Hidhet në qarkullim "Hyrje në Indoeuropianistikë", një vepër-traktat,
zanafillë e një doktrine të re. Dhe për Çabejn vlen të thuhet: "Ai po
gatitet të ketë një jetë të dytë, e cila do të gërshetohet
pashmangësisht me tonën".
"Hyrje në Indoeuropianistikë" ndoshta është libri më
i mirë teoriko-analitik i gjuhësisë shqiptare deri me sot. Përmes tij
Çabej është i pari ndër gjuhëtarët shqiptarë që e harton dhe e ofron të
plotë mendimin mbi shkencën e Indoeuropianistikës. Duke e krahasuar
këtë tekst me modelet e botuara në Europë në gjysmën e parë të shek.
XX, vihet re se ky shkencëtar luminar, i qartë se metodikat gjuhësore
sui generis po e nxirrnin shqipen jashtë interesit shkencor
ndërkombëtar, i përmbahet qëllimisht strukturës së atyre modeleve të
cilat kishin filluar të konsideroheshin të papërshtatshme nga "shkenca
e re" shqiptare. Madje, vështruar në rrafsh të filozofisë mbi gjuhën -
si produkt historiko-kulturor e social njëherësh - kjo mendësie tij
paraqet dhe meritën më të madhe të opusit shkencor të Çabejt në
përgjithësi. Pa këtë fushëpamje të gjerë të hartuesit, vepra në fjalë
nuk do mund të kapërcente sinorët provincialë të një filologjie thjesht
shqiptare, e cila, siç ndodhi më vonë, përsiati kryesisht mbi vetveten
dhe me vetveten. Nuk do harruar se në kohën kur Çabej formësoi qartë
teoritë albanistike, dhe i përshfaqi ato për studentë e studiues, ishin
ende gjallë e aktivë indoeuropianistë të mëdhenj si Rohlfs, Kretschmer,
Devoto, Tagliavini, Coseriu, Desnickaja, Pisani etj, me të cilët Çabej
vijonte ta ruante komunikimin. Kësisoj, thuajse krejt i izoluar ne
Atdhe, ai mori përsipër mbajtjen me çdo kusht të gjuhësisë shqiptare në
hullinë e arritjeve metodike europiane. Dhe do të jetë metoda
bashkëkohore e kërkimit, e gërshetuar me gjenialitetin e tij
proverbial, që do formulojë kumtin filozofik të kësaj vepre: se nuk
mund të studiohet historia e një gjuhe në një kontekst vijimisht të
izoluar, por vetëm Historia gjuhësore e një bashkësie integrale
folësish e shkruesish.
Thuajse tërë shek. e XIXe deri në në gjysmën e
shek. XX, indoeuropianistët ngulmuan të skiconin dhe riskiconin
dinamikën e jetës së gjuhëve që kishin rrojtur në të njëjtin territor,
e që kishin parë sesi rriteshin disa simotra e si rrëgjoheshin do të
tjera në rrjedhë të kohëve (nganjëherë tok me etnitë a popujt që i
flisnin). Për këtë ata iu kthyen fjalëve, vjeljes dhe analizës së tyre
se, sikundër thotë Saussure në shek. XX, nuhatën se "lidhjet që
ekzistojnë mes gjuhëve të përafërta, fare mirë mund të përbëjnë
objektin e një shkence më vete. Të qartësoje një gjuhë me ndihmë të një
gjuhe tjetër, të shpjegoje format e njërës nëpërmjet formave të
tjetrës, ja pra ç'nuk qe bërë ende".
