Gjuha shqipe bën pjesë në familjen e gjuhëve indoevropiane, ku futen gjuhët
indo-iranike, greqishtja, gjuhët romane, gjuhët sllave, gjuhët gjermane, etj.
Ajo formon një degë të veçantë në këtë familje gjuhësore dhe nuk ka ndonjë
lidhje prejardhjeje me asnjërën prej gjuhëve të sotme indoevropiane. Karakteri
indoevropian i shqipes, përkatësia e saj në familjen gjuhësore indoevropiane, u
arrit të përcaktohej e të vërtetohej që nga mesi i shekullit XIX, në sajë të
studimeve të gjuhësisë historike krahasuese.
Ishte sidomos merita e njërit prej themeluesve kryesorë të këtij drejtimi
gjuhësor, dijetarit të njohur gjerman Franz Bopp, që vërtetoi me metoda
shkencore përkatësinë e gjuhës shqipe në familjen gjuhësore indoevropiane. F.
Bopp i kushtoi këtij problemi një vepër të veçantë me titull “Ueber das
Albanesische in scinen verwandtschaftlichen Bezichungen”, botuar në Berlin nλ
vitin 1854.
Në ndarjen e gjuhëve indoevropiane në dy grupe: në gjuhë lindore ose satem
dhe në gjuhë perëndimore ose kontum, shqipja shkon me gjuhët lindore (satem),
bashkë me gjuhët indo-iranike, gjuhët balto-sllave dhe armenishten.
Origjina
Problemi i origjinës së gjuhës shqipe është një nga problemet shumë të
debatuara të shkencës gjuhësore. Ajo e ka burimin, pa dyshim, prej njërës nga
gjuhët e lashta të Gadishullit të Ballkanit, ilirishtes ose trakishtes. Në
literaturën gjuhësore qarkullojnë dy teza themelore për origjinën e shqipes:
teza e origjinës ilire dhe teza e origjinës trake. Teza ilire ka gjetur
mbështetje më të gjerë historike dhe gjuhësore. Ajo është formuar që në
shekullin XVIII në rrethet e historianëve.
Përpjekjen e parë shkencore për të shpjeguar origjinën e shqiptarëve dhe të
gjuhës së tyre, e bëri historiani suedez Hans Erich Thunmann në veprën e tij
“Undersuchunger liber di Geschichte der Östlichen europäischen Völker” Leipzig
1774. Ai, duke u mbështetur në burime historike latine e bizantine dhe në të
dhëna gjuhësore e onomastike, arriti në përfundimin se shqiptarët janë
vazhduesit autoktonë të popullsisë së lashtë ilire, e cila nuk u romanizua siç
ndodhi me popullsinë trako-dake, paraardhëse të rumunëve.
Teza e origjinës ilire te shqiptarëve është mbështetur nga albanologu i
mirënjohur austriak Johannas Georges von Hahn në veprën e tij “Albanesische
Stidien”, publikuar më 1854.
Që nga ajo kohë deri në ditët tona, një varg dijetarësh të shquar historianë,
arkeologë e gjuhëtarë, kanë sjellë duke plotësuar njeri tjetrin, një sërë
argumentesh historike dhe gjuhësore, që mbështesin tezën e origjinës dhe të
shqiptarëve dhe të gjuhës së tyre. Disa nga këto argumente themelore, janë:
1. Shqiptarët banojnë sot në një pjesë të trojeve, ku në periudhën antike
kanë banuar fise ilire; nga ana tjetër në burimet historike nuk njihet ndonjë
emigrim i shqiptarëve nga vise të tjera për t’u vendosur në trojet e sotme.
2. Një pjesë e elementeve gjuhësore: emra sendesh, fisesh, emra njerëzish,
glosa, etj., që janë njohur si ilire, gjejnë shpjegim me anë të gjuhës shqipe.
3. Format e toponimeve të lashta të trojeve ilire shqiptare, të krahasuara me
format përgjegjëse të sotme, provojnë se ato janë zhvilluar sipas rregullave të
fonetikës historike të shqipes, d.m.th. kanë kaluar pa ndërprerje nëpër gojën e
një popullsie shqipfolëse.
4. Marrëdhëniet e shqipes me greqishten e vjetër dhe me latinishten, tregojnë
se shqipja është formuar dhe është zhvilluar në fqinjësi me këto dy gjuhë këtu
në brigjet e Adriatikut dhe të Jonit.
5. Të dhënat arkeologjike dhe ato të kulturës materiale e shpirtërore,
dëshmojnë se ka vijimësi kulturore nga ilirët antikë te shqiptarët e sotëm.
Nga të gjithë këto argumente, të paraqitur në mënyrë të përmbledhur, rezulton
se teza e origjinës ilire e gjuhës shqipe, është teza më e mbështetur nga ana
historike dhe gjuhësore.
Fillimet e shkrimit të gjuhës shqipe
Shqipja është një nga gjuhët e lashta të Ballkanit, por e dokumentuar me
shkrim mjaft vonë, në shekullin XV, ashtu si rumanishtja.
Dokumenti i parë i shkruar në gjuhën shqipe, është ai që quhet “Formula e
pagëzimit”, e vitit 1462. Është një fjali e shkurtër në gjuhën shqipe “Unte
paghesont premenit Atit et birit et spertit senit”, që gjendet në një qarkore të
shkruar në latinisht nga Kryepeshkopi i Durrësit Pal Engjëlli, bashkëpunëtor i
ngushtë i Skënderbeut.
