Historia e Kongresit të Alfabetit në Manastir. Cilat ishin përpjekjet e para
për hartimin e një alfabeti dhe si u bë pakti për gjuhën shqipe
Saimir Lolja
Gjuha shqipe është e hershme, por fatkeqësia qëndron në faktin se ajo u
shkrua shumë vonë. Kombi me dëshirën më të madhe për të shkruar gjuhën e tij
është penguar historikisht nga fqinjët dhe pushtuesit që të ketë një alfabet të
shqipes. Megjithatë dokumente arkivorë, të gjetura në Arkivin e Vatikanit dhe
ato greke, dëshmojnë se përpjekjet e shqiptarëve për të pasur gjuhën e tyre kanë
qenë shumë të hershme.
Gjithsesi, debati për origjinën e gjuhës shqipe dhe se nga rrjedh ajo vazhdon
edhe sot e kësaj dite mes albanologëve të dëgjuar në botë dhe akademikëve
shqiptarë…
Dorëshkrimi i Teodor Shkodranit (1210)
Ky dorëshkrim u gjet në Vatikan dhe është botimi më i vjetër i njohur deri
tani i gjuhës shqipe. Materiali në fjalë është i tëri në pergamenë dhe ka 208
faqe. I gjithë dorëshkrimi është i shkruar me shkronja latine, por me fjalë në
gjuhën shqipe, në dialektin e veriut. Dorëshkrimi ndahet në tre kapituj, në
faqet 1 deri në 97 mbi teologjinë; faqet 98 deri në 146 mbi filozofinë dhe faqet
147 deri në 208, bëjnë fjalë për historinë. Ndërsa në fund, autori ka firmosur
vetë, duke shkruar: “Mee nihemmen zze dessirnnee e phorte t’ Lummnummitt ZOT e
mbaronjj n’Vitte MCCX dittn ee IX t’ Mmarxxitee. THEODOR SSCODRAANNITTEE”.
Rëndësia e këtij libri (që nuk është abetare) është se tregon që ka pasur
shkrues, botues dhe lexues të shkolluar të shqipes që në vitin 1210.
Alfabetet origjinale shqiptare (1761-1844)
Dorëshkrimi elbasanas i Ungjijve njihet si Anonimi i Elbasanit (1761) është
teksti më i hershëm shqip i shkruar me një alfabet origjinal. Autor është
Gregori i Durrësit, i njohur edhe si Gregori i Voskopojës, i cili qëndroi
pesëmbëdhjetë vjet në Elbasan, para hartimit të dorëshkrimit. Ai u përpoq të
shkruante në një gjuhë të përbashkët, që ta kuptojnë shqiptarët nga krahinat e
ndryshme. Një gjë bie në sy në Dorëshkrimin elbasanas: Ka shumë pak fjalë të
huaja, vetëm tri fjalë latine dhe shtatë fjalë turke. Në 59 faqet e përkthimeve
biblike të Dorëshkrimit elbasanas janë shkruara 6113 fjalë. Shkrimi i tyre është
bërë mbi bazën e një alfabeti prej 40 germash: 35 germa të zakonshme dhe 5 germa
të rralla. Shumica e germave të këtij alfabeti janë krijime të reja, pa ndikim
të gjuhëve dhe të alfabeteve të popujve fqinjë. Në kapakun e Dorëshkrimit
elbasanas të Ungjijve gjendet një vizatim dhe afër dymbëdhjetë fjalë të shkruara
me një alfabet, i cili ndryshon krejtësisht nga alfabeti i dorëshkrimit; por i
pazbërthyer akoma. Më pas vijohet me një alfabet të Todri Haxhifilipit
(1730-1805) nga Elbasani, i cili është një sistem grafik i ndërlikuar prej 52
germash. Alfabeti në fjalë u përdor në mënyrë sporadike në Elbasan nga fundi i
shekullit XVIII. Por, nuk do të përfundonin këtu përpjekjet e shqiptarëve për të
pasur një alfabet të gjuhës së tyre. Dokumente arkivorë vërtetojnë se ekziston
edhe një tjetër përpjekje për hartimin e një alfabeti nga beratasit. Alfabeti i
Kodeksit të Beratit (1764-1798), një dorëshkrim prej 154 faqesh. Në faqen 104,
gjejmë dy radhë shqip të shkruara me një alfabet origjinal prej 37 germash të
ndikuara nga glagolishtja. Nga Gjirokastra kemi një alfabet tjetër, nga fundi i
shekullit XVIII, ose nga fillimi i shekullit XIX, i cili është një sistem grafik
prej 22 germash, por pak i përhapur. Një alfabet tjetër i shpikur në jugun e
Shqipërisë është ai i Jani Vellarait (1771-1823). Ai ishte autori grek i
shënimeve gramatikore greqisht-shqip të vitit 1801 për t’i mësuar shqip grekëve.
Gjuhën shqipe e shkroi me një alfabet origjinal prej 30 germash, në bazë të
latinishtes dhe të greqishtes.
