike nga goja e popullit. Shumë emra drurësh, bimësh,
shtazësh, sidomos zogjsh, të gjalla ende nëpër dialekte, presin ndër të
tjera të regjistrohen. Dhe kjo është një punë që nuk pret; sepse me
industrializimin e shpejtë të vendit, me ndërrimin e brezave, shumë
fjalë po marrin rrugën e zhdukjes përgjithmonë.
Po të kalojmë tani në fushën e studimit të gjuhës, kjo fushë duhet
të rroket në tërësinë e saj, njëkohësisht duke u gjurmuar në pjesët e
saj të veçanta, sikundër edhe veprohet nga ana e kuadrove shkencore.
Gjuha e përditshme në të cilën ne ligjërojmë, përbëhet prej njësish të
mëdha që quhen fjali, fjalitë përbëhen prej fjalësh, njësi kuptimore më
vete, fjalët prej njësish më të vogla të quajtura tinguj ose fonema; të
gjitha këto, natyrisht, njësi që në të vërtetë nuk ekzistojnë
materialisht në vetvete, mësa është njeriu, folësi, që i realizon ato
në bisedën e tij. Ndër këto njësi, kuptohet se si element kryesor,
kryet e vendit e zë fjala, me ndryshimet e trajtave që pëson sipas
rasave të ndryshme të bisedës që zhvillojmë. Kështu pra, studimi i
gjuhës përfshin më një anë fonetikën, më anë tjetër morfologjinë në një
vështrim më të hapët (bashkë me fjalëformimin), më anë tjetër
sintaksën, ndërsa mbarë pasuria e fjalëve të gjuhës përbën leksikun e
saj. Një rëndësi të veçantë kanë në këtë mes dialektet, gurrë e
pashtershme ku gjallërohet vazhdimisht gjuha e shkrimit dhe e
literaturës. Në pasurinë leksikore hyjnë në analizë të fundit edhe
emrat e njerëzve e të vendeve, të cilët i përfshin onomastika.
Të gjitha këto degë kërkimesh studiojnë njësinë e pandarë të gjuhës,
në aspektet, në pamjet e ndryshme të sajat, nga anë të ndryshme. Po
duke qënë ndërkaq gjuha një dukuri shoqërore në kuptimin e plotë të
fjalës, me zhvillimin e vazhdueshëm të shoqërisë zhvillohet paprerë
edhe ajo vetë, ka karakter dinamik, ose më drejt të themi, brezat e
njëpasnjëshme që flasin, ato zhvillojnë dhe ndryshojnë hap më hap e
vazhdimisht gjuhën që përdorin. Në këtë mënyrë gjuha përshkohet nëpër
faza të ndryshme të zhvillimit të saj. Po të kthehemi nga ky vështrim i
përgjithshëm te gjuha jonë, edhe aty vrejmë një zhdrivillim të
përhershëm në rrjedhë të kohëve. Shqipja që flitet e që shkruhet në
ditët tona, megjithëse si gjuhë mbetet po ajo që ka qenë, prapëseprapë
paraqitet me një formë pak a shumë të ndryshme, të zhvilluar më tej.
Kjo vrehet në trajtat e tingujve dhe të fjalëve poashtu si dhe në
ndërtim të fjalisë, si sidomos edhe në leksik; mjaft fjalë mbeten aty
jashtë përdorimit, fjalë të reja duke ua zënë vendin atyre, ose
përgjithësisht duke hyrë në fushën gjuhësore. Kështu pra gjuha që
flitet e që shkruhet sot nuk është, dhe s'mund të jetë njësoj me gjuhën
që flitej e që shkruhej katër shekuj më parë. Për të parë këtë, mjafton
të marrim e të lexojmë p.sh. një copë nga Meshari i Gjon Buzukut që
është, si dihet, i vitit 1555, e ta krahasojmë me një tekst çfarëdo të
ditëve tona.
Sikundër shihet, gjendja e tanishme e gjuhës është rezultat i
zhvillimit të saj gjatë kohëve, zhvillim në hapësirë e në kohë. Në
pajtim me këtë, edhe studimet gjuhësore mund të rrokin gjuhën në
paraqitjen e saj sot ose në një epokë të caktuar, si i thonë, në
sinkroninë e saj, e mund të ngjiten shkallë-shkallë në të kaluarën e
saj, të ndjekin diakroninë, rrugën e zhvillimit që ka marrë ajo prej
fazash më të vjetra në më të reja, sado që duhet të themi se aty kufitë
nuk janë të prera, ngase në çdo gjendje aktuale përmbahet njëkohësisht
edhe thelbi i zhvillimit, i evolucionit. Në këtë mënyrë, pranë
gramatikës përshkruese aktuale ka gramatikë historike, pranë studimit
të sistemit të gjuhës në paraqitjen e sotme, ka histori të gjuhës. Kur
kjo degë gjurmimesh merr në vështrim zhvillimin gjuhësor të brendshmin,
ne flasim për histori të brendshme të gjuhës. Kur shtrihet në
shqyrtimin e marrëdhënieve me gjuhë të tjera, kemi të bëjmë me atë që
quhet histori e jashtme e gjuhës; megjithëse duhet të themi se edhe në
këtë fushë caqet e kufive nuk janë të dalluara në mënyrë të prerë. Edhe
visari i fjalëve, leksiku, mund të gjurmohet në gjendjen e tij të
sotmen, edhe në historinë e tij, në ndryshimet nëpër të cilat është
përshkuar në rrymë të kohëve. E kur synohet të depërtohet në shkallët
më të moçme të fjalëve, e mundësisht në zanafillën, në burimin, në
gurrën e tyre, kjo punë kryhet me parimet e metodat e asaj dege
studimesh që quhet etimologjia.