Kështu fjalët, këto unitete ende më të qëndrueshme
se gurët, u shndërruan në përçuese të mesazheve të largëta, që vinin
edhe nga qytetërime e popuj për të cilët deri pak kohë më parë nuk
dihej kurrgjë. Duke e plotësuar atlasin e verbër fillestar me të dhëna
e përfundime të pranueshme që vinin nga një sërë gjuhësh,
Indoeuropianistika, nga teori hipotetike mundi te shndërrohej në
shkencë të mirfilltë: nisur me skemën e thjeshtë Stammbaumen të
Schleicherit, ajo kish mbritur deri te opusi madhor "L'Europe
linguistique", që u botua nga A. Dauzat në vitin 1953. Më pas punimet
vijuan mbi truall te qëndrueshëm dhe harta plotësohej e përsosej
dora-dorës. Sikundër thotë edhe Çabej në këto leksione, shkolla e
Saussurit hapi rrugë të reja në gjuhësi të përgjithshme po sidomos në
Indoeuropianistikë.
Duke u kthyer te Çabej, mund te themi se
mënyra e tij e studimit të shqipes, si trashëgimi historike e njëherësh
si mjet realitetformues, i garantoi për sa mundej gjuhësisë sonë që
rezultatet e saj në këtë fushë të merreshin në konsideratë nga gjuhësia
ndërkombëtare – gjithë në përpjekjet e saj për të skicuar e përsosur
mbi bazë të dhënash serioze hartën e përgjithshme të familjes së
gjuhëve. Tash po bëhen gati tri dekada që Çabej ka reshtur së trokituri
në "veshin e rënduar" të gjuhësisë shqiptare e pas tij, duket se
kurrkush nuk ka mundur te dialogojë "alla pari" - nëpërmjet prurjesh e
përfundimesh të përditësuara në lëmë të shqipes – me zhvillimet
dinamike të gjuhësisë botërore. Vakuumi që u krijua nga humbja e Çabejt
u ndje menjëherë; pas viteve Shtatëdhjetë shqipja nuk e kish më
misionarin që përçonte kohë pas kohe imazhin e saj të përditësuar duke
i siguruar asaj një vend të qenësishëm në laboratoret e përbashkëta ku
studiohen marrëdhëniet dhe integrimet e gjuhëve e të kulturave. E meqë
po flitet për njërin nga kontributet e tij të mëdha, atë si
indoeuropianist, le të vërehet një e dhënë sa e trishtë, aq
domethënëse: Pas 1985-ës, pra vetëm pak vjet pas largimit të Çabejt,
indoeuropianisti i mirënjohur James P. Mallory, modernizoi
Stammbaumen-in, skemën njëqindvjeçare të Schleicherit. Ky, në punimin e
tij, ku shqipja (albanian) zë një vend të qartë, shpjegon se ka mundur
t'i përcaktojë më mirë venndodhjet simbolike të gjuhëve në këtë skemë,
falë të dhënave studimore historiko-krahasuese që ka vjelë për secilën
syresh nga studimet e fundit e më të përditësuara. Por pas nje dekade,
në 1997 Mallory, e riformulon skemën e tij të 1985-ës dhe thotë se "kjo
skemë sërish në trajtë peme, paraqitet më e plotë, më e përditësuar si
dhe është fryt i një pjekurie më të lartë hulumtimesh, pasi për
hartimin teorik të saj janë pasur parasysh edhe studimet mbi
variacionet e brendshme diasistemike për secilën gjuhë".
E në këtë pemë të përditësuar gjuha shqipe
mungon. Merret me mend se nuk është fjala për një lajthitje apo ndonjë
pandehmë të gabuar të këtij shkencëtari, pasi Mallory vijon të mbetet
sot një nga indoeuropianistët më me autoritet. Madje ai, sikundër edhe
Çabej vetë, i takon atij brezi indoeuropianistësh, të cilët
strukturalizmi saussurian në gjuhësi i shtyu të marrin në konsideratë
qoftë "studimin e një stadi gjuhësor në vetvete dhe për vetveten",
qoftë edhe ndjekjen e rrjedhës evolutive stad pas stadi, duke krahasuar
të dhënat strukturore që ofronte çdo prerje sinkronike.