Pal Engjëlli, gjatë një vizite në Mat, vuri re çrregullime në punë të
ushtrimit të fesë dhe me këtë rast, ai la me shkrim disa porosi dhe udhëzime për
klerin katolik, ndër të cilat edhe formulën e mësipërme, të cilën mund ta
përdornin prindërit për të pagëzuar fëmijët e tyre, në rastet kur nuk kishin
mundësi t’i dërgonin në kishë, ose kur nuk kishte prift. Formula është shkruar
me alfabetin latin dhe në dialektin e veriut (gegërisht).
“Formula e pagëzimit” është gjetur në Bibliotekën Laurentiana të Milanos nga
historiani i njohur rumun Nikolla Jorga dhe është botuar prej tij në vitin 1915
në “Notes et extraits pour servir l’histoire des croisades au XV siecle IV,
1915”.
Më pas, një botim filologjik të këtij dokumenti, bashkë me riprodhimin
fotografik të tij, e bëri filologu francez Mario Rognes në “Recherches sur les
anciens textes albanais”, Paris 1932.
Dokumenti i dytë, i shkruar në gjuhën shqipe është Fjalorthi i Arnold von
Harfit, i vitit 1496. Udhëtari gjerman Arnold von harf, nga fshati i Këlnit, në
vjeshtë të vitit 1496, ndërmori një udhëtim pelegrinazhi për në “vendet e
shenjta”. Gjatë udhëtimit kaloi edhe nëpër vendin tonë, gjatë bregdetit, duke u
ndalur në Ulqin, Durrës e Sazan dhe për nevoja praktike të rrugës shënoi 26
fjalë, 8 shprehje dhe numërorët 1 deri më 10 dhe 100 e 1000, duke i shoqëruar me
përkthimin gjermanisht. Ky Fjalorth u botua për herë të parë më 1860 në Këln,
nga E.von Grote.
I fundit të shekullit XV ose i fillimit të shekullit XV është edhe një tekst
tjetër i shkruar në gjuhën shqipe dhe i gjendur brenda një dorëshkrimi grek të
shekullit XIV në Bibliotekën Ambrosiana të Milanos. Teksti përmban pjesë të
përkthyera nga Ungjilli i Shën Mateut, etj. Ai është shkruar në dialektin e
jugut dhe me alfabet grek. Ky tekst i shqipes i shkruar, njihet në literaturën
shqiptare me emrin “Ungjilli i Pashkëve”.
Këto dokumente nuk kanë ndonjë vlerë letrare, por paraqesin interes për
historinë e gjuhës së shkruar shqipe. Shqipja, që në fillimet e shkrimit të saj,
dëshmohet e shkruar në të dy dialektet, në dialektin e veriut (gegërisht) dhe në
alfabetin e jugut (toskërisht), si dhe me dy alfabete, me alfabetin latin dhe me
alfabetin grek, gjë që tregon se kultura shqiptare ishte njëkohësisht nën
ndikimin e kulturës latine dhe të kulturës greko-bizantine.
Libri i parë i shkruar në gjuhën shqipe, që njohim deri më sot, është
“Meshari” i Gjon Buzukut, i vitit 1555, i cili shënon edhe fillimin e letërsisë
së vjetër shqiptare. Nga ky libër, na ka arritur vetëm një kopje, që ruhet në
Bibliotekën e Vatikanit. Libri përmban 220 faqe, të shkruara në dy shtylla.
“Meshari” i Gjon Buzukut është përkthimi në shqip i pjesëve kryesore të
liturgjisë katolike, ai përmban meshet e të kremteve kryesore të vitit, komente
të librit të lutjeve, copa nga Ungjilli dhe pjesë të ritualit dhe të katekizmit.
Pra, ai përmban pjesët që i duheshin meshtarit në praktikën e përditshme të
shërbimeve fetare. Duket qartë, se kemi të bëjmë me një nismë të autorit, me një
përpjekje të tij, për të futur gjuhën shqipe në shërbimet fetare katolike. Pra,
edhe për gjuhën shqipe, ashtu si për shumë gjuhë të tjera, periudha letrare e
saj nis me përkthime tekstesh fetare.
Libri i parë në gjuhën shqipe, “Meshari” i Gjon Buzukut, u zbulua për herë të
parë në Romë nga njeri prej shkrimtarëve të veriut, Gjon Nikollë Kazazi. Por
libri humbi përsëri dhe u rizbulua më 1909 nga peshkopi Pal Skeroi, gjurmues dhe
studiues i teksteve të vjetra. Në vitin 1930, studiuesi nga Shkodra Jystin rrota
vajti në Romë, bëri tri fotokopje të librit dhe i solli në Shqipëri. Në vitin
1968 libri u botua i transliteruar dhe i transkriptuar, i pajisur me shënime
kritike dhe me një studim të gjerë hyrës nga gjuhëtari i shquar, prof.E.Çabej.
Në mënyrë të pavarur, tekstin e Buzukut, e pati transkriptuar edhe studiuesi
N.Resuli.
"Meshari” i Gjon Buzukut është shkruar në gegërishten veriore
(veriperëndimore), me alfabet latin, të plotësuar me disa shkronja të veçanta.
Libri ka një fjalor relativisht të pasur dhe ortografi e forma gramatikore
përgjithësisht të stabilizuara, çka dëshmon për ekzistencën e një tradite të
mëparshme të të shkruarit të shqipes.
