Mitet e një kulture kanë të regjistruara dhe të inkoduara dijen e
vertetë historike apo dhe dijen parahistorike të njerëzimit, dhe miti i
Zotit Hermes, si Zoti i përkthyesve, mund të jetë ilustrimi më i qartë
i kësaj. Sipas mitit grek, përkthyesi asht ai që çon mezazhet e Zotit –
Krijuesit – te vdektarët (lexuesit). Asht shkelës kufijsh, në kuptimin
e vërtetë të fjalës, sepse na bjen autorët e vendeve të tjera e të
kohnave të tjera tek lexuesi i një vendi të caktuem dhe i një kohe të
caktueme... Asht hajn, sepse dhe përkthyesi ma i ndershëm nuk e bjen
kurrë kuptimin e saktë në përkthim. Asht 99-sh, sepse i dredh dhe i
sperdredh kuptimet dhe nuancat e origjinalit.
Përkthyesit ma të mirë janë ata, të cilët e njohin shumë mirë gjuhën në
të cilën përkthejnë, madje më mirë nga gjuha nga e cila përkthejnë. Po
kështu, ata duhet të jenë të mirëinformuar rreth kulturës së gjuhës
burimore nga e cila përkthejnë. Sepse letërsia ekziston jo vetëm brenda
një gjuhe, por gjithashtu edhe brenda një kulture. Del kësisoj se të
përkthesh letërsi shpesh do të thotë të përkthesh Kulturë. Gabimet ma
serioze në perkthim nuk krijohen nga keqkuptimi i gjuhës së tekstit,
sesa prej njohjes së pamjaftueshme të diferencave në kulturën e dy
gjuhëve – nga ku përkthen dhe në të cilën përkthen.
Përkthimi i poezisë nga poetët nuk meriton gjithmonë duartrokitje.
Personalisht, mendoj se përkthimet më të mira në gjuhën shqipe i kemi
nga përkthyesit profesionistë, dhe jo nga poetët. Emrat e Gjon
Shllakut, Petro Zhejit, Pashko Gjeçit, Robert Shvarcit,Vedat Kokonës,
Aurel Plasarit, Petraq Kolovicës, Ardian Klosit, Dritan Çelës, dhe i sa
e sa të tjerëve, kanë qenë disa herë më sugjestionues e më të
respektuar se shumë shkrimtarë e poetë bashkëkohës me ta. Edhe për një
arsye tjeter, shpjegimin e së cilës e gjejmë në Greqinë e lashtë.
Plutarku tregon te “Jeta e Themistokleut” se profesioni i Përkthyesit
asht shpesh i bartun me rreziqe.Themistokleu, me miratimin e popullit
të Athinës, dënoi me vdekje një përkthyes nën akuzën se ai pati bërë të
njohura ligjet dhe kodet e barbarëve në gjuhën greke.
Rudolf MARKU
Esenë time do ta zhvilloj duke iu përgjigjur dy pyetjeve të bëra
nga ALTA - American Literary Translators Association (Lidhja e
Përkthyesve letrarë të Amerikës):
Çfarë është përkthimi i Poezisë?
Përkufizmin ma të mire se çfarë është perkthimi i Poezisë më duket
se e ka dhënë poeti amerikan Robert Frost, i cili me thënien e vet të
jep përshtypjen se po i përgjigjej një pyetjeje tjetër: Çfarë është
poezia? Ai thotë: Poezia asht ajo çka humb në përkthim. Pra, diferenca
mes tekstit origjinal dhe tekstit të përkthyer asht Poezia. Sipas
Robert Frost, idealja asht që Poezia të mos përkthehet, sepse përkthimi
i Poezisë asht një ndërmarrje e kotë. Ndërkohë, Kulla e Babilonit asht
ndërtuar të paktën nja 10.000 vjet ma parë se të lindte Robert Frost.
Njerëzit kanë patur nevojë dhe kanë nevojë që të lexojnë poezitë në
gjuhët që nuk i njohin, dhe gjuhët e panjohura janë ku e ku më shumë se
gjuhët që dinë edhe poliglotët më të thekur. Por tek pranojmë si një të
keqe te pashmangshme peëkthimin e tekstit letrar - dhe bashkë me të dhe
përkthimin e Poezisë, që asht dhe akti më i komplikuar e më i elaboruar
linguistik, - del e udhës që të jemi të vetëdijshëm se çfarë asht
përkthimi…
Te grekët e lashtë Perëndia e përkthyesve asht Hermes, i cili
shfaqet me detyren që të çojë mesazhet e Zotave te njerëzit vdektarë…
Hermes asht në të njëjtën kohë shkeles kufijsh, detyra e tij asht që të
shkapërcejë matanë caqeve, përtej kufijve, mbas vijave, me qëllim që të
arrijë që të komunikojë me të huajt, me të panjohurit, që gjithmonë
ndodhen përtej cakut... Sipas Platonit (Cratylus), Sokrati jep këtë
përkufizim aspak simpatik per Hermesin:
Sokrati - E po mirë, emni Hermes duket se ka të bëjë disi me
Gjuhën. Hermesi asht një kasnec, një hajn, dhe një mashtrues, një
99-sh, dhe të gjitha këto përfishen në forcën që ka gjuha!