Eshtë e qartë mungesa e shqipes në hartën e
përditësuar të Enciklopedisë së Kulturës Indoeuropiane; gjuhësia
shqiptare, edhe në vitet Nëntëdhjetë vijonte vozitjen në ujrat e
amullta të metodave të saj sui generis. Dhe s'kish si të ndodhte
ndryshe; Saussure thotë se "objekti e përcakton metodën". Objekti
studimor i gjuhësisë shqiptare nuk ish më as "shqipja në familjen e
gjuhëve", sikundër u mundua ta shqyrtonte Çabej e as shqipja e
përbashkët si repertor i përdorimeve të diktuara nga bashkësia jonë
social-kulturore. Periskopi i mveshur i kësaj nëndetësje që nuk lëvizte
më, kish mbetur i drejtuar vetëm andej nga hamendej të ishte varieteti
standard i shqipes. Për pasojë përfundimet e izoluara, e
njëdrejtimëshe, të studimeve tona gjuhësore e humbën koherencën
krahasuar me zhvillimet bashkëkohore, humbën atë koherencë që kish
karakterizuar punën e një shkencëtari mendjehapur, objektiv e largpamës
si Çabej. Mjafton të përmendet fakti se rezultatet shkencore të tij
gjenden të cituara si vlera referuese ndër shumë vepra të rëndësishme
të gjuhësisë së krahasuar si te "Origini delle lingue neolatine" të C.
Tagliavinit, apo në punimet e G. Svanes, G. Devotos, G. Rohlfsit, të M.
Bartolit etj.
Kjo humbje nga sa duket është edhe arsyeja
qenësore e mungesës së shqipes, jo vetëm në këtë hartë po edhe, në
krejt pjesën më të madhe të networkut gjuhësor ndërkombëtar.
Po le të kthehemi te punimi ynë që, me sot, resht së
qeni vlerë arkivore e u jepet studiuesve i saktë në plotninë e tij. Ky
libër do të jetë një literaturë e vlerë për gjithë studentët e shqipes,
të cilëve do t'u hapë një dritësore të pamjegulluar mbi evolucionin e
gjuhës sonë dhe gjendjet e saj historike e prehistorike. Po do t'u
duhet gjithaq edhe antropologëve kulturorë për të deduktuar s'andejmi
atë çka thamë qysh në krye të herës, pra jo thjesht historikun e
shqipes, por historikun e etnisë së përdoruesve të saj. Dhe ky
historik, falë sintezave krahasimtare të Çabejt, do të jetë lehtësisht
i konfrontueshëm me atë të etnive që kanë dhënë e kanë marrë me tonën.
Për gjuhësinë shqiptare ky libër, i lexuar drejt, mundet me pasë po atë
efekt vendimtar që pati Cours de linguistique générale i Saussurit për
gjuhësinë europiane të shek. XX. Kjo pasi analizat retrospektive të
këtij punimi dhe përfundimet e natyrshme që Çabej nxjerr nga këto
analiza, i japin gjithkujt që don të ndëlgojë, çelësat e duhur
shkencorë për të kuptuar, përshkruar dhe emërtuar drejt mjaft nga
dukuritë dhe prirjet që vërehen sot në repertor të shqipes. Tekembrama,
kjo don të thotë me ndjekë evolucionin e shqipes dhe me ulë efektet e
revolucionit që u pat ndërmarrë ndaj saj. Për këto arsye pra, për këto
dhanti që ka ky libër, besojmë se energjinë më të madhe do ta çlirojë
për mëkambjen e Gjuhësisë Moderne Shqiptare që po lind. Gjithë sipas
kësaj logjike, duke arsyetur sipas shtegut të saj prognostik mbi disa
postulate të këtij punimi, vërehet se një nga faktet sintaksore, që po
rezulton mjaft i shpeshtë nga vëzhgimet e prirjeve vetëstrukturuese të
Shqipes së Sotme, është fakti që përdoruesit kanë nisur të parapëlqejnë
ndjeshëm ndërtimet me bashkërenditje. Kjo dukuri po vërehet sot jo