Prof. Eqrem Çabej, që ishte marrë gjerësisht me veprën e Gjon Buzukut, ka
arritur në përfundimin, se gjuha e saj “nuk është një arë fare e papunuar”.
“Duke e shkruar me një vështrim më objektiv këtë tekst – pohon ai – nga gjuha e
rrjedhshme që e përshkon fund e majë atë dhe nga mënyra, me gjithë lëkundjet e
shpeshta, mjaft konsekuente e shkrimit, arrin të bindet njeriu, se në Shqipëri
ka qenë formuar që më parë, së paku që në mesjetën e vonë, një traditë letrare
me shkrime liturgjike”. Kjo tezë, sipas autorit, gjen mbështetje edhe nga
gjendja kulturore e Shqipërisë mesjetare; “shkalla e kulturës së popullit
shqiptar në atë kohë nuk ka qenë ndryshe nga ajo e vendeve përreth, sidomos e
atyre të brigjeve të Adriatikut”.
Për një traditë të shkrimit të shqipes para shekullit XV, flasin edhe disa
dëshmi të tjera të tërthorta. Kleriku francez Gurllaume Adae (1270-1341), i cili
shërbeu për shumë kohë (1324-1341), si Kryepeshkopi i Tivarit dhe pati mundësi
t’i njihte mirë shqiptarët, në një relacion me titull “Directorium ad passagium
faciendum ad terrom sanctam”, dërguar mbretit të Francës Filipit VI, Valua,
studiuan ndër të tjera: “Sado që shqiptarët kanë një gjuhë të ndryshme nga
latinishtja, prapëseprapë, ata kanë në përdorim dhe në të gjithë librat e tyre
shkronjën latine”. Pra, ky autor flet për libra në gjuhën e shqiptarëve, duke
dhënë kështu një dëshmi se shqipja ka qenë shkruar para shekullit XV.
Edhe humanisti i shquar Marin Barleti, në veprën e tij “De obsi dione
scodrensi” (Mbi rrethimin shkodran), botuar në Venedik, më 1504, duke folur për
qytetin e Shkodrës, bën fjalë për fragmente të shkruara in vernacula lingua,
d.m.th. në gjuhën e vendit, të cilat flasin për rindërtimin e qytetit të
Shkodrës.
Këto dëshmi të G.Adae dhe të M.Barletit, dy njohës të mirë të shqiptarëve dhe
të vendit të tyre, janë në pajtim edhe me të dhënat historike për këtë periudhë,
të cilat flasin për një nivel ekonomik e kulturor të zhvilluar të viseve
shqiptare në shekullin XIV dhe në fillim të shekullit XV. Në atë periudhë, në
veri dhe në jug të Shqipërisë, lulëzuan ekonomikisht Durrësi, Kruja, Berati,
Vlora, të cilat u bënë qendra të rëndësishme tregtare, zejtare dhe
kulturore.
Këto janë dëshmi që e bëjnë të besueshme ekzistencën e një tradite më të
hershme shkrimi të shqipes, megjithatë, deri sa kërkimet të mos kenë nxjerre në
dritë ndonjë libër tjetër, “Meshari” i Gjon Buzukut do të vijojë të mbetet libri
i parë i shkruar në gjuhën shqipe dhe vepra e parë e letërsisë shqiptare.
Në shekullin XVI i ka fillimet edhe letërsia në gjuhën shqipe te arbëreshët e
Italisë. Vepra e parë e letërsisë arbëreshe në gjuhën shqipe dhe vepra e dytë
për nga vjetërsia, pas asaj të Buzukut, është ajo e priftit arbëresh Lekë
Matrenga “E mbesuame e krishterë….”, e botuar në vitin 1592. Është një libër i
vogël me 28 faqe, përkthim i një katekizmi. Libri është shkruar në dialektin e
jugut, me alfabet latin, plotësuar me disa shkronja të veçanta për të paraqitur
ato tinguj të shqipes, që nuk i ka latinishtja.
Një zhvillim më të madh njohu lëvrimi i gjuhës shqipe në shekullin XVII, nën
penën e një vargu autorësh, si Pjetër Budi, Frang Bardhi dhe Pjetër Bogdani, të
cilët nuk bënë vetëm përkthime, por shkruan edhe vepra origjinale,
Frang Bardhi, në vitin 1635, hartoi të parin fjalor, “Fjalorin
latinisht-shqip”, me të cilin mund të thuhet, se zë fill shkenca gjuhësore
shqiptare. Gjatë Rilindjes Kombëtare, në shekullin XIX, në kushte të reja
historike, lëvrimi dhe përparimi i gjuhës shqipe hyri në një etapë të re. Në
këtë periudhë u bënë përpjekje të vetëdijshme për të ndërtuar një gjuhë letrare
kombëtare, standardizimi i së cilës u arrit në shekullin XX.
Dialektet e gjuhës shqipe
Gjuha shqipe ka dy dialekte kryesore, dialektin e veriut ose gegërishten dhe
dialektin e jugut ose toskërishten. Kufiri natyror që i ndan në vija të
përgjithshme këto dialekte, është lumi i Shkumbinit, që kalon nëpër Elbasan, në
Shqipërinë e mesme. Në anën e djathtë të Shkumbinit shtrihet dialekti verior
(gegërishtja), në anën e majtë të tij, dialekti jugor (toskërishtja).