Vetë Platoni u jep një farë përparësie perkthyesve në raport me
gjuhëtarët, ngaqë sipas tij, ndërsa gramatikanët mund të jenë të
dobishëm ngase janë në gjendje të na përshkruajnë germat dhe format e
shkruara të gjuhës, përkthyesit janë në gjendje që të na tregojnë
kuptimin e vertetë të asaj se çfarë asht thanë.
Mitet e një kulture kanë të regjistruara dhe të inkoduara dijen e
vertetë historike apo dhe dijen parahistorike të njerëzimit, dhe miti i
Zotit Hermes, si Zoti i përkthyesve, mund të jetë ilustrimi më i qartë
i kësaj. Sipas mitit grek, përkthyesi asht ai që çon mezazhet e Zotit –
Krijuesit – te vdektarët (lexuesit). Asht shkelës kufijsh, në kuptimin
e vërtetë të fjalës, sepse na bjen autorët e vendeve të tjera e të
kohnave të tjera tek lexuesi i një vendi të caktuem dhe i një kohe të
caktueme... Asht hajn, sepse dhe përkthyesi ma i ndershëm nuk e bjen
kurrë kuptimin e saktë në përkthim. Asht 99-sh, sepse i dredh dhe i
sperdredh kuptimet dhe nuancat e origjinalit.
Përkthyesit ma të mirë janë ata, të cilët e njohin shumë mirë
gjuhën në të cilën përkthejnë, madje më mirë nga gjuha nga e cila
përkthejnë. Po kështu, ata duhet të jenë të mirëinformuar rreth
kulturës së gjuhës burimore nga e cila përkthejnë. Sepse letërsia
ekziston jo vetëm brenda një gjuhe, por gjithashtu edhe brenda një
kulture. Del kësisoj se të përkthesh letërsi shpesh do të thotë të
përkthesh Kulturë. Gabimet ma serioze në perkthim nuk krijohen nga
keqkuptimi i gjuhës së tekstit, sesa prej njohjes së pamjaftueshme të
diferencave në kulturen e dy gjuhëve –nga ku përkthen dhe në të cilën
përkthen… Një përkthyes i Fishtes, vargun Zog i Shkinës, e përkthen: Ky
bastardh Sllav… Fjalen Zog – ai e afron me togflashin Zog kurve,
kopil,bastardh, pa i shkue ndërmend se shqipja thotë edhe: Nuk ka zog
nane që e ban këtë punë. Në kontekstin e Fishtes, Zog shkine ka kuptim
asnjanjës, Djali i shkinës. Por gabimi këtu nuk asht aq linguistik,
sesa një percerptim i gabuar kulturor. Përkthyesi –ma shqiptar patriot
se vetë shqiptarët - ka mendue se shqiptarët dhe malazezët vetëm shahen
mes tyre dhe nuk ka se si të ketë dhe dialog me kuptime asnjanëse mes
tyre.
Përkthimi i Poezisë asht akti ma i veshtirë i përkthimit. Njëra
nga veçoritë e përkthimit të poezisë asht Interpretimi i tekstit që
përkthehet. Eshtë ajo që mund ta shtyjë përkthyesin që të shkojë përtej
kuptimit real të tekstit, tek ndryshimet e koncepteve të origjinalit.
Në këtë rast, poezinë e përkthyer nuk ke se si e boton njat tekstit
original, si botim bilingual. Megjithatë, ka plot që besojnë se
përkthimi i poezisë mund të bahet edhe athere, kur përkthyesi nuk e ka
rrokë kuptimin e qellimit të autorit. Përkthimi i Rubaive të
Fitzgeraldit asht krejt i pasaktë dhe asht shumë larg nga teksti
original. Po të bisedosh me një njohës të mirë të persishtes klasike,
ai ka për të sqaruar se shumica e strofave të Fitzgeraldit (dhe te
Nolit në shqip) nuk korrespondojnë me asnjërën nga rubai-t e Khajamit.
Fitzgeraldi ka bërë më shumë një krijim të vetin, dhe Noli ka përkthyer
më shumë Fitzgeraldin sesa Khajamin. Por, po qe se Noli do të kishte
përkthyer besnikërisht Khajamin, përkthimi i tij nuk do të kishte qenë
kaq popullor dhe kaq i pëlqyeshëm nga lexuesit sa ky që njohim sot si
Rubairat në shqip. Përkthimet e Fitzgeraldit dhe të Nolit nuk janë
përkthime Ad verbum. Por duke mos qenë të tillë, ato mbesin një
shembulli i përkryer i përkthimit Ad sensum.