vetëm te gjuha e folur dhe varietetet substandarde, por edhe te i
ashtuquajturi Neostandard i shkruar i shqipes. A ka një kuptim kjo
simptomë? Siç thekson Çabej, e parë në vetvete dhe për vetveten, një
dukuri thjesht përshkruhet por nuk spjegohet. Për t'u spjeguar, ajo
duhet parë edhe në diakroninë e saj. Duke kthyer sytë nga Hyrje në
Indoeuropianistikë vërejmë se Çabej, teksa analizon sintaksën historike
të gjuhëve indoeuropiane dhe ofron paralelizma me shqipen, thotë se
"lidhur me bashkërenditjen edhe me nënrenditjen duhet të themi se në
periodat e para mbizotëronte bashkërenditja, koordinimi, kur kemi të
bëjmë me disa fjali. Fjalitë e koordinuara, të bashkërenditura, kanë
mbizotëruar mbi fjalitë e subordinuara, të nënrenditura. Nënrenditja e
fjalisë paravendon, presupozon një zhvillim mendor mjaft të përparuar.
Që të lidhen fjalitë, domethënë një kryesore, të tjerat të varura prej
asaj, kjo supozon një zhvillim mendor që ka shkuar përpara. Mentaliteti
primitiv do bashkërenditje, atë që W. Haversi e quan "mënyra numëruese,
enumerative". Kjo analizë hedh menjëherë dritë mbi simptomën e
mësipërme. Është gjuha e folur ajo që në thelb e më së shumti nuk
shtrëngohet të vendosë një rend të avancuar sintaksor, kjo për shkak
edhe të aty-për-atyshmërisë së replikës. Pra ajo e ruan mentalietin
primitiv, që parapëlqen bashkërenditje, qoftë për konservatorizëm ndaj
rendit historik (njerëzimi më parë ka folur se ka shkruar), qoftë për
shkak të spontaneitetit që e karakterizon. Kështu mbërrihet në
përfundimit se tiparet e reja sintaksore që po shfaqen në Neostandardin
e shkruar i përkasinmë së shumti kodit të folur, a më saktë, përdorimi
po i importon ato prej këtij kodi. Po asistojmë pikërisht në procesin e
pritshëm te ndikimit të anasjelltë: shkrimi, si kod më konvergjent,
edukon paraprakisht gjuhën e folur, duke synuar të krijojë edhe aty një
kod po aq konvergjent – shembëlltyrë të tijin. Porse shkrimi prej
natyre mbetet i ngurtë e sakaq kodi i folur, i cili ka nisur ta marrë
prestigjin e konvergjencës, ecën përpara duke u vetëstrukturuar.
Kësisoj përdoruesit e të dyja kodeve, ku me vetëdije e ku në mënyrë
mekanike, mundohen ta mbartin këtë pasurim edhe në kodin e shkruar,
duke formuar kësisoj një Neostandard faktik brenda Standardit teorik.
Një tjetër pikë e debatuar sot është çështja
e paskajores (infinitivit), dhe lidhur me këtë debati nuk po merr asesi
zgjidhje, pasi argumentat pro dhe kundër vijojnë të jenë më fort
qëndrime etike se shkencore. Kështu pra, thuhet se infinitivi duhet
rehabilituar në normë pasi është pjesë rëndësishme e trashëgimisë
gjuhësore gege, apo, nga ana tjeter se gjuha letrare s'ka si ta ketë
infinitivin ngaqë toskërishtja nuk e ka. Duke lexuar trajtesën
historike që Çabej i bën kategorisë së infinitivit vihet re se të dyja
gjykimeve të mësipërme, pro e kundra, iu mungon vështrimi filozofik dhe
ab ovo që jepet te ky libër; Çabej thotë se: "formimi i infinitivit të
gjuhëve indoeuropiane në pjesën më të madhe është një dukuri që shfaqet
në periodat historike të tyre. Kjo lidhet edhe me arsye si të thuash
kulturore. Infinitivi gjuhësisht është një përftim që lidhet me një
farë përparimi kulturor, sepse ka lidhje me një mendim abstrakt [...]