Dallimet midis dialekteve të shqipes nuk janë të mëdha, folësit e tyre
kuptohen pa vështirësi njeri me tjetrin. Megjithatë, ekzistojnë disa dallime në
sistemin fonetik dhe në strukturën gramatikore e në leksik, nga të cilët më
kryesorët janë: dialekti i veriut ka zanore gojore dhe hundore, kurse dialekti i
i jugut, vetëm zanore gojore; togut ua të toskërishtes, gegërishtja i përgjigjet
me togun ue (grua ~ grue); togut nistor va të toskërishtes, gegërishtja i
përgjigjet me vo (vatër ~ votër); â-së hundore të theksuar të gegërishtes,
toskërishtja i përgjigjet me ë të theksuar (nânë ~ nënë).
Dialekti i jugut ka dukurinë e retacizmit (kthimin e n-së ndërzanore në r
(ranë ~ rërë), që në gegërisht mungon; në toskërisht, grupet e
bashkëtingëlloreve mb, nd, etj. Ruhen të plota, kurse në gegërisht, janë
asimiluar ne m, n, (mbush ~ mush, vend ~ ven). Në sistemin morfologjik, dialekti
i veriut ka formën e paskajores së tipit me punue, kurse toskërishtja në vend të
saj, përdor lidhoren të punoj. Forma e pjesores në toskërisht, del me mbaresë,
kurse në gegërisht, pa mbaresë (kapur ~ kapë), etj. Dialekti i jugut ka format e
së ardhmes: do të punoj dhe kam për të punuar , ndërsa dialekti i veriut përveç
formave të mësipërme ka formën kam me punue.
Shqipja standarde
Formimi i gjuhës letrare kombëtare të njësuar (gjuha standarde), si varianti
më i përpunuar i gjuhës së popullit shqiptar, ka qenë një proces i gjatë, që ka
filluar që në shekujt XVI-XVIII, por përpunimi i saj hyri në një periudhë të re,
në shekullin XIX, gjatë Rilindjes Kombëtare.
Ne vitin 1824 Naum Veqilharxhi filloi punën për te krijuar alfabetin shqip
dhe ne vitin 1844 dhe 1845 u botua “Evetar”-i. Vaqilharxhi ishte i pari qe
shprehu qëllimet e Rilindjes Kombëtare Shqiptare nëpërmjet traktatit të tij,
parathënies së “Evetar”-it të parë dhe shumë shkrimeve të tjera.
Në programin e Rilindjes, mësimi dhe lëvrimi i gjuhës amtare, përpjekjet për
pasurimin e saj dhe pastrimin nga fjalët e huaja dhe të panevojshme, zinin një
vend qendror. Gjatë kësaj periudhe, u zhvillua një veprimtari e gjerë letrare,
kulturore dhe gjuhësore.
Në vitin 1879, u krijua “Shoqata e të shtypurit shkronja shqip”, që i dha një
shtysë të re kësaj veprimtarie. U hartuan gramatikat e para me synime normative
dhe u bë hapi i parë për hartimin e një fjalori kombëtar i gjuhës shqipe, që
është “Fjalori i Gjuhës Shqipe” i Kostandin Kristoforidhit, i botuar pas vdekjes
së autorit, më 1904.
Gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare, u arrit të përvijoheshin dy variante
letrare të kombit shqiptar, varianti letrar jugor dhe varianti letrar verior. U
bënë gjithashtu, përpjekje për afrimin e këtyre varianteve dhe për njësimin e
gjuhës letrare. Detyra e parë që duhej zgjedhur, ishte njësimi i alfabetit. Deri
atëherë, shqipja ishte shkruar në disa alfabete: alfabeti latin, alfabeti grek,
alfabeti turko-arab dhe alfabete të veçanta. Këtë detyrë e zgjidhi Kongresi i
Manastirit, i mbledhur më 14 deri më 22 Nëntor të vitit 1908, në qytetin e
Manastirit, që sot ndodhet në Maqedoni. Ne këtë Kongres, pas shumë diskutimesh,
u vendos që të përdorej një alfabet i ri, i mbështetur tërësisht në alfabetin
latin, i plotësuar me nëntë digrame (dh, gj, ll, nj, rr, sh, th, xh, zh), dhe me
dy shkronja me shenja diakritike (ç, ë), është alfabeti që ka edhe sot në
përdorim gjuha shqipe. Kongresi e la të lirë edhe përdorimin e alfabetit të
Stambollit, që kishte mjaft përhapje, por koha ja lëshoi vendin alfabetit të ri,
që u paraqit në Kongres, pra alfabetit të sotëm.
Një hap tjetër për njësimin e gjuhës letrare shqipe, bëri “Komisioni letrar
shqip”, që u mblodh në Shkodër në vitin 1916. Komisioni nënvizoi si detyrë
themelore lëvrimin e gjuhës letrare shqipe dhe zhvillimin e letërsisë shqiptare.
Ky komision gjuhëtarësh e shkrimtarësh, krijuar për të ndihmuar në formimin e
një gjuhe letrare të përbashkët përmes afrimit të dy varianteve letrare në
përdorim, vlerësoi variantin letrar të mesëm, si një urë në mes toskërishtes dhe
gegërishtes dhe përcaktoi disa rregulla për drejtshkrimin e tij, të cilat
ndikuan në njësimin e shqipes së shkruar.
Vendimet e Komisionit letrar shqip për gjuhën letrare e për drejtshkrimin e
saj, u miratuan më vonë edhe nga Kongresi Arsimor i Lushnjës (1920) dhe vijuan
te zbatoheshin deri në Luftën e Dytë Botërore.
