Musa Ahmeti
Dorëshkrimi i Teodor Shkodranit nga viti 1210, i tëri në gjuhën shqipe,
shtyen kufijtë kohorë për 345 vite më herët se sa “Meshari”i Buzukut,që është i
vitit 1555.- Botimi i tërë dorëshkrimit, si libër i veçantë, do të bëhet së
shpejti nga revista “Ekskluzive”. Dorëshkrimi është transkriptuar, transliteruar
dhe shoqërohet me një koment dhe analizë shkencore nga autori i këtij
shkrimi.
I gjithë dorëshkrimi është autograf, i shkruar nga një dorë. Ndërsa në fund
fare, në f. 208, autori është firmosur vetë me emrin: Teodor Shkodrani, duke
shënuar: “Me ndihmën dhe dëshirën e fort të lumturit Zot, e përfundova në vitin
1210, ditën e 9 të marsit”. “Mee nihemmen zze dessirnnee e phorte t’ Lummnummitt
ZOT e mbaronjj n’Vitte MCCX dittn ee IX t’ Mmarxxitee” - THEODOR
SSCODRAANNITTEE
“Asnjë gjuhë e botës nuk njihet që nga fillimet e saj. Nga kjo arsye historia
e çdo gjuhe qoftë... detyrohet të fillojë nga një epokë e caktuar... Historinë e
një gjuhe mund ta nisim që nga koha që ajo gjuhë është shkruar. Vetëm kur është
shkruar, një gjuhë ka marrë fizionominë e saj të veçantë, ka zënë një vend të
caktuar në historinë e kulturës së njerzimit... Pa shkrime pra nuk kemi histori
të një gjuhe. Për çdo gjuhë historia e saj nis kur nis kjo gjuhë të shkruhet”.
[Çabej]
Studimet dhe hulumtimet shkencore nëpër arkiva e biblioteka të ndryshme, janë
shumë të rëndësishme ngase na mundësojnë njohjen dhe pasurimin me të dhëna të
reja për albanologjinë dhe historinë kombëtare në përgjithësi. Deri para pak
kohësh është folur e shkruar, por gjithnjë deri tashti në formë të supozimeve,
se “duhet” të ketë libra, dorëshkrime ose dokumente të shkruara në gjuhën
shqipe, të cilat janë më të hershme se sa “Formula e pagëzimit” nga viti 1462
apo nga libri i parë i shtypur në gjuhën shqipe, “Meshari” i Buzukut nga viti
1555.
Duke u nisur nga ide të tilla, por edhe nga pohimi i Eqrem Çabejt se: “Në
nëndorin e vitit 1940 N. Borgia më kumtoi në Grotaferata pranë Romës se kishte
zbuluar në Arkivin e Vatikanit një dokument në gjuhën shqipe më të vjetër se
Buzuku. Fshehtësinë e zbulimit të tij ky dijetar e mori me vete në varr.
Gjurmime të mëtejme nëpër arkivat e Vatikanit e të Propagandës mund të na
sjellin ndonjë të papritur në zbulim dokumentesh më të moçme të shqipes.”
(Studime gjuhësore, vëllimi VI, f. 12, referenca nr. 29, Prishtinë, 1988)
Paralelisht kemi konsultuar edhe burime të ndryshme nga Biblioteka Apostolike
e Vatikanit, duke shfrytëzuar Kodekse dhe dorëshkrime të tjera që kishin të
bënin me shqiptarët dhe Shqipërinë
Ne, sikur edhe shumë studiues të tjerë, ju vumë kërkimeve në Arkivin Sekret
të Vatikanit për të gjetur ndonjë gjurmë të këtij dokumenti apo dorëshkrimi.
Konsultimi me kolegë specialistë me përvojë nga Arkivi i Vatikanit, por edhe
studiues eminentë botërorë, që bëjnë studime në Vatikan, ishte i dobishëm, ngase
kursyem shumë kohë dhe eliminuam disa nga fondet arkivore, duke qenë pothuajse
të sigurt se aty nuk mund të ndodhej një dokument apo dorëshkrim për të cilin
bën fjalë Nilo Borgia, e pas tij edhe Zef Skiroi. Fondet të cilat duhej të
studioheshin, prapë ishin të shumta dhe tepër voluminoze. Paralelisht kemi
konsultuar edhe burime të ndryshme nga Biblioteka Apostolike e Vatikanit, duke
shfrytëzuar Kodekse dhe dorëshkrime të tjera që kishin të bënin me shqiptarët
dhe Shqipërinë.