A duhet që veç poetët ta përkthejnë poezinë?
Le ta quajmë përkthyesin jo-poet: përkthyes professional. Kur një
poet përkthen poezinë, ai ka disa avantazhe të mëdha nga përkthyesi
profesionist: ka vesh të ndjeshëm që e ban të aftë për të kapë
emocionet më të fshehta, më vibruese, më të holla, të cilat rrëshqasin
drejt e në det nga rrjeta me bira të mëdha e perkthyesit profesionist.
Poeti, kur përkthen poezinë, ka disa vegla pune që përkthyesit
profesionist i mungojnë: ka instiktin e lindur të ritmit, a shijen e
duhur për zgjedhjen e fjalëve të sakta, asht i familjarizuar me
strukturën poetike, ka mirëkuptimin e duhun përkundrejt stërhollimeve
metaforike, i kupton instiktivisht aliteracionin, asonancën, tonin,
humorin, suspensin… Poeti, kur përkthen, e njeh intistiktivisht
kontrollin dhe balancën emocionale dhe di të shprehet me një ze
natyral, që vjen pa ngerçe. Pranohet nga të gjithë se përkthyesi
profesionist nuk ka barot te mjaftueshëm emocional për t’i mbushë
fishekët…
Me gjithë këto avantazhe të poetëve perkthyes, a mund ta pranoj përkthimin e poezisë vetëm nga Poetët?
Përkthimi i poezive vetëm nga poetët më kujton atë zakonin e
martesave vetëm brenda fisit. Martesa të tilla bëjnë që fëmija i lindun
të ketë pasë ma kufizim në zgjedhje në menyn e AND-s.
Perkthimi i Li PO-s, i mjeshtrit të poezisë kineze të shekullit të
8-të nga Ezra Pound, asht konsideruar si shprehja e tmerrit të poetit
në kohën e luftës, që korrespondon me tmerrin evropian të Luftes së
Parë Botnore. Pra, përkthimi ka të bëjë pak me origjinalin. Kur poeti
përkthen, ai përkthen vetveten dhe tek vetvetja. Poezia e përkthyer nga
Poeti gjithmonë ka për të mbajtë shenjën e personalitetit të
përkthyesit. Sa më i njohun të jetë Poeti që përkthen, aq më keq asht.
Kur përkthimi i Propertius u shfaq në revisten Poetry, në pranveren e
vitit 1914, Pound u gjend në vorbullën e një stuhie sharjesh nga
profesorët latinistë dhe akademikët. Nuk arrihej të kuptohej se si
Pound të kishte njohje kaq të cekët të latinishtes. Profesor William
Gardener Hale i Universitetit të Chicagos, shkruan se E. Pound “asht
injorant deri në pabesueshmëri i latinishtes”. Thomas Hardy i shpreh
rezervat e veta ma më takt në një letër drejtuar Ezra Pound-it: “Me
siguri ti e ke llogaritë që të mos çash kokën për mendimet e të
tjerëve!” Vetë Ezra Pound mbrohet, duke thënë se nuk ka synuar të bëjë
një përkthim fjalë për fjalë: “Qëllimi im ishte të sillja një të vdekur
tek të gjallët, duke e ringjallë poetin romak në kohën tonë.” (Homage
to Sextus Propertius)
Siç shihet, përkthimi i poezisë nga poetët nuk meriton gjithmonë
duartrokitje. Personalisht, mendoj se përkthimet më të mira në gjuhën
shqipe i kemi nga përkthyesit profesionistë, dhe jo nga poetët. Emrat e
Gjon Shllakut, Petro Zhejit, Pashko Gjeçit, Robert Shvarcit,Vedat
Kokonës, Aurel Plasarit, Petraq Kolovicës, Ardian Klosit, Dritan Çelës,
dhe i sa e sa të tjerëve, kanë qenë disa herë më sugjestionues e më të
respektuar se shumë shkrimtarë e poetë bashkëkohës me ta. Edhe për një
arsye tjeter, shpjegimin e së cilës e gjejmë në Greqinë e lashtë.
Plutarku tregon te “Jeta e Themistokleut” se profesioni i Përkthyesit
asht shpesh i bartun me rreziqe.Themistokleu, me miratimin e popullit
të Athinës, dënoi me vdekje një përkthyes nën akuzën se ai pati bërë të
njohura ligjet dhe kodet e barbarëve në gjuhën greke…
This article was originally published at http://www.gazeta-albania.net/
All rights reserved.