1.
Formula e Pagëzimit (1462)
Më i vjetri ndër këto tri dokumente është "Formula e pagëzimit" Ajo i përket
vitit 1462. Është një fjali e shkurtër në mes të një shkrimi latinisht.
Kryepeshkopi i Durrësit, Pal Engjëlli, mik e bashkëpunëtor i Skënderbeut
(1417-1469), gjatë një vizite në dioqezën e tij gjeti shumë të meta e mangësi në
punët e ushtrimit të fesë. Për t'i shmangur ato ai lëshoi një qarkore në gjuhen
latine. Kjo qarkore është lëshuar nga një kishë në Mat dhe mban datën 8 nëntor
1462. Me anë të saj, ndërmjet të tjerash, ai jepte leje që, në ato kohë
luftërash kur prindërit nuk kishin mundësi t'i dërgonin fëmijët në kishë t'i
pagëzonin vetë në shtëpi, duke thënë shqip në ketë ceremoni
" Formulën e pagëzimit" që është: "Un të pagëzonj pr'emen't Atit e t'birit e
t'shpirtit shenjt".
Formula është shkruar në dialektin e veriut me shkronja latine.
Gjuha e tekstit dhe vlerat e përdorimit në shqip të disa shkronjave latine
kanë një afri shumë të madhe me veprën e Buzukut, çka të bën të mendosh se
shkrimi i shqipës duhet të ketë pasur një traditë me të vjetër, ku janë
mbështetur te dy; edhe shkruesi i kësaj formule, edhe Buzuku. Dokumenti u
zbuluar me 1915 nga historiani rumun Nikola Jorga në një nga bibliotekat e
Milanos, Itali.
2.
Fjalori i Arnold Fon Harfit (1497)
Me të njëjtin alfabet latin është shkruar në shekullin e XV edhe dokumenti i
dytë i gjuhës shqipe: Fjalorthi i Arnold fon Harfit, i vitit 1497
Udhëtari gjerman Arnold Fon Harf (1417-1505) ne vitin 1496, u nis nga Kelni,
për të bërë një vizitë në tokat e shenjta, në Palestinë, udhëtim që e kreu për
tre vjet. Në vitin 1497 ai kaloi në bregdetin e Shqipërisë dhe konkretisht në
Ulqin, Durrës e Sazan. Gjatë këtij udhëtimi për të komunikuar sadopak me
njerëzit, ai shënoi 26 fjalë shqipë, 8 shprehje e numrat 1 deri 10 dhe 100 e
1000 të shoqëruar me përkthim në gjermanisht. Janë fjalë të zakonshme si: ujë,
verë, bukë, mish etj., që iu deshën udhëtarit në jetën e tij të përditshme sa
qëndroi ne Shqipëri.
Me përshtypjet e udhëtimit Harfi la në gjermanisht një dorëshkrim, i cili u
botua më 1860, pas tre shekujsh e gjysmë. Këtu gjendet edhe ky Fjalorth i vogël
i gjuhës shqipe, i cili përbën dokumentin e dytë të shqipes së shkruar.
Udhëtari, përveç listës së fjalëve, shprehjeve e numëroreve, ka lënë edhe
disa shënime në ato vende të bregdetit shqiptar ku kaloi. Ndër të tjera ai
shkruan se "Ulqini është një qytet shqiptar i bukur e i vogël". Për Shkodrën
megjithëse kaloi nëpër të, ngaqë udhëtimi Ulqin-Durrës, e bëri me det, thotë "se
është një qytet i madh i sapo pushtuar nga osmanët". Ishullin e Sazanit e
përshkruan "si një liman të mirë deti, ku ka shume anije, në krahun e majtë të
të cilit ndodhet një fshat i madh me 2000 vatra, i quajtur Vlorë" etj.
3.
Perikopeja e Ungjillit të Pashkës ( fundi i sh.XV-fillimi sh.XVI)
Perikopeja e Ungjillit të Pashkës ( fundi i sh.XV-fillimi sh.XVI) është
dokumenti i tretë i shqipes së shkruar
Ai i perket fundit të shekullit XV ose fillimit të shekullit XVI. Ky dokument
përbëhet nga 2 pjesë të vogla bible në gjuhën shqipe që u gjetën në një
dorëshkrim greqisht të shekullit të XIV, me të cilin ato nuk kanë asnjë lidhje.
Ato janë në dialektin e Jugut, të shkruara me alfabetin grek. Këto fakte
tregojnë se gjuha shqipe në atë kohë duhet të ketë qenë shkruar jo vetëm në
Shqipërinë e Veriut, por edhe në Shqipërinë e Jugut.
Po para këtyre tri dokumenteve a ka qenë e shkruar gjuha shqipe?
Kjo është një pyetje që deri më sot nuk ka gjetur përgjigje të plotë. Shumë
të dhëna na bëjnë të mendojmë se shqipja duhet të ketë qenë shkruar edhe me
parë. Ndër të tjera arqipeshkvi francez i Tivarit, i njohur me emrin Brokard, që
ka shëtitur shumë vende të Evropës dhe të Azisë, në një relacion latinisht të
vitit 1332 shkruante:"Sado që shqiptarët kanë një gjuhe fare të ndryshme nga
gjuha latine, prapë ata kanë në përdorim edhe në tërë librat e tyre shkronjën
latine". Ky fakt të bën të mendosh se shqipja duhet të ketë qenë shkruar të
paktën që në shekullin XIV. Por kjo deri me sot nuk është e dokumentuar.
(Marrë nga Promotema /2002) |