Në lëmin e shqipes gjuhësia gjer më sot i ka kushtuar vëmendje më
fort historisë së jashtme të kësaj gjuhe sesa historisë të brendshme të
saj. Në historinë e brendshme ajo ka hetuar më thellë periodat e lashta
sesa periodat e vona, më të reja të historisë gjuhësore. Në historinë e
jashtme gjuhësia ka hulumtuar më fort elementet që ka marrë shqipja
prej gjuhëve fqinje sesa elementet që u ka dhënë atyre. Në këto fusha
studimesh albanistikës i dalin përpara detyra të shumëllojshme dhe i
hapen horizonte të reja. Që tani vihet re se gjuhësia shqiptare, pa
synuar të zvogëlojë me frymë subjektive rolin marrës të shqipes, ka
vënë në dukje, me rrugë objektive, edhe rolin dhënës të saj ndaj
gjuhëve të popujve fqinj me shqiptarët në të kaluarën ose në kohën e
sotme. Sikundër që disa elemente të jetës popullore, të etnografisë e
të folklorit, të kostumeve, të muzikës e të valleve popullore me burim
shqiptar, kanë depërtuar te popujt fqinj, ashtu kanë shkuar edhe
elemente gjuhësore të shqipes në gjuhët e tyre, megjithëse duhet thënë
se shqipja më shumë ka marrë sesa ka dhënë.
Për hir të së vërtetës do të shtohet ndërkaq që edhe përmasat e
elementit që shqipja ka huazuar, që ka marrë së jashtmi, janë tepruar
disi nga ana e dijes gjuhësore. Në leksik të shqipes ka më shumë fjalë
me burim vendës nga sa është menduar gjer më sot. Përqindja e kësaj
pjese të leksikut është më e lartë nga sa ka dalë nga statistikat që
kanë qenë hartuar më parë. Ajo që bie në sy në këtë mes me një vëzhgim
më të thelluar, është veçanërisht kjo, që fjalë vendi, me burim vendës,
në shqipen popullore ka jo vetëm në sferat e kulturës materiale, si bie
fjala në blegtori, në botën e shtazëve e në bimësi, po edhe në ato të
fushës abstrakte mendore. Kjo gjë më duket me rëndësi për të dhënë një
gjykim për karakterin e kulturës popullore shqiptare.
Duke përfunduar, do të themi se gjuhësinë shqiptare e presin punë të
rëndësishme në të ardhmen. Në lidhje me ç'u shtjellua më sipër, le të
më lejohet të përmend se disa nga çështjet që u prekën aty, i kam
trajtuar në një vepër disa vëllimesh në të cilën jam duke punuar.
Vëllimi i parë i kësaj vepre është përfunduar prej disa kohësh dhe
është gati të vejë në shtyp e të shohë dritën e botimit. Aty janë
shqyrtuar në mënyrë objektive sidomos disa tipare të leksikut dhe të
zhvillimit të brendshëm të tij që janë me peshë për historinë e shqipes
dhe për karakterin e marrëdhënieve të saj me gjuhët fqinje, duke i
ndriçuar këto marrëdhënie nga disa anë që nuk janë vënë re sa duhet më
parë. Edhe për fushën e lidhjeve të shqipes me gjuhët e tjera
indoeuropiane besoj të ketë aty disa të dhëna që mund të shpien në
rezultate të reja, të cilat i kalojnë caqet e gjuhës shqipe.
Sa u përket këtyre lidhjeve, shqipja, si një gjuhë indoeuropiane që
është, brenda tipit të kësaj familjeje gjuhësore ka afri me të gjitha
gjuhët që bëjnë pjesë në të. Po aty ndërkaq del çështja se me cilat
ndër to afrohet më shumë e me cilat më pak. Kjo çështje lidhet me
problemin se ç'vend ze shqipja në mjedis të rrethit gjuhësor
indoeuropian. Aty gjuhësia krahasimtare sot është larguar nga mendimi i
disa dijetarëve të shekullit të kaluar se gjuha shqipe afrohet më fort
me latinishten e sidomos me greqishten. Në strukturën e saj shqipja ka
disa tipare karakteristike që e largojnë prej atyre dy gjuhëve. Gjuha
jonë mban një vend pak a shumë qendror në mjedis të gjuhëve motra, dhe
si e tillë ka lidhje afrie të shumanshme, në drejtime të ndryshme.
Problemi i vendit të shqipes në rrethin gjuhësor indoeuropian ndërkaq
ende nuk mund të thuhet se ka marrë një zgjidhje përfundimtare.
Studimet që duhet të kryhen në këtë fushë në të ardhmen pas një
shoshitjeje të imtë të materialit të gjuhës në vështrim historik, kanë
për t'i dhënë një përgjegje këtij problemi të rëndësishëm të gjuhësisë
shqiptare.
Somario
Për hir të së vërtetës do të shtohet ndërkaq që edhe përmasat e
elementit që shqipja ka huazuar, që ka marrë së jashtmi, janë tepruar
disi nga ana e dijes gjuhësore. Në leksik të shqipes ka më shumë fjalë
me burim vendës nga sa është menduar gjer më sot
Gjuhësia krahasimtare sot është larguar nga mendimi i disa
dijetarëve të shekullit të kaluar se gjuha shqipe afrohet më fort me
latinishten e sidomos me greqishten. Në strukturën e saj shqipja ka
disa tipare karakteristike që e largojnë prej atyre dy gjuhëve.
Nga Eqrem Çabej
This article was originally published at http://www.shekulli.com.al/
All rights reserved.
|