Pas Luftës së dytë Botërore, puna për njësimin e gjuhës letrare kombëtare
(gjuhës standarde) dhe të drejtshkrimit të saj, nisi te organizohet nga
Instituti i Shkencave. U krijuan komisione të posaçme për hartimin e projekteve
të drejtshkrimit. Kështu, u hartuan disa projekte në vitet 1948, 1951, 1953 e
1956. U organizuan gjithashtu, dy konferenca shkencore në vitin 1952, për të
diskutuar për problemin e gjuhës letrare.
Me 1967, u botua nga Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, projekti i ri
“Rregullat e drejtshkrimit të shqipes”. Ky projekt filloi të zbatohet në të
gjithë hapësirën shqiptare, në Republikën e Shqipërisë, në Kosovë dhe në Mal të
Zi. Ndërkohë, përpjekje për njësimin e gjuhës letrare dhe të drejtshkrimit të
saj, bëheshin edhe në Kosove.
Në vitin 1968, u mblodh Konsulta Gjuhësore e Prishtinës, e cila, e udhëhequr
nga parimi “një komb-një gjuhë letrare”, vendosi që projekti i ortografisë i
vitit 1968, posa të miratohej e të merrte formën zyrtare në Republikën e
Shqipërisë, do të zbatohej edhe në Kosovë. Vendimet e kësaj Konsulte kanë qenë
me rëndësi të jashtëzakonshme për njësimin e gjuhës letrare kombëtare
shqipe.
Projekti “Rregullat e drejtshkrimit të shqipes “ i vitit 1967, pas një
diskutimi publik, ai u paraqit për diskutim në Kongresin e Drejtshkrimit të
Shqipes, qe u mblodh në Tiranë, në vitin 1972, i cili ka hyrë në historinë e
gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare, si Kongresi i njësimit të gjuhës
letrare kombëtare.
Kongresi i Drejtshkrimit të Shqipes, në të cilin morën pjesë delegatë nga të
gjitha rrethet e Shqipërisë, nga Kosova, nga Maqedonia dhe nga Mali i Zi dhe nga
arbëreshet e Italisë, pasi analizoi të gjithë punën e bërë deri atëherë për
njësimin e gjuhës letrare, miratoi një rezolutë, në të cilën përveç të tjerash,
pohohet se “populli shqiptar ka tashmë një gjuhë letrare të njësuar”.
Gjuha letrare kombëtare e njësuar (gjuha standarde), mbështetej kryesisht në
variantin letrar të jugut, sidomos në sistemin fonetik por në të janë integruar
edhe elemente të variantit letrar të veriut.
Pas Kongresit të Drejtshkrimit, janë botuar një varg vepra të rëndësishme, që
kodifikojnë normat e gjuhës standarde, siç janë “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”
(1973), “Fjalori i gjuhës së sotme letrare (1980), Fjalori i shqipes së sotme
(1984), Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe (1976), Gramatika e gjuhës së
sotme shqipe I Morfologjia (1995), II Sintaksa (1997).
Veçori tipologjike të shqipes së sotme standarde
Nga ana strukturore, paraqitet sot si një gjuhë sintetiko-analitike, me një
mbizotërim të tipareve sintetike dhe me një prirje drejt analitizmit. Një pjesë
e mirë e tipareve të saj fonetike dhe gramatikore, janë të trashëguara nga një
periudhë e lashtë indoevropiane, një pjesë tjetër janë zhvillime te
mëvonshme.
Shqipja ka sot një sistem fonologjik të vetin, që përbëhet nga shtatë fonema
zanore dhe 29 fonema bashkëtingëllore. Shkruhet me alfabet latin të caktuar në
vitin 1908 në Kongresin e Manastirit.
Alfabeti i shqipes ka 36 shkronja, nga të cilat 25 janë të thjeshta (a, b, c,
d, e, f, g, h, i, j, k, l, m, n, o, p, q, r, s, t, u, v, x, y, z), 9 janë
bigrame (dh, gj, ll, nj, rr, sh, th, xh, zh) dhe 2 me shkronja diakritike (ë,
ç).
Shqipja ka theks intensiteti dhe përgjithësisht të palëvizshëm gjatë
fleksionit. Në shumicën e rasteve, sidomos në sistemin emëror, theksi bie në
rrokjen e parafundit.
Shqipja ka një sistem të zhvilluar (të pasur) formash gramatikore, ka një
sistem lakimi binar: lakimin e shquar dhe të pashquar, ruan ende mirë format
rasore (ka pesë rasa), sistemin prej tri gjinish (mashkullore, femërore dhe
asnjanëse), kjo e fundit po shkon drejt zhdukjes, mbahet vetëm në një kategori
të veçantë emrash foljorë, të tipit: të shkruarit, të menduarit, etj.
Sistemi emëror ka trajtë të shquar dhe të pashquar dhe për pasojë, edhe lakim
të shquar e të pashquar; nyja shquese është e prapavendosur si në rumanisht dhe
në bullgarisht; ka nyje të përparme te emrat në rasën gjinore (i, e malit) dhe
te mbiemrat e nyjshëm (i mirë, i vogël, etj)., te emrat asnjanës të tipit të
folurit, etj. Përveç fleksionit me mbaresa të veçanta, shqipja njeh edhe
fleksionin e brendshëm (dash ~ desh, marr ~ merr); ka dy tipe strukturorë
mbiemrash të ngjashëm (i madh, i ndershëm) dhe të panyjshëm (trim, besnik). Te
numërorët përdor kryesisht sistemin decimal (dhjetë, tridhjetë, pesëdhjetë), por
ruan edhe sistemin vigezimal (njëzet, dyzet); numërorët e përberë nga 11-19,
formohen duke vënë numrin e njësheve përpara, parafjalën mbë dhe pastaj
dhjetëshet (njëmbëdhjetë, dymbëdhjetë, etj) si në rumanisht dhe në gjuhët
sllave.