Propozimi i Naum Veqilharxhit
Alfabeti i Naum Veqilharxhit (1797-1846), nga Korça, prej 33 germash të
botuara në abetaren e tij shqipe në vitin 1844. Jehona e këtij alfabeti, i cili
i ngjan një lloj armenishteje kursive, ishte e pakët. Kjo periudhë
njëqindvjeçare 1750-1850, ishte një kohë shumëllojshmërie shkrimesh të habitshme
në Shqipëri. Me të gjithë, gjuha shqipe u shkrua me dhjetë alfabete: shtatë
alfabetet origjinale të lartpërmendur si dhe përshtatjet pas vitit 1850 të
alfabeteve latin, grek dhe arab. Është për t’u çuditur që kultura shqiptare
arriti ta dallonte veten dhe të mbijetonte me një madhështi të tillë letrare.
Ekzistenca e tyre çjerr poshtërsinë, me të cilën u ndesh delegacioni shqiptar në
Kongresin e Berlinit, më 1878, ku iu tha në vend të JO-së për shtetin shqiptar
se nuk mund të ketë komb pa gjuhë të shkruar. Ndërkohë që kishte jo një, por 10
alfabete, që mund të përzgjidheshin e zbatoheshin.
Kongresi i Manastirit ose ndryshe Kongresi i
Alfabetit (14 nëntor 1908)
Atdhetarët, që përpiqeshin të bashkonin popullin, kishin përpara një përçarje
në popull që shkaktohej nga: 1- politika ‘përça e sundo’ e qeverise osmane; 2-
struktura shoqërore feudale-fisnore në Shqipëri; 3- drejtimet e huaja të grupeve
të ndryshme fetare, të cilat përdornin turqishten, greqishten, italishten e
gjermanishten në vend të shqipes. Në ato kushte, shoqëria Bashkimi e Manastirit
thirri më 14 nëntor 1908 kongresin e parë të përgjithshëm për diskutimin dhe
miratimin e një alfabeti të njësuar. Aty ishin të pranishëm 150 delegatë, të
ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë dhe nga bashkësitë shqiptare në Rumani,
Turqi, Egjipt, Itali, Amerikë e gjetkë. Ata zgjodhën si kryetar Mit´hat
Frashërin, të birin e të shquarit Abdyl, që kishte kryesuar mbledhjen në
Prizren. Përfaqësuesi i Shoqërisë Biblike, Gjergji Qiriazi, u zgjodh nënkryetar,
kurse prifti protestant nga Korça, Grigor Cilka, mori pjesë bashkë me të në
Komisionin e Alfabetit, të përbërë prej 11 vetësh. Parashqevi Qiriazi, e
Shkollës së Vajzave në Korçë, shërbeu si sekretare e komisionit. Ajo ishte e
vetmja grua delegate në Manastir dhe e para grua në histori, që mori pjesë në
një forum gjithëshqiptar. Zonja Fineas Kenedi, një misionare amerikane në Korçë,
e pranishme aty si vëzhguese, shkruante për poetin Gjergj Fishta: “Kumtesa më e
mirë u mbajt nga një prift katolik, nga Shkodra, fjalët e të cilit bënë që
dëgjuesve t’u rridhnin lot; një hoxhë u prek aq shumë, saqë rendi ta përqafonte
para gjithë të pranishmëve”. Kongresi nëntëditor vendosi me votë të plotë që
shqiptarët të linin mënjanë alfabetin e Stambollit me dhjetë shenjat e tij të
veçanta dhe ta shkruanin gjuhën e tyre, vetëm me alfabetin latin. Alfabeti i
hartuar në Manastir përmbante 36 shkronja e ndërthurje shkronjash latine. Duke
qenë se para kësaj mbledhjeje gjuha shqipe ishte shkruar me shkronja arabe,
greke e sllave, apo përshtatje të tyre, vendosmëria e këtyre delegatëve për t’i
kthyer sytë nga perëndimi ishte haptazi një shpallje kulturore e pavarësisë, gjë
që shkaktoi kundërveprime të ashpra nga qeveria osmane, sllavët dhe kisha
ortodokse e grekëve. Një pjesëmarrës i shquar në Kongresin e Alfabetit ishte
studiuesi, poeti dhe atdhetari nga Shkodra, Ndre Mjeda. Tetë nga trembëdhjetë
propozimet e tij u miratuan nga Kongresi i Manastirit. Ndonëse jetoi në disa
vende të huaja dhe mësoi të fliste 13 gjuhë, mbi gjuhën shqipe ai nuk vinte gjë
tjetër.
Ndër komb’ tjera, ndër dhena tjera ku e shkoj jetën
tash sa mot, veç per ty rreh zemra e mjera e prej mallit derdhi lot.
Nji kto gjuhë, qi jam tue ndie janë të bukra me
temel; por prep’ këjo, si diell pa hije, për mue t’tanave ju del.
Kongresi vendosi gjithashtu ngritjen e shtypshkronjës shqipe në Manastir, nën
drejtimin e Gjergj Qiriazit, e cila u bë shpejt e njohur anembanë vendit si
shpërndarëse e librave dhe gazetave shqipe. Por, shpejt, qeveria osmane i mbylli
të gjitha shtypshkronjat shqipe. Më 1911, Hoxhson, përfaqësuesi i Shoqërisë
Biblike të Kostandinopojës, raportonte: “Të gjitha shkollat shqipe janë mbyllur
pa pikë mëshire, kurse përpjekjet ngulmuese për ndalimin e gjuhës dhe zhdukjen e
letërsisë shqipe nuk kanë reshtur kurrë. Gjendja e rëndë politike mund të marrë
flakë nga çasti në çast. Tashmë shqiptarizmi kishte shpërthyer dhe nuk do ndalej
më!”.
(Marrë nga Panorama)
|