Lidhet me zhvillim të një mendimi, të një abstrakcioni mendor.
Domethënë çështja e infinitivit kushtëzohet nga një zhvillim, nga një
proces i gjatë në gjuhët e ndryshme indoeuropiane". Kumti logjik i
këtij arsyetimi është se infinitivi nuk është thjesht i gegnishtes; ai
është infinitivi i shqipes, pasi ai shfaqet qysh se shqipja del në
histori, lind si rezultat i një progresi kulturor dhe shoqëron gjithë
këtë progres. Dhe pas gjasash, këtë progres infinitivi i shqipes e ka
shoqëruar për shekuj me radhë, deri kur u ndrrua baza historike e
shqipes. Të kuptuarit e vlerës së këtij konservacioni, të kuptuarit e
natyrës dhe substancës së tij, i jep vetiu përgjigje pohuese
rehabilitimit të infinitivit tonë të çmuar. Diskutimet e tjera që
rrjedhin nga ky rehabilitim janë thjesht detaje teknike (plotësisht të
zgjidhshme), por nuk janë thelbi i problemit. Thelbin na e paraqet
analiza e mësipërme e Çabejt.
Po ashtu, problematikat gjuhësore sot e do kohë
rrahin shqetësimin për keqpërdorime të morisë të rregullave heterogjene
drejtshkrimore, e ngulmojnë edhe ku ato rregulla, vihet re se mund të
thjeshtohen (de facto janë thjeshtuar). Në parim dihet se thjeshtimi në
fjalë i ndihmon nxënies më të mirë e më të shpejtë të vetë
drejtshkrimit, uljes së kostos së investimit për përvetësimin e tij e
kështu me radhë. Por a është vërtet humbje ky thjeshtim? A i ndodh kjo
veç shqipes? Lidhur me këtë Çabej shkruan se"zhvillimi i gjuhëve, në
lidhje edhe me zhvillimin kulturor të popujve që i flasin ose që i kanë
folë, karakterizohet nga një proces dyfish: në një anë thjeshtim i
sistemit gramatikor, thjeshtim progresiv, domethënë sa vete më i madh i
sistemit gramatikor, më anë tjetër pasurim edhe diferencim i elementeve
të leksikut. Sa më shumë evoluojnë gjuhët, vihet re se aq më shumë
thjeshtohet sistemi gramatikor edhe aq më shumë pasurohen elementet
leksikore. Ky është njëfarë aksiomi në jetën e gjuhëve. Pasuria
gramatikore nuk është shenjë kulture. Pasuria gramatikore, pasuria e
formave të gramatikës është shenjë e gjendjeve primitive të gjuhëve.
Gjuhët rrafshojnë diferencimet, rrafshojnë morinë e variacioneve të
formave gramatikore e më anë tjetër kompensojnë me pasuri të leksikut.
Faktori i rrafshimit të diferencimeve, të variacioneve, të formave
gramatikore është analogjia. Me anë të analogjisë bëhen rrafshime
gramatikore".