Sistemi foljor paraqitet mjaft i larmishëm. Shqipja ka një sistem të pasur
formash mënyrore dhe kohore, një pjesë të e cilave janë të trashëguara nga një
periudhë e hershme, një pjesë janë kryer gjatë evolucionit të saj historik.
Folja ka gjashtë mënyra; (dëftore, lidhore, kushtore, habitore, dëshirore,
urdhërore) dhe tri forma të pashtjelluara (pjesore, paskajore dhe përcjellore).
Koha e ardhshme ndërtohet në mënyrë analitike, me dy forma: me do (forma e
foljes dua) + lidhore (do të punoj) dhe me foljen ndihmëse kam + paskajore (kam
për të punuar).
Rendi i fjalëve në fjali është përgjithësisht i lirë, por më i zakonshëm
është rendi subjekt+verb+objekt.
Leksiku i gjuhës shqipe përbëhet prej disa shtresash. Një shtresë të veçantë
përbëjnë fjalët me burim vendas, të trashëguar nga një periudhë e lashtë
indoevropiane (ditë, natë, dimër, motër, jani, etj.), ose të formuara më vonë,
me mjete të shqipes (ditor, dimëror, i përnatshëm). Një shtresë tjetër, përbëjnë
fjalët e huazuara nga gjuhë të tjera, si pasojë e kontakteve të popullit
shqiptar me popuj të tjerë gjatë shekujve. Fjalët e huazuara kanë hyrë nga
greqishtja, greqishtja e vjetër dh e re, nga latinishtja dhe gjuhët romane, nga
sllavishtja dhe nga turqishtja. Shqipja, me gjithë huazimet e shumta, ka ruajtur
origjinalitetin e saj, si gjuhë e veçantë indoevropiane.
Përhapja e gjuhës shqipe
Shqipja flitet sot nga më se gjashtë milionë vetë në Republikën e Shqipërisë,
në Kosovë, në viset shqiptare të Maqedonisë, të Malit të Zi, të Serbisë jugore,
si dhe në viset e Çamërisë në Greqi. Shqipja flitet gjithashtu, në ngulimet
shqiptare në Itali, në Greqi, në Bullgari, në Ukrainë, si dhe në shqiptarë të
mërguar në viset e ndryshme të botës para Luftës se Dytë Botërore dhe në këtë
dhjetëvjeçarin e fundit.
Gjuha shqipe mësohet dhe studiohet në disa universitete dhe qendra
albanologjike në botë, si në Paris, Romë, Napoli, Kozencë, Palermo, Leningrad,
Pekin, München, Bukuresht, Selanik, Sofie etj.
Studimet për gjuhën shqipe
Gjuha dhe kultura e shqiptarëve, lashtësia dhe karakteri origjinal i tyre,
kanë tërhequr prej kohësh vëmendjen e studiuesve të huaj dhe shqiptarë që në
shekullin XVIII dhe më parë. Në mënyrë të veçantë, gjuha, historia dhe kultura e
shqiptarëve, tërhoqi vëmendjen e botës gjermane. Me të u mor edhe një filozof i
madh, siç ishte Gotfrid Vilhelm Lerbnitz, që punoi një shekull para lindjes së
gjuhësisë krahasimtare. Ai mendonte, se studimi krahasues i gjuhëve ishte
themelor për të ndërtuar një histori universale të botës, për ta kuptuar dhe për
ta shpjeguar atë. Në disa letra, qe ai i shkruante një bibliotekari të
Bibliotekës Mbretërore të Berlinit, në fillim të shekullit XVIII, shprehet edhe
për natyrën dhe prejardhjen e gjuhës shqipe dhe pas disa luhatjeve, arriti në
përfundimin, se shqipja është gjuha e ilirëve të lashtë.
Megjithatë, studimet shkencore për gjuhën shqipe, si dhe për shumë gjuhë të
tjera, nisën pas lindjes së gjuhësisë historike-krahasuese nga mesi i shekullit
XIX. Një nga themeluesit e kësaj gjuhësie, dijetari gjerman Franz Bopp, arriti
të provonte që në vitin 1854, se shqipja bënte pjesë në familjen e gjuhëve
indoevropiane dhe se zinte një vend të veçantë në këtë familje gjuhësore. Pas
tij, studiues të tjerë, si G.Meyer, H.Pedersen, N.Jokli, studiuan aspekte të
ndryshme të leksikut dhe të strukturës gramatikore të gjuhës shqipe. G.Meyer do
të hartonte që në vitin 1891 një Fjalor etimologjik të Gjuhës shqipe
(Etymologisches Wörterbuch der albanesischen Sprache, Strasburg 1891), i pari
fjalor i këtij lloji për shqipen. Përveç këtyre, një varg i madh gjuhëtarësh të
huaj, si F.Miclosich, G.Weigand, C.Tagliavini, St.Man, E.Hamp, A.Desnickaja,
H.Ölberg, H.Mihaescu, W.Fredler, O.Bucholtz, M.Huld, G.B.Pellegrini, etj. kanë
dhënë kontribute të shënuara për studimin e historisë së gjuhës shqipe, të
problemeve që lidhen me prejardhjen e saj, me etimologjinë, fonetikën dhe
gramatikën historike, si edhe në studimin e gjendjes së sotme të shqipes.