Siç dihet Arkivi i Vatikanit e ka zanafillën e tij nga Mesjeta e hershme. Për
publikun dhe studiuesit laikë ai u hap vetëm pas vitit 1882. Këtu ruhen
dokumente, dorëshkrime dhe libra nga më të ndryshmet, që kanë të bëjnë me
religjionin dhe kishën; por edhe me momente të tjera të jetës laike, politike,
shkencore, etj. Funksionimi i këtij Arkivi është rregulluar në vitin 1927 me
rregulloren: “Regolamento dell’Archivio Vaticano del 1927”. Konsultimi dhe
shfrytëzimi i dokumenteve, por edhe i literaturës tjetër që ruhet në këtë Arkiv,
është përcaktuar nga Papati dhe zbatohet me përpikëri duke mos bërë asnjë lloj
lëshimi. Për momentin mund të konsultohet lënda burimore arkivore deri në
periudhën e Benediktit të XV, viti l914; ndërsa për atë në vazhdim, por edhe për
disa fonde të veçanta, pos lejeve speciale, një pjesë e mirë e Arkivit të
Vatikanit është ende “sekrete”.
Më në fund, në vitin 1998, kemi pasur fatin të kishim në dorë një vëllim të
lidhur me kopertina të forta druri, nga viti 1210, titulli i të cilit në
regestat e Vatikanit nuk ishte i shënuar komplet dhe në formën origjinale.
Shfletimi i kujdesshëm, që në faqen e parë, ishte shenjë se teksti nuk ishte në
gjuhën latine, greke, sllave apo ndonjë gjuhë tjetër, por ishte i tëri në gjuhën
shqipe.
Vëllimi i tëri është në pergamen, gjë e zakonshme për kohën kur ishte
shkruar. I ka 208 fletë, pra 208 faqe, sepse në pergamen shkruhet vetëm në
njërën anë. Paginimi [numërimi] i faqeve është vetëm recto. Dimensionet janë: 28
x 39.5 cm. Komplet vëllimi është i ruajtur shumë bukur, nuk ka dëmtime, pos që
në disa vende ka filluar të fshihet ngjyra dhe kjo në fletët 188, 189 dhe 192. I
gjithë dorëshkrimi është i shkruar me grafema (shkronja) latine dhe i tëri në
gjuhën shqipe, në dialektin e veriut, i cili si i vjetër që është paraqet mjaft
vështërisi për t’u lexuar.
Në fillim, por edhe në disa vende brenda dorëshkrimit, ka iniciale të cilat
janë shumë të bukura. Tri nga ato janë të praruara me flori. Inicialet tjera
janë me ngjyrë të kuqe, pjesa dërrmuese, ndërsa dy janë me ngjyrë blu të hapur.
Në dorëshkrim ka edhe tri miniatura, kryesisht të punuara nga floriri, të cilat
paraqesin momente biblike.
I gjithë dorëshkrimi është autograf, i shkruar nga një dorë. Ndërsa në fund
fare, në f. 208, autori është firmosur vetë me emrin: Teodor Shkodrani, duke
shënuar: “Me ndihmën dhe dëshirën e fort të lumturit Zot, e përfundova në vitin
1210, ditën e 9 të marsit”. (“Mee nihemmen zze dessirnnee e phorte t’
Lummnummitt ZOT e mbaronjj n’Vitte MCCX dittn ee IX t’ Mmarxxitee”. - THEODOR
SSCODRAANNITTEE)
Pas një pune disavjeçare, kemi arritur të bëjmë transkriptimin dhe
transliterimin e dorëshkrimit
Dorëshkrimi ndahet në tre kapituj, në f. 1r – 97r mbi teologjinë; f. 98r –
146r mbi filozofinë dhe 147r – 208r mbi historinë. Secili nga kapitujt mund të
jetë edhe libër në vete. Duke mos mohuar vlerën dhe rëndësinë e dy kapitujve të
parë, kapitulli i tretë ka tërhequr më shumë vëmendjen tonë ngase pos të dhënave
me interes të veçantë, autori citon edhe vepra të tjera që ka konsultuar dhe më
shumë se një herë, mbështetet në kronikat shqiptare të qyteteve të ndryshme.
Pas një pune disavjeçare, kemi arritur të bëjmë transkriptimin dhe
transliterimin e dorëshkrimit. Ishte një punë shumë e mundimshme kjo, ngase ne
nuk kishim tekste [dokumente apo dorëshkrime] të ngjashme nga kjo kohë apo kohë
më e afërt, për të konsultuar e krahasuar grafemat, fjalët, fjalitë dhe
strukturën e përgjithshme gramatikore. Jemi të vetëdijshëm se mund të ketë
lëshime, por mbetet që specialistët e fushave përkatëse, pas studimeve të tyre,
të nxjerrin përfundime të drejta dhe shkencore.
Dorëshkrimi i Teodor Shkodranit, e shtyn edhe për 74 vjet më herët jo vetëm
përmendjen e gjuhës por edhe e dëshmon se shqipja ishte shkruar; ndërsa kur
bëhet fjalë për dokument të shkruar që është më i hershëm se “Meshari” i Buzukut
për 345 vjet
Pos rëndësisë së jashtëzakonshme që ka dorëshkrimi, për atë se tregon një
vazhdimësi të pandërprerë të shkrimit të gjuhës shqipe, ngase sipas dëshmive që
kemi, për herë të parë bëhet fjalë për gjuhën shqipe në vitin 1284 (jo 1285 siç
është menduar deri me tashti) në një dokument të Arkivit të Dubrovnikut
/Raguzës/ nga 14 korriku i vitit 1284, ku thuhet: “Dëgjova një zë që thërriste
në mal në gjuhën shqipe” (Et audiui unam uocem clamantem in monte in lingua
albanesesca). Po sjellim faksimilin e origjinalit i cili botohet për herët të
parë si i tillë.
Dëshminë e dytë e kemi nga një autor anonim, që sipas të gjitha gjasave ishte
prift i urdhrit dominikan, i cili në vitin 1308, gjatë udhëtimit nëpër Ballkan,
kur përshkruan Shqipërinë dhe shqiptarët, ndër të tjera shkruan: “këtu
shqiptarët e lartpërmendur kanë një gjuhë të dallueshme prej latinëve, grekëve e
sllavëve, kështu që nuk merren vesh fare me popujt tjerë” [Habent enim Albani
prefati linguam distanctam a latinis, grecis et slavis ita quod in nullo se
inteligunt cum aliis nationibus].
Dëshmia e tretë është ajo e Guljelm Adamit, i cili në vitin 1332, me porosi
të papës Gjon XXII, shkroi traktatin “Directorium ad passagium faciendum”, duke
i bërë kështu edhe një relacion Filipit të VI-të Valua, mbretit të Francës, me
titull: "DIRECTORIUM AD PASSAGIUM FACIENDUM (UDHËZIM PËR TË KRYER KALIMIN E
DETIT), ku jep të dhëna për Shqipërinë dhe shqiptarët. Këtu gjejmë edhe fjalinë
e famshme që e bëri të njohur në histori: “Dhe megjithëse shqiptarët kanë një
gjuhë krejt tjetër dhe të ndryshme nga latinët, ata kanë shkronjat latine në
përdorim dhe në të gjithë librat e tyre.”
Pra, nëse e shikojmë kronologjikisht, që nga viti 1284, kur për herë të parë
përmendet gjuha shqipe, dorëshkrimi i Teodor Shkodranit, e shtyn edhe për 74
vjetë më herët jo vetëm përmendjen e gjuhës, por edhe e dëshmon se shqipja ishte
shkruar; ndërsa kur bëhet fjalë për dokument të shkruar, siç është “Formula e
Pagëzimit” nga viti 1462, ky dorëshkrim është më i hershëm për 252 vjet, kurse
më i hershëm se “Meshari” i Buzukut për 345 vjet.
Lajmi për zbulimin e këtij dorëshkrimi nga viti 1210 është mirëpritur në
rrethet shkencore e intelektuale jo vetëm shqiptare. Interesim të veçantë ka
zgjuar fakti se i gjithë dorëshkrimi, prej 208 fletësh, është shkruar i tëri në
gjuhën shqipe. Ka pasur kolegë studiues që kanë shtruar pyetjen: pse u shkrua në
gjuhën shqipe? Cilat janë arsyet që e shtyen autorin, Teodor Shkodranin, të
shkruante shqip në këtë kohë, kur gjuhë kulture ishin greqishtja ose
latinishtja? Pse shkrim në gjuhën shqipe, kur edhe të gjitha shërbimet fetare
bëheshin në gjuhët greke ose latine?
Debate të tilla janë me shumë interes, ngase hapin mundësi për t’u thelluar
më shumë, për të njohur e studiuar përditshmërinë e popullit shqiptar në
mesjetë. Si duket, harrohet se në perëndim të Shqipërisë, ishin kroatët, ata të
cilët gjithë shërbesat fetare i bënin në gjuhën kroate, pra në gjuhën e
popullit, ishin po kroatët, por edhe sllavët, të cilët kishin të shkruara në
gjuhën e tyre dorëshkrime e dokumente. Si dëshmi është “Baščanska ploća”, një
monument vërtet madhështor i shkruar me alfabet glagolik në gjuhën kroate...
etj. etj. Pra, pse të mos kishin edhe shqiptarët dorëshkrime dhe dokumente në
gjuhën shqipe.
Është krejt normale që, duke shikuar fqinjët që shkruanin në gjuhën e
“popullit”, që edhe intelektualët shqiptarë të shkruanin në gjuhën e popullit të
vet, nëse nuk kishin shkruar më herët se fqinjët, gjë që nuk përjashtohet si
mundësi, ngase: “po t’i hedhim një vështrim historisë së gjuhës shqipe, dy gjëra
të kundërta na bien në sy në këtë lëmë: me një anë gjuhë e dëshmuar me shkrim
mjaft vonë, e në anën tjetër një popull i lashtë, autokton në këto vise të
Ballkanit që nga kohët e mugëta të historisë.” Aq më parë kur dihet se në ketë
periudhë kemi lindjen dhe zhvillimin e qyteteve vendëse, si forca dominuese
politike, p.sh. Shteti i Arbrit, por edhe ngritjen e një shtrese intelektualësh,
të cilët lanë gjurmë të thella me studimet dhe veprat e tyre në gjuhë të
ndryshme, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në shtete të tjera mesjetare
evropiane.
Rëndësi të veçantë ka edhe fakti se autor i këtij shkrimi është një shqiptar
nga Shkodra, mjaft i njohur në rrethet shkencore-kulturore të kohës, jo vetëm në
Shqipëri, por edhe në Bizant, Romë, Raguzë, etj. Autori, Teodor Shkodrani, në
fund të dorëshkrimit të tij na ka lënë të dhëna shumë të çmuara për veten e tij,
për origjinën dhe për përgatitjen profesionale. (Ne nuk e kemi përdorur termin
“libër”, por dorëshkrim, nga shkaku që të mos shkaktojmë huti; ngase koncepti
libër në vitin 1210 dallon nga ai që kemi ne sot për librin, kur dihet se
shtypshkronja ende nuk ishte shpikur në atë kohë. Pra menduam që termi
dorëshkrim do të ishte më i afërt, kur dihet se të gjitha këto “libra” apo
dorëshkrime, ishin të pakta në numër dhe ruheshin kryesisht nëpër vende të
veçanta si: kisha, manastire, kuvende e, në raste të veçanta, edhe në
bibliotekat private të ndonjërit prej fisnikëve vendas.) Të shtojmë që pos këtij
dorëshkrimi në gjuhën shqipe, në Arkivin Sekret të Vatikanit dhe në Bibliotekën
Apostolike të Vatikanit, të po këtij autori ruhen me dhjetra dorëshkrime në
gjuhët greke dhe latine, të cilat nuk janë botuar deri më sot. Tematika e këtyre
dorëshkrimeve është e ndryshme, por dominon ajo teologjike dhe historike. Ka
edhe disa përkthime dhe redaktime të veprave të autorëve antikë.
Dorëshkrimi i Teodor Shkodranit është përgatitur për botim, është
transkriptuar, transliteruar dhe shoqërohet me një koment dhe analizë shkencore.
Botimi i tërë dorëshkrimit, si libër i veçantë, do të bëhet së shpejti nga
revista ”Ekskluzive”.
Diçiturat për ilustrime:
1. Ilustrimi 1.jpg - Miniaturë e praruar në flori, e ngjashme me atë të
dorëshkrimit të Teodor Shkodranit. Origjinali ruhet në ASV. Vat. Lat. 3747, fol.
17v. Botohet për herë të parë.
2. Ilustrimi 2.jpg - Dokument origjinal në pergamen nga viti 1274. Ndër të
tjerë edhe vulat e dy princërve shqiptarë: Engjëllorëve dhe Dukagjinasve.
Origjinali ruhet në ASV. A.A.ARM. I-XVIII, nr. 2187. Botohet për herë të
parë.
3. Ilsutrimi 3.jpg - Faksimil i dokument nga Arkivi Shtetëror i Dubrovnikut,
14. korrik 1284, ku përmendet gjuha shqipe. Origjinali ruhet në: Diversa
Cancelaria, 1284-1286, vol. 2, f. 111r. Si faksimil botohet për herë të
parë.
(Marrë nga QIK)
|