Ky arsyetim, që bashkohet me moton e gjithë
gjuhësisë moderne të shek. XX, na qartëson sot në mjaft dilema që bëjnë
ballë si të vështira për t'u zgjidhur, sa herë që është fjala për
qëndrime normative. E kështu kuptojmë se mjaft shmangie të sotme nga
norma, të cilat hermeneutizmi statik i konsideron si shprishje të
kodeve ortografike, janë në fakt frut i rregullsisë; i asaj rregullsie
që dikton lavrimi gjithnjë në rritje i shqipes si gjuhë e cila tani nuk
shkruhet më nga një përqindje fare e vogël e popullatës, por nga e
gjithë bashkësia shqipfolëse. Kjo rregullsi, siç na dëfton Çabej
saussurianist, diktohet nga Analogjia. Përmes proceseve analogjike
rrafshohen e unifikohen, pra "bjerren" mjaft formante të shqipes, të
planifikuara në tryeza gjuhëtarësh dekada më parë. Poashtu Çabej, duke
pasqyruar përmasën historike të veprimit të analogjisë - jo vetëm në
Periodën historike të shqipes, por edhe në prehistori të saj - na le të
kuptojmë se analogjia është faktori më i vjetër veprues në një gjuhë
dhe shoqëron gjithë procesin e qytetërimit të bashkësisë që e flet atë
gjuhë. Shumë shembuj të veprimit të analogjisë Çabej i merr nga gjuha e
folur, duke na shtyrë kësisoj të dallojmë në metodën e tij një tjetër
postulat saussurian, atë të thyerjes së "ésprit de clocher". Kështu,
pra, ndodh ajo që në parim pat vërejtur edhe J. J. Rousseau, se "gjuhët
me kalimin e kohëve humbasin në muzikalitet, por fitojnë në saktësi".
Saktësia në gjuhë (apo thënë më drejt, kuptimet semantikisht të pastra
të shenjuesve) dhe lufta ndaj varfërimit të gjuhës (varfërim i cili
vjen edhe për shkak të polisemisë pragmatiste) janë çështje vërtet
shqetësuese për shqipen. Po t'i hedhim sytë nga politikat gjuhësore
europiane, vërejmë përkujdesje të vazhdueshme për të shmangur
proliferimin polisemik, duke synuar t'i jepet çdo të shenjuari
shenjuesi i vet; përkujdesje të tilla janë kthyer këto tri dekadat e
fundit në objektiva qendrore të leksikografisë e të edukimit gjuhësor.
Me rastin e 100-vjetorit te lindjes se Eqrem
Çabejt, është me vend të thuhet se ç'përfaqëson ai në mendimin tonë
filozofiko-gjuhësor. Ja lemë Justin Rrotës, njërit ndër kontribuesve të
shquar në procesin e selitjes së gjuhës letrare shqipe, i cili në
punimin e vet "Gjuha e shkrueme ase vërejtje gramatikore" kishte këtë
kushtesë: "Prof. Eqrem Çabejt, Albanistit ma të madhit kombëtar, këto
hulumtime nxanësësh. Gjithë motin e jetës mirënjohtës për kontriburin e
vlefshëm dhe bujarisht të huajtun në favor të këtyne fletëve". E kjo
kushtesë mungon në botimin që Akademia e Shkencave përgatiti për
Kolanën Françeskane. Por natyrisht kjo mungesë nuk cënon aspak
vetëdijen e kujt gjuhën shqipe e studion jo vetëm si trashëgim lëndor
të qenies shqiptare, por edhe si rezultat të atij mendimi shkencor
luminar që e tuteloi këtë gjuhë me gjithë përkujdesjen që meriton gjuha
amtare; e sot figura e Çabejt përshfaqet pikërisht siç e përcaktoi J.
Rrota: më i madhi albanist kombëtar. Madje më i madhi i dijes sonë. Me
botimin dhe divulgimin e kësaj vepre-traktat, që nuk është një doktrinë
e përfunduar, por zanafillë e një doktrine të re, për Çabejn vlen të
thuhet sot pikë-për-pikë ajo çka tha Benveniste në pesëdhjetëvjetorin e
botimit të Kursit të F. de Saussure: "Ai po gatitet të ketë një jetë të
dytë, e cila do të gërshetohet pashmangësisht me tonën". Ledi Shamku-Shkreli
This article was originally published at http://www.shekulli.com.al/ All rights reserved.
|