Ndërkohë, krahas studimeve për gjuhën shqipe të albanologëve të huaj, lindi
dhe u zhvillua edhe gjuhësia shqiptare. Ajo i ka fillimet e saj që në shekullin
XVII, kur Frang Bardhi botoi të parin fjalor të gjuhës shqipe “Dictionarium
Latino-Epiroticum” (1635). Gjatë Rilindjes Kombëtare u botuan disa gramatika të
gjuhës shqipe. Kështu, në vitin 1864, Dhimitër Kamarda, një nga arbëreshët e
Italisë, botoi veprën “Laggio della grammatica comparata sulla lingua albanese”,
Livorno 1864, vëll.II “L’Apendice al saggio dalla gramatica comparata sulla
lingua albanese”, Prato 1866. Më 1882, Kostandin
Kristoforidhi botoi “Gramatikën e gjuhës shqipe” dhe më 1806, Sami Frashëri
botoi “Shkronjëtoren e gjuhës shqipe”, dy vepra gjuhësore të rëndësishme të
shekullit XIX për gramatologjinë e gjuhës shqipe. Nga fundi i shekullit XIX,
Kostandin Kristoforidhi përgatiti edhe një “Fjalor të gjuhës shqipe”, i cili u
botua në vitin 1904 dhe përbën veprën më të rëndësishme të leksikografisë
shqiptare, që u botua para Luftës se Dytë Botërore. Në vitin 1909, botohet
Fjalori i shoqërisë “Bashkimi”.
Pas shpalljes së Pavarësisë, u botuan një varg gramatikash dhe fjalorë
dygjuhësh, për të plotësuar nevojat e shkollës dhe të kulturës kombëtare. Në
fushën e gramatikës u shqua sidomos Proff. Dr.Aleksandër Xhuvani.
Aleksandër Xhuvani (1880-1961)
Kreu studimet e larta në Universitetin e Athinës. Veprimtaria e tij për
studimin e gjuhës shqipe dhe arsimin kombëtar, e nisi që gjatë periudhës së
Rilindjes Kombëtare. Bëri një punë të madhe për pajisjen e shkollës sonë me
tekste të gjuhës shqipe, të letërsisë, të pedagogjisë dhe të psikologjisë.
Drejtoi e punoi për hartimin e udhëzuesve drejtshkrimorë në vitet 1949, 1951,
1954, 1956.
Pati një veprimtari të gjerë në fushën e pastërtisë së gjuhës shqipe e të
pasurimit të saj dhe botoi veprën “Për pastërtinë e gjuhës shqipe” (1956).
Bashkëpunoi me profesorin Eqrem Çabej, për hartimin e veprave “Parashtesat”
(1956) dhe “Prapashtesat e gjuhës shqipe” (1962), trajtesa themelore në fushën e
fjalëformimit të gjuhës shqipe. Botoi dhe një varg punimesh monografike për
pjesoren, paskajoren dhe parafjalët e gjuhës shqipe.
Ai ishte njohës i mirë dhe mbledhës i pasionuar i visarit leksikor të gjuhës
së popullit. Fjalët dhe shprehjet e mbledhura , u botuan pjesërisht pas vdekjes,
në formën e një fjalori. Përgatiti një botim të dytë të “Fjalorit të gjuhës
shqipe” të Kristoforidhit (1961).
Vepra e plotë e tij, e projektuar në disa vëllime, ende nuk është botuar. Në
vitin 1980 është botuar vëllimi i parë.
Një zhvillim më të madh njohu gjuhësia shqiptare në gjysmën e dytë të
shekullit XX, kur u krijuan edhe institucione shkencore të specializuara, si
Universiteti i Tiranës, Universiteti i Prishtinës dhe Akademia e Shkencave,
Universiteti i Shkodrës, më vonë, Universiteti i Elbasanit, Universiteti i
Gjirokastrës, Universiteti i Vlorës, Universiteti i Tetovës, etj. Gjatë kësaj
periudhe, u hartuan një varg veprash përgjithësuese nga fusha të ndryshme të
gjuhësisë. Në fushën e leksikologjisë dhe të leksikografisë, përveç studime
leksikologjike, u hartuan edhe një varg fjalorësh të gjuhës shqipe dhe fjalori
dygjuhësh, nga të cilët, më kryesorët janë: “Fjalori i gjuhës shqipe” (1954),
“Fjalori i gjuhës së sotme shqipe” (1980), “Fjalori i shqipes së sotme” (1984),
“Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe” (1976), “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”
(1973), etj. Kohët e fundit kanë dalë edhe “Fjalor frazeologjik i gjuhës shqipe”
(2000) dhe “Fjalor frazeologjik ballkanik” (1999).
Në fushën e dialektologjisë është bërë përshkrimi e studimi i të gjithë të
folurave të shqipes dhe është hartuar “Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe”,
një vepër madhore që pritet të dalë së shpejti nga shtypi.
Është bërë gjithashtu, studimi i fonetikës dhe i strukturave gramatikore të
gjuhës shqipe përmes studimeve të veçanta dhe përmes gramatikave të ndryshme,
niveleve të ndryshme, nga të cilat, më e plota është “Gramatika e gjuhës shqipe”
I Morfologjia (1995), II Sintaksa (1997), hartuar nga Akademia e Shkencave, në
bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, me kryeredaktor Mahir Domin.
Një vend të gjerë në studimet gjuhësore të këtij gjysmëshekulli, kanë zënë
problemet e historisë së gjuhës shqipe, problemet e etnogjenezës së popullit
shqiptar e të gjuhës shqipe, të etimologjisë, të fonetikës dhe të gramatikës
historike, etj. Disa nga veprat themelore në këto fusha janë: "Studime
etimologjike në fushë të shqipes” në 7 vëllime, nga E.Çabej; “Meshari” i Gjon
Buzukut (E.Çabej); “Gramatika historike e gjuhës shqipe” (Sh.Demiraj);
“Fonologjia historike e gjuhës shqipe” (Sh.Demiraj); “Gjuhësia ballkanike”
(Sh.Demiraj), etj.
Eqrem Çabej (1908-1980)
Studiuesi më i shquar i historisë së gjuhës shqipe dhe një nga personalitetet
më në zë të kulturës shqiptare. Pasi bëri studimet e para në vendlindje
(Gjirokastër), studimet e larta i kreu në Austri, në fushën e gjuhësisë së
krahasuar indoevropiane. Pas mbarimit të studimeve, kthehet në atdhe dhe fillon
veprimtarinë shkencore e arsimore në vitet ’30 të këtij shekulli dhe punoi në
këto fusha për një gjysmëshekulli, duke lënë një trashëgimi të pasur
shkencore.
Eqrem Çabej solli dhe zbatoi në gjuhësinë shqiptare metodat dhe arritjet
shkencore të gjuhësisë evropiane, duke kontribuar shumë në ngritjen e nivelit
shkencor të studimeve gjuhësore shqiptare. Eqrem Çabej punoi shumë në disa fusha
të dijes, por u shqua sidomos në fushën e historisë së gjuhës, në trajtimin e
problemeve të origjinës së gjuhës shqipe, të autoktonisë së shqiptarëve e të
etimologjisë dhe të filologjisë së teksteve të vjetra.
Veprat themelore të tij janë: “Studime etimologjike në fushë të shqipes”, në
shtatë vëllime, I “Hyrje në historinë e gjuhës shqipe”, II “Fonetikë historike”
(1958), “Meshari i Gjon Buzukut” (1968), “Shqiptarët midis perëndimit dhe
lindjes” (1944).
Ai është bashkautor edhe në një varg veprash në fushën e gjuhës së sotme, siç
janë: “Fjalor i gjuhës shqipe” (1954), “Rregullat e drejtshkrimit të gjuhës
shqipe” (1972), “Fjalori drejtshkrimor”.
Përveç veprave, ai ka botuar një varg studimesh në revista shkencore brenda e
jashtë vendit dhe ka mbajtur dhjetëra referate e kumtesa në kongrese e
konferenca kombëtare e ndërkombëtare, të cilat kanë bërë të njohura arritjet e
gjuhësisë shqiptare në botë, duke rritur kështu prestigjin e saj.
Veprat e prof. Eqrem Çabej janë botuar në tetë vëllime, në Prishtinë, me
titullin “Studime gjuhësore”.
Me veprimtarinë e shumanshme shkencore e me nivel të lartë, Eqrem Çabej
ndriçoi shumë probleme të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare, duke
argumentuar lashtësinë dhe origjinën ilire të saj, vitalitetin e saj ndër shekuj
dhe marrëdhëniet me gjuhët dhe kulturat e popujve të tjerë.
Gjatë kësaj periudhe, gjuhësia shqiptare zgjidhi edhe problemin e gjuhës
shqipe letrare kombëtare, të njësuar me çështjet teorike të së cilës është marrë
veçanërisht prof.Androkli Kostallari. Në kuadrin e punës që është bërë në fushën
e gjuhësisë normative dhe të kulturës së gjuhës, janë hartuar dhe një numër i
madh fjalorësh terminologjikë për degë të ndryshme të shkencës e të
teknikës.
Përveç veprave të shumta që janë botuar në fushën e gjuhësisë, veprimtaria e
gjuhësisë studimore e studiuesve shqiptarë pasqyrohet në botimin e disa
revistave shkencore, nga të cilat më kryesoret sot, janë: “Studime filologjike”
(Tiranë); “Gjuha shqipe” (Prishtinë); “Studia albanica” (Tiranë); “Jehona”
(Shkup); etj.
Studime te rëndësishme mbi gjuhën shqipe janë bërë nga gjuhëtarë në Kosovë,
Maqedoni, Mal i Zi, ku janë botuar një numër i konsiderueshëm veprash mbi
historinë e gjuhës shqipe, fonetikën, gramatikën, leksikun etj. Prof. Idriz
Ajeti shquhet për kontributin e veçantë që ka dhënë në këtë fushë. Kontribut të
veçantë për gjuhen shqipe kanë dhënë edhe shqiptaret e vendosur në Itali, të
njohur si “Arbëresh”.
Disa nga figurat më të shquara të gjuhësisë shqiptare të këtyre dy shekujve
të fundit, janë: Dhimitër Kamarda (arbëresh i Italisë), Kostandin Kristoforidhi,
Sami Frashëri, Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej, Selman Riza, Kostaq Cipo, Mahir
Domi, Shaban Demiraj, Androkli Kostallari, Idriz Ajeti, etj.
(Marrë nga shqipëria